E Shtunë, 31 Tetor 2026

Benedikti XVI: “Mos kërkoni përherë shenja e mrekulli, sepse Jezusi është mrekullia më e madhe”

10-07-2012 / Gazeta 55

Jezusi është “transparenca e Hyjit”, “mrekullia më e madhe e gjithësisë”: kështu pohoi mes tjerash Benedikti XVI gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot kremtuar dje në Selinë Apostolike të Kastel Gandolfit, e para diele që kalon këtu Papa, që nga e marta e kaluar, kur u transferuar për të kaluar periudhën verore. Papa Ratcinger në vazhdim tha se ne shpesh jemi në kërkimin e shenjave e të mrekullive, e nuk vërejmë se Shenja e vërtetë është pikërisht Jezusi, “Zoti i mishëruar”. “Mrekullitë e Krishtit nuk janë shfaqje ekzibicionuese të fuqisë, por shenja të dashurisë së Zotit që zbatohet aty ky takon e gjen fenë e njeriut”: kështu tha Benedikti XVI gjatë fjalimit të mbajtur para lutjes së Engjëllit të Tënzot, duke komentuar pjesën e Ungjillit të dielës së 14-të gjatë vitit kishtar. Papa u ndal te mosbesimi i banorëve të Nazaretit në shërimet që Jezu bëri para syve të tyre. Në fakt ky mosbesim, vërejti Papa, është i kuptueshëm “sepse afërsia familjare në planin njerëzor e bënë më të vështirë besimin e nuk lejon të shkosh përtej kësaj lidhjeje e t’i hapesh përmasës hyjnore”. Në anën tjetër, shtoi Benedikti, edhe Jezusi u çudit për mosbesimin e njerëzve të Nazaretit: “Edhe Ai, në një farë kuptimi, shkandullohet! Megjithëse e dimë që asnjë profet nuk pranohet mirë në vendlindje, prapëseprapë mbyllja e zemrës së njerëzve të vet mbetët për Të e pakuptueshme, e pashqyrtueshme: si është e mundur që mos ta njohin dritën e së Vërtetës”. Kjo sepse, tha Papa, “nuk hapen para mirësisë së Zotit, që ka dashur të ndajë bashkë me ne njerëzimin tonë?”. Në realitet, nënvizoi Papa, “njeriu Jezus i Narazetit është transparenca e Hyjit, në Të Hyji banon plotësisht”: “E ndërsa ne kërkojmë gjithmonë shenja tjera, mrekulli tjera, nuk e vërejmë faktin që Shenja e vërtet është Ai, Zoti i mishëruar, Ai është mrekullia më e madhe e gjithësisë: tërë dashuria e Zotit e përmbledhur në një zemër njerëzore, një fytyrë të njeriut”.
E këtu Papa, përmendin Virgjërën Mari e cila e “ka kuptuar më të vërtetë këtë të realitet”. Maria, tha Ati i Shenjtë, “ nuk është skandalizuar me të Birin e saj: çudia e saj ndaj Tij është plot fe, plot dashuri e gëzim, duke e parë atë kaq njerëzor e në të njëjtën kohë kaq hyjnor”. E prandaj i këshilloi besimtarët të mësojnë nga Maria, “Nëna e fesë”, ta “vërejmë e të njohim në përmasën njerëzore Krishtin, zbulimin e përsosur të Hyjit”.
Në çastin e përshëndetjeve, në një atmosferë feste e hareje, Papa përshëndeti me fjalët të veçanta shtegtarët polakë të Familjes së Radio Marisë, të mbledhur në Jasna Gora, për t’u lutur “për atdhe, për familjet e për lirinë e shprehjes”. E kështu përshëndeti edhe të rinjtë e Fondacionit “Vepra e Mijëvjeçarit të Ri”, frymëzuar nga Karol Wojtila, që dje në mbrëmje me besimtarë të feve të ndryshme lartuan së bashku lutjet e tyre për paqen në ish kampin e përqendrimit të Majdanekut: “Bashkohem shpirtërisht me këto ngjarje – tha Papa – dhe prej Zotit kërkoi të mirën e paqen, për botën, për Poloninë e për çdonjërin prej jush”. Në gjuhën franceze, Papa i ftoi besimtarët të mos e harrojnë Zotin, gjatë pushimeve, por të vazhdojnë të luten e të shkojnë në Meshë për të dielash. Së fundit duke përshëndetur qytetarët e Kastel Gandolfit të cilët, sipas traditës, përherë e presin me përzemërsi gjatë periudhës verore: “Përshëndes përzemërsisht bashkësinë lokale e të gjitha familjeve u dëshiroj që të mund të kenë një moment pushimi e ripërtëritje fizike e shpirtërore”.
Biblioteka e Vatikanit: 80 mijë dorëshkrime të lashta të arkivuara me teknologji kozmike/Një lidhje e papritur e veçantë ekziston ndërmjet afër 80 mijë dorëshkrimeve të lashta të ruajtura në Vatikan dhe teknologjive moderne kozmike. Vërtet, Biblioteka Apostolike e Vatikanit, është i vetmi institucione kulturor në botë që ka vendosur t’i arkivon në mënyrë digjitale dorëshkrimet e veta me formatin Fits (Flexible Images Transport System) përdorur nga Nasa që në fillim të viteve 1960 për të arkivuar informatat e të dhënat e misioneve astronomike. Ky përcaktim i ri ka qenë në qendër të një sesioni të veçantë të “Javës evropiane të Astronomisë e Shkencave kozmike” – në program nga 2 korriku deri të shtunën e kaluar pranë Universitetit Papnor të Lateranit në Romë – kushtuar “Ruajtjes me afat të gjatë të të Mirave kulturore në formatin digjital” e organizuar nga vet Biblioteka Apostolike. Në mikrofonin e Radio Vatikanit flet koordinatori i Shërbimeve Informatike të Bibliotekës Luciano Ammenti: “Saktësisht ne përdorim të njëjtin format të konservimit: ky format që quhet Fits, është i njëjtë me atë që përdor Nasa për konservimin e misioneve të veta në hënë, po ky format i njëjtë është përdorur edhe nga Biblioteka e Vatikanit e cila, në institucionet e saj, me në krye prefektin, ka bërë një studim të gjatë rreth mundësive të konservimit dhe ka vendos që ky format mund të ishte sigurisht ai më i miri i mundshëm për ruajtjen e dorëshkrimeve të Bibliotekës së Vatikanit. Kemi zgjedhur pikërisht këtë sistem të memorizimit, sepse është i vetmi format që është në përdorim prej mase 45 vjetësh në botën e informatikës dhe është i vetmi që na jep garanci të jetëgjatësisë, pra të afatit të gjatë të ruajtjes, përveç faktit se është open source, çka do të thotë krejtësisht falas e krejtësisht i modifikueshëm, e pastaj edhe për faktin që është një format prej 64 bit, çka do të thotë se file që do të krijohet me të kanë një madhësi të pakufishme. Gjithsesi, është një arkivim i komplikuar, sepse objekti është tejet delikat. Mirëpo duke përdorur teknologjitë më të mira gjithçka reduktohet në një kontroll delikat e të vëmendshëm të lëndës me të cilën punohet, sepse natyrisht që e mira që duhet mbrojtur është ajo e dorëshkrimeve e prandaj mund ta imagjinoni se asnjë prej këtyre sendeve nuk mund të as të shëmtohet e as të dëmtohet gjatë procesit të regjistrimit”.
Biblioteka Apostolike e Vatikanit ka filluar digjitalizimin e rreth 80 mijë dorëshkrimeve, që bëjnë pjesë në fondet e saj në mars të vitit 2010. Sistemi novator i digjitalizimit të dorëshkrimeve të lashta që ka përdorur Biblioteka e Vatikanit për fondet e saj të dokumenteve, është një projekt tashmë i perfeksionuar, të cilin sigurisht, mund ta quajmë historik, sepse është hera e parë që të gjitha dorëshkrimet në dorë të Bibliotekës Apostolike janë digjitalizuar apo regjistruar e pastaj konservuar, për t’u përdorur në njëmijë mënyra nga studiuesit e nga vetë biblioteka.
Marrë nga Radio Vatikani

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›