Imunitetet dhe Reforma Zgjedhore - strategjia bllokuese që po mban në politikë Edi Ramën
2 ditë para përfundimit të mandatit të komisionit të reformës zgjedhore, Edi Rama s’ka dhënë ende dritën jeshile për reformën zgjedhore, e as për nismën për heqjen e imuniteteve. Taktikat bllokuese janë e vetmja formë për ta mbajtur opozitën në axhendat e ndërkombëtarëve, por edhe një mënyrë për t’iu bindur llogores informale të biznesit që mundohet të gjallojë, pranë çadrës së opozitës
Berisha: “PS të pranojë propozimin për imunitetin – të mos konfirmohet si e marrë peng nga klubi i miliarderëve”
Shefi i ekzekutivit Sali Berisha i ka bërë thirrje opozitës të votojë nismën e mazhorancës, për heqjen e imunitetit në Kuvend. Duke folur në mbledhjen e grupit të PD-së, kryeministri Berisha kërkoi nga pakica t’i përmbahet deklaratave të mëparshme të saj për heqjen e imunitetit përmes ndryshimit të kushtetutës. “Një çështje madhore është heqja e imunitetit. Unë edhe njëherë e ftoj Ramën që të vendosë për heqjen e imuniteti sepse mazhoranca e ka çuar në parlament variantin që opozita e ka mbështetur publikisht, me anë të ndryshimit të Kushtetutës. Unë e kuptoj që kundër këtij vendimi janë ata që kanë frikë nga vetja e tyre dhe përzihen në gjëra që s`duhet të përzihen. E ftoj Ramën sepse ne kemi sjellë në parlament variantin që ka sjellë opozita. Pretendimet që janë paraqitur në media janë absurde sepse të kërkosh të votohet gjykatësi me 3/5 ndërkohë që për presidentin është 50+1 kjo është absurd. Kjo është të dëgjosh këshillin e miliarderëve dhe jo zërin e qytetarëve”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi se çështja e heqjes së imunitetit nuk duhet të trajtohet për kapital politik por në interes të qytetarëve.
“Kur përdoren pretekste të cilat nuk qëndrojnë atëherë ju kërkoni të mbani qeverinë me imunitet, deputetët me imunitet dhe këtë nuk e bëni për interes të tyre, por thjesht të një grupi të ngushtë në krye të kupolës së partisë. Unë uroj që heqja e imunitetit të mos jetë një çështje për kapital politik për asnjërën palë, por në interes të qytetarëve në mënyrë që të gjitha palët ta votojmë dhe ta heqim këtë lak që rëndon çdo ditë mbi-qytetarët shqiptarë. Ato lajme të dhëna nga shtypi, do të doja shumë dhe shpresoj që të jenë lajme të stisura dhe jo të vërteta, pasi ne në Parlament kemi paraqitur variantin që ka kërkuar opozita dhe kemi hequr dorë nga varianti ynë. E kemi bërë këtë vetëm e vetëm që të arrijmë në një përfundim të përbashkët. Kur njëra palë nuk lëshon, pala tjetër do përpiqet të lëshojë. Nëse do t’u kërkonim atyre ta realizonim sipas variantit tonë, edhe konsultës së Komisionit të Venecias, ata, për shkak se iniciativa është e shumicës, do ta refuzonin.
Tani, iniciativa e dërguar në Parlament, është iniciativë e Këshillit të Evropës, por është edhe iniciativë, nga viti 2005 e më tej, e mbështetur, e deklaruar nga opozita shqiptare. Uroj që ta mbajnë fjalën dhe ta votojnë. Ky do të ishte një lajm shumë pozitiv dhe një hap i madh përpara për qytetarët shqiptarë, edhe në rrafshin e lirive dhe të drejtave të qytetarëve, sepse do të barazonte qytetarët shqiptarë para ligjit, për disa çështje madhore të jetës dhe veprimtarisë së tyre”, tha kreu i ekzekutivit.
Berisha i është referuar gjithashtu edhe reformës zgjedhore për të cilën tha se janë bërë të gjitha përpjekjet për të arritur konsensusin më të gjerë të mundshëm.
“Në komisionin e reformës zgjedhore, dua t’ju informoj se ne kemi bërë të gjitha përpjekjet për kompromisin më të gjerë të mundshëm, gjykojmë ne, lëshimet tona të mundshme, për të cilat nuk kam keqardhje dhe, në tërësi, tematika duket se po shkon drejt zgjidhjes. Është rënë dakord që studimi pilot për sistemin elektronik, sipas kërkesës së socialistëve, të përfshijë rreth 20 për qind të zgjedhësve, 20 për qind për numërimin dhe 20 për qind për identifikimin e kartës. Komisioni do të përcaktojë të gjitha rregullat se si do të veprohet, në rast se makineria dështon. Unë isha në Dubrovnik dhe hapësira ajrore Bavareze u bllokua për rreth 5 orë, për shkak të kompjuterit. Unë pata fat se ai bllokim nisi pasi unë u ula në Mynih, ndërkohë që avionët e tjerë u devijuan në aeroporte të tjera. Kështu që, sado t’i kemi besim hight tech-ut, më shumë besim duhet t’i kemi njeriut. Ndaj edhe ne kemi rënë dakord për 20 për qindëshin dhe do të përcaktojmë rregullat nëse do të ketë defekte, të cilat ndonjëherë janë edhe të pashmangshme, në mënyrë që procedura të vazhdojë pa ndërprerje, në mënyrë konvencionale”, tha kryeministri Berisha.
Kryeministri i njohu deputetët e grupit parlamentar demokrat me dy ligje të amenduara që qeveria do të sjellë në Kuvend, në kuadër të luftës kundër korrupsionit; ligjin kundër konfliktit të interesit dhe ligjin për deklarimin e pasurive, të hartuar me ekspertë të shquar dhe me pjesëmarrjen aktive të institucioneve respektive. Kryeministri uroi që këto dy ligje të mbështeten nga opozita, pasi ai u shpreh i sigurt se me këto ligje, lufta kundër korrupsionit dhe përpjekja për transparencë, do të njohë nivele të reja.