Benedikti XVI: Universitetet katolike kanë rol të pazëvendësueshëm në shoqëri
Papa kërkon nga universitetet katolike një sintezë të re humaniste dhe mbështet universitetet katolike në gërshetimin e fensë me kulturën. Një humanizëm i ri, një dije “e shndritur nga feja” që t’i japë limfë shoqërisë që është viktimë e relativizmit, e që të jetë “dije e aftë ta orientojë njeriun në dritën e parimeve themelore e të synimeve të tij të fundit”: Këtë uroi Papa Benedikti XVI në fjalimin që u drejtoi dje paradite në Vatikan profesorëve e studentëve të universiteteve papnore romake e të Federatës ndërkombëtare të universiteteve katolike, me rastin e 60 vjetorit të njohjes nga ana e Selisë së Shenjtë të statutit të Federatës Ndërkombëtare të Universiteteve Katolike dhe të 30-vjetorit të shpalljes së Kushtetutës apostolike “Sapientia christiana” nga Gjon Pali II. Papa Benedikti XVI kujtoi Deklaratën e koncilit të Vatikanit të II “Gravissimum educationis” e cila “këshillonte Fakultetet kishtare të thellohen gjithnjë e më tepër në fusha të ndryshme të shkencave të shenjta, për të pasur kështu një njohje gjithnjë e më thellë të Dëftimit, për të zbuluar thesaret e dijes së krishterë, për të favorizuar dialogun ekumenik dhe ndërfetar, si dhe për t’i dhënë përgjigje problemeve që ngrihen në fushën kulturore”. Më tej, në fjalimin e tij Ati i Shenjtë Jozef Racinger kujtoi edhe Kushtetutën apostolike Sapientia Christiana (Dija e Krishterë), shpallur para 30 vjetësh nga Gjon Pali II me 15 pril 1979, duke ripohuar “urgjencën, akoma sot aktuale, të kapërcimit të ndarjes që ekziston ndërmjet fesë e kulturës, e duke ftuar në një impenjim përherë e më të madh të ungjillëzimit, me bindje të plotë se Dëftimit i krishterë është forcë shndërruese, që synon t’i përshkojë dhe brumojë mënyrat e të menduarit, kriteret e gjykimit, normat e veprimit”. “Ajo - theksoi Papa - është në gjendje t’i ndriçojë, pastrojë e ripërtërijë doket e njerëzve e kulturat e tyre dhe për këtë duhet të përbëjë pikën qendrore të mësimit e të kërkimit, si dhe të horizontit që ndriçon natyrën dhe qëllimin e çdo Fakulteti kishtar”. Duke folur për realitetin dhe ekzistencën e institucioneve akademike e universitare katolike, Papa Racinger kujtoi se “sot ka mbi 1300 Universitete katolike e afër 400 fakultete kishtare, të përhapura në të gjitha kontinentet, pjesa më e madhe e të cilave janë ndërtuar në dekadat e fundit, si dëshmi e vëmendjes gjithnjë e më të madhe që Kisha ka për formimin e njerëzve kishtarë e të laikëve në fushën e kulturës e të hulumtimit”. Benedikti XVI i nxiti të pranishmit “që përmes kërkimeve teologjike të arrijnë në një njohje sa më të thellë të së vërtetës së dëftuar”, duke inkurajuar “në të njëjtën kohë, kontaktet me fushat tjera të dijes, për një dialog të frytshëm, e me qëllim që ti ofrohet një kontribut i çmueshëm misioneve që Kisha është e thirrur t’i zhvillojë në botë”. Së fundmi, Papa përmendi rolin e pazëvendësueshëm që kanë Universitetet katolike e Fakultetet kishtare “në detyrën e rëndësishme të mësimit, të studimit e të hulumtimit në shërbim të Kishës e të mbarë shoqërisë”.
Problemet e botës dhe doktrina shoqërore e Kishës/Mbrojtja e familjes dhe e jetës në Amerikën Latine dhe në Europë; procesi i dialogut dhe liria fetare në Azi; sulmet kundër bashkësive të krishtera; zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe temat etike. Këto janë, ndër tjera, pikat kyçe që përmban raporti i parë mbi doktrinën e krishterë të Kishës nëpër botë, botuar sot me nismën e observatorit ndërkombëtar “Kardinali van Tuan”.
Raporti, - hartuar nën kujdesin e kryeipeshkvit Xhampaolo Krepaldi, ipeshkëv i Triestes dhe kryetar i observatorit, dhe nga drejtori Stefano Fontana, - analizon sistematikisht prodhimin, përhapjen, kërkimin dhe zbatimin në praktikë të mësimeve të Kishës nëpër botë për vitin 2008. Struktura e punës është mjaft e ndërlikuar. Pas paraqitjes, fillon analiza e magjisterit të Benediktit XVI, në formë qoftë të magjisterit të zakonshëm, qoftë të jashtëzakonshëm. Më tej raporti shqyrton gjendjen në të pesë kontinentet, duke i informuar lexuesit për ngjarjet politike, ekonomike dhe shoqërore, që lidhen drejtëpërsëdrejti me doktrinën shoqërore të Kishës. Ajo që bie në sy është shqyrtimi i imtësishëm i të ashtuquajturit “problem i vitit 2008”: kriza ushqimore, energjitike dhe financiare. Analiza përfundon me kronologjinë e ngjarjeve më kryesore nëpër botë. Ndër burimet kryesore që janë marrë si pika referimi është vetë siti internet i observatorit (www.vanthuanobservatory.org) i cili ditë për ditë kryen monitorimin e ngjarjeve nëpër botë. Për çdo kontinent dalin, pra, problematika të cilave kishat vendore duhet t’iu bëjnë ballë. Sulmi laicist mbi temat që kanë të bëjnë me jetën dhe familjen dalin në kapitujt që kanë të bëjnë, për shembull, me Amerikën Latine dhe Evropën.
Fokus - Gavril Dara i Riu, poeti arbëresh në përvjetorin e vdekjes/Pas Jeronim De Radës, Gavril Dara i Riu është poeti më i shquar arbëresh, i cili vdiq si sot me 19 nëntor të vitit 1885 në mjerim duke lënë gjashtë fëmijë ende të mitur. Bota e letrave shqipe sot pra përkujton përvjetorin e ndarjes nga jeta të patriotit arbëres , poetit, gazetarit, historianit dhe arkeologut Gavril Dara i Riu. Bir i Andrea Darës e nip i Gavril Darës "Plakut" - emra të shquar të një familjeje arbëreshe, që i dha shumë Rilindjes sonë Kombëtare, Gavril Dara (i Riu), lindi 182 vjet më parë, më 8 janar 1826, në fshatin sicilian Palac Adriano. Mësimet e para i kreu në seminarin italo-arbëresh të Palermos, fidanishte shqiptarësh të kulturuar e patriotë. Më pas vijoi studimet për drejtësi, duke ecur në gjurmët e traditës familjare. Iu desh ta ushtrojë profesionin në shumë qytete të italisë, ku u bashkua me garibaldinët, në luftë për pavarësinë dhe bashkimin e Italisë. Më 1871-74 drejtoi në Romë gazetën politike "La Riforma" të Frano Krispit, edhe ky arbëresh, shumë i njohur në politikën italiane të kohës dhe objekt i satirës së Atë Fishtës, i cili e sulmoi ashpër për qëndrimin negativ ndaj fateve të Atdheut të të parëve. Ndoshta prandaj, i zhgënjyer, Dara do të largohej shpejt nga drejtimi i gazetës e nga çdo veprimtari politike. Njeri me kulturë poliedrike, Gavril Dara i Riu u muar me poezi, drejtësi, filozofi e arkeologji. Hartoi një fjalor italisht-shqip e botoi vëllimin me vjersha titulluar "Disa poezi", ndërmjet të cilave "Himni i Garibaldit. Por kryevepra e tij mbetet poema epiko-lirike "Kënga e sprasme e Balës" që pasqyron epopenë e lavdishme 25 vjeçare të shqiptarëve të udhëhequr nga Gjergj Kastrioti në mbrojtje të lirisë dhe pavarësisë së Shqipërisë kundër zgjedhës osmane. Kjo është vepra e vetme në shqip që na ka arritur prej tij, "Kënga e sprasme e Balës" dhe është një ndër kryeveprat e letërsisë shqipe.
Dara i Riu vlerësohet si poet romantik, që mishëron të gjitha tiparet e Rilindjes Kombëtare. Vdiq në Girgjenti më 1889, ndërsa ishte tërhequr plotësisht nga jeta politike, duke iu kushtuar kryesisht arkeologjisë dhe gjuhës shqipe.