E Diel, 1 Nëntor 2026

“Vendet e rajonit të heqin frikën ndaj shqiptarëve”

10-07-2012 / Gazeta 55

Konferenca “Fqinjët e Shqipërisë”, apelon Kryeministri Sali Berisha

“Toka ku shqiptarët jetojnë në të gjithë rajonin nuk ka të bëjë me Shqipërinë e Madhe, por me Shqipërinë normale, zhvillimi i integruar i së cilës, jo vetëm që nuk përbën asnjë kërcënim për vendet e rajonit, por i bën ato përfituese në qëllimin e përbashkët integrimin euroatlantik”. Ky është thelbi i konferencës dy ditore që po mbahet në Tiranë “Fqinjët e Shqipërisë”, ku fakti i kufizimit të saj me shqiptarë, ndonëse në shtete të tjera i jep kësaj fqinjësie kuptimin e lagjes shqiptare

Nisi dje në Tiranë punimet, konferenca ndërkombëtare “Fqinjët e Shqipërisë”, e organizuar nga Programi i Universitetit “Columbia”, për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtave, në Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut dhe nga Qendra për Studimet Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) në Washington. Kjo konferencë mbështetet nga Bashkia e Tiranës dhe Fondacioni “Vëllezërit Rockfeller”, në bashkëpunim me Institutin e Studimeve Bashkëkohore në Tiranë. Të pranishëm në këtë konferencë, e para e këtij lloji, ishin personalitete të larta shqiptare nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Greqia.
Konferenca u përshëndet nga kreu i qeverise shqiptare që dha disa mesazhe rreth fqinjësisë së mirë, integrimin rajonal dhe çlirimin e fqinjëve nga shqiptaro-fobia, si dhe shumë të tjerë, ku spikatën edhe fjalimet e kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti, kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti si dhe zëvendëskryetarja e Kuvendit të Maqedonisë, Suzana Saliu.
Kryeministri Sali Berisha kërkoi që fqinjët e shqiptarëve të çlirohen njëherë e mirë nga doktrina antishqiptare dhe të punojnë së bashku për një qëllim, integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian.
 “Gjithmonë ka ekzistuar frika nga shqiptarët. Vite më parë, një fondacion amerikan bëri një punë të shkëlqyer, dhe lidhja Flaka organizoi një seri work-shopesh, seminaresh për shqiptarët dhe fqinjët e tyre saqë zgjoi xhelozi tek fqinjët, por këto janë realitetet. Dhe kjo sepse shqiptarët janë një komb. Asnjë komb në të shkuarën nuk ka përjetuar padrejtësi dhe dhimbje të mëdha sa kombi ynë, por është kombi që mbështet më shumë integrimin në BE si të ardhmen më të mirë për të. Arritjet e shqiptarëve janë madhore dhe historike, por përsëri rrugë është për t’u bërë dhe përshkrimi i kësaj milje drejt BE ka një rëndësi të madhe, drejt NATO për Kosovën dhe Maqedoninë e Malin e Zi, ka rëndësi të madhe për çdo shqiptar, po ashtu edhe çlirimi i fqinjëve tanë nga doktrinat e vjetra raciste, ksenofobiste antishqiptare”, u shpreh kryeministri Berisha.
Kryeministri shqiptar solli në kujtesë një moment kur ishte fëmijë dhe pa skenën sesi ushtarët në kufi përpiqeshin të vrisnin një bari sepse i kishin ikur delet jashtë kufirit. Sipas Berishës ajo skenë në vitet ’50 ishte e ngjashme me skenat gjatë zgjedhjeve serbe në Preshevë, duke shtuar se kjo skene ngjante me ekspeditat e Millosheviçit kundër shqiptarëve të bazuara në frikën dhe urrejtjen ndaj tyre.
Më pas kreu i qeverisë theksoi se është e domosdoshme që shqiptarët të rikuperojnë ndasitë e tyre duke bërë që kufijtë mes tyre të jenë më pak të rëndësishëm.
“Shqiptarët të angazhohen për projektet e tyre sepse këto projekte ngado të ndërtohen janë rajonale, i shërbejnë jo vetëm fqinjësisë, por fqinjësisë rajonale në përgjithësi, por janë maqedonasit, janë serbët janë gjithë kombet e rajonit. Duhet përparësi e madhe në projektet rajonale, jo të mbahen të distancuar shqiptarët nga njëri-tjetri, por të bëhet gjithçka që kufijtë të jenë sa më të parëndësishëm. Shqiptarë kanë arsye të kenë një dialog konstant në interesin më të mirë, një debat konstant të vlerave të përbashkëta që ata ndajnë”, tha ai.
Pas kritikave anti-shqiptarizëm, Berisha nuk la pa përmendur dhe bashkëpunimin fqinjësor.
“Shqipëria bashkëpunon ngushtë me fqinjët në luftën kundër kriminalitetit, për vendosjen para drejtësisë së kriminelëve, por nuk pranojnë skena të atilla. Edhe bashkëpunimi ndërshqiptar në rrafshin ekonomik mund të shndërrohet sërish në një faktor të rëndësishëm të zhvillimit rajonal, tha Berisha, duke shtuar se, shqiptarët janë sot të lirë në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi dhe kanë një projekt madhor për të ardhmen e tyre”.
Sipas Berishës, shqiptarët kanë 1 mijë e një arsye për të pasur një dialog konstant, një debat konstant të vlerave të përbashkëta kombëtare që ata ndajnë.
“Kultura është e një rëndësie të jashtëzakonshme dhe burimi kryesor është bashkëpunimi kulturor i cili ushqen identitetin e një kombi. Asnjëherë ne nuk kemi pasur probleme me identitetin, por ai duhet të kurohet dhe të trajtohet dhe rruga më e sigurt është ajo kulturore. Në këtë kontekst bashkëpunimi ndërkulturor është një kusht i rëndësishëm për të sotmen dhe të ardhmen e tyre”, kreu i qeverisë shqiptare.
Kryeministri vuri në dukje se bashkëpunimi fqinjësor mbi të gjitha ka një qëllim të përbashkët, integrimin.
“Nëse duan të ardhme të përbashkët duhet të çlirohen nga frika e tyre në interes të shqiptarëve dhe kombeve të tyre. Shqipëria mbetet e angazhuar për bashkëpunim të ngushtë tërësisht shqiptar e rajonal dhe se ky bashkëpunim është kusht për integrimin në BE”, tha më tej ai.
Drejtuesi i Institutit të Studimeve Bashkëkohore, Artan Hoxha, deklaroi gjatë punimeve të kësaj konference se, “ne ndajmë vlerat bazike të shoqërive perëndimore, sepse besojmë se i takojmë asaj shoqërie dhe jemi pjesë e saj”.
Duke vënë në dukje vlerat e popullit shqiptar, Hoxha tha se, “ne besojmë tek paqja, stabiliteti, demokracia besojmë tek të drejtat e njeriut, të drejtat e pakicave, besojmë tek nisma e lirë dhe tregu i lirë, besojmë tek lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe ideve”.

Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Maqedonisë, Suzana Saliu
Nënkryetarja e Kuvendit të Maqedonisë, Suzana Saliu e pranishme në konferencën “Fqinjët e Shqipërisë”, u shpreh se “integrimi i rajonit në Bashkimin Europian dhe NATO do të përçojë stabilitetin në rajon”.
Ajo theksoi se, “ndër segmentet kryesore të bashkëpunimit rajonal patjetër duhet të jetë bashkëpunimi ekonomik, i cili duhet të intensifikohet më shumë. Duhet të thellohet më tej bashkëpunimi tregtar dhe ekonomik dhe përshpejtimi i realizimit të projekteve të përbashkëta aktuale në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, hekurudhore dhe energjetikës, në kuadër të korridorit të 8-të dhe lidhjeve hekurudhore”, tha ajo.
Nënkryetarja e Kuvendit të Maqedonisë, Suzana Saliu, theksoi se, “gjatë vizitës në Shqipëri disa ditë më parë ministri i Ekonomisë i Maqedonisë promovoi idenë dhe intensifikimin e bashkëpunimit tregtar sipas modelit të vendeve të Beneluksit, në të cilin do të përfshiheshin Republika e Maqedonisë, Shqipërisë, Kosovës dhe Mali i Zi. Kjo ide tashmë është duke qarkulluar si debat në Maqedoni, por derisa nga shqiptarët e Maqedonisë kjo shikohet si më se e nevojshme, opinionet e qytetarëve maqedonas janë të ndara”, tha ajo, duke shtuar se është më rëndësi fakti se në Republikën e Maqedonisë po zhvillohen debate për gjithçka.
Nënkryetarja e Kuvendit të Maqedonisë vlerësoi se, “angazhimet e vendeve të rajonit për bashkëpunim dhe zhvillim të mëtejshëm të marrëdhënieve të mira fqinjësore është nxitje kryesore që kontribuon në paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e vendeve tona”. “Shqiptarët e Maqedonisë i japin zemër dhe i çojnë përpara këto procese”, tha ndër të tjera zëvendëskryetarja e Kuvendit të Maqedonisë, Suzana Saliu.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›