E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pagesë me orë dite e orë nate për ata që do të rrinë më gjatë nëpër çadra

Dilemë e fortë në radhët e edvinistëve për shkurtimin e protestës apo shtyrjen e saj në një kohë të pacaktuar, meqenëse nuk garantohet dot provokimi i rrëmujërave, siç kërkohet nga liderët komunistë. Çmimi i tubimit treditor po shtohet shumë, pasi protestuesit kërkojnë pagesën e tyre me orë, bile duke shtuar çmimin dyfish për orët e natës, pa garantuar se do të ofrojnë shërbime të tjera ekstra

Kampingu i çadrave ngjyrë pink në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga godina e kryeministrisë e deri tek Ura e Lanës, në përfundim të Piramidës, pritet të jetë i mbushur plot me surpriza. “Libri i Delinkuentëve” ka pretenduar një çmim të lartë që të bashkohet me aventurën e fundit politike të Edvinit, meqë ambicia e protestës është krejt jashtë kohe, pa ndonjë interes të veçantë për ndonjë grup shoqëror dhe me një risk të lartë për t’u përballur me strukturat shtetërore të sigurisë, prandaj edhe Edvini me të tjerët janë endur në kërkim të vullnetarëve me pagesë, rekrutëve të tjera nga ambiente speciale, si qendra rehabilitimi, kategori shoqërore margjinale, etj, apo edhe libër-pagave të biznesmenëve që militojnë në partinë ylberiste, në mënyrë që protesta treditore të mos dështojë. Fakti se strukturat që do të përgatisnin sherret nuk duken se po përgatiten si duhet, ka shtuar zërat që socialistët të heqin dorë nga ideja fillestare, të mbajnë vetëm një protestë simbolike treorëshe, ose edhe të shtyhet fare, për një kohë të papërcaktuar.
Ideja e shtyrjes së protestës gjithsesi duket me kosto të lartë politike për Ramën, Ruçin dhe xhaketat e tjera të vjetra të cilat kanë investuar shumë në mbijetesën e tyre politike, pikërisht nga kohëzgjatja e kësaj proteste, prandaj edhe zgjidhja pritet që të gjendet sot gjatë ditës, kryesisht në pehlivanllëqet që mund të shpiken me shpërndarjen e çadrave ngjyrë pink, apo edhe me shpërdorimin e ekraneve televizive, që kanë nisur ta ofrojnë kohën e tyre me pagesë, si të jetë një reklamë e thjeshtë.
Dëshpërimi për dështimin e paralajmëruar është lexuar mbrëmë në konferencën halucinante të shtypit, që Edi Rama ka mbajtur në orën 20 e 30, krejt pa objekt, me një ligjërim të paskrupullt, të cilin do t’ia kishte zili edhe një nxënës i shkollës 9-vjeçare, me natyrë agresive ndaj mësuesve, pa ndonjë provë për akuzat që broçkulliste si dhe me kërcënimet e pavenda se nga protesta e çadrave kishte për të lindur lëvizja e çadrave, fenomeni që do ta rrëzonte të djathtën dhe Ilir Metën nga pushteti.
Simbolika e çadrave u lidh mbrëmë me të drejtë me apelin humanist të ministrit të Shëndetësisë, i cili kërkoi që të shmangeshin sa të ishte e mundur grumbullimet, meqë ato mund të shndërroheshin në një burim për përhapjen e virusit AH1N1, por kjo s’e pengon median të hetojë për motivet që e shtyjnë Edvinin t’i paraqesë “zërat që i vijnë nga lart” si një linjë politike të opozitës, e cila do të kërkojë marrjen e pushtetit me dhunë. Edi Ramën e ka zënë dëshpërimi, ai s’po gjen dot një “exit-strategy”, e cila do të mund t’i garantojë një konsensus modest që e lë ende në pushtetin e opozitës, apo edhe i lë dorë të lirë shpërdorimi në pushtetin e bashkisë, prandaj edhe e ka lëshuar dorën dhe dje mbërriti sa të shpallte se do të kishte pagesë të diferencuar për kampistët dhe mendohet se do të privilegjohen dyfish ata që do të qendrojnë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” edhe natën. Rekrutët do të paguhen netëve, edhe për shërbime të tjera ekstra, kryesisht që do të kenë të bëjnë me nxitjen e sherreve dhe me tërheqjen e vëmendjes së mediave, por s’merret përsipër dëmshpërblimi i tyre nëse ata pësojnë ndonjë abuzim të mundshëm, që mund t’u vijë nga brenda kampingut, apo edhe për ndonjë infektim të mundshëm me virusin AH1N1, i njohur rëndom e padrejtësisht si “virusi i gripit të derrit”.
Alarmi është zyrtar, por nevoja e Edi Ramës për t’u faktorizuar e për të përfituar “exit-strategy”-në është krejt irracionale. Ekspertët e tij kanë refuzuar dje gjithë ditën që të publikojnë axhendën e protestës apo edhe të bashkëpunojnë me organet e Policisë, në mënyrë që të garantohet mbarëvajtja e saj, por janë marrë me fazën e rekrutimeve të sherrxhinjve dhe të hallexhinjve të tjerë, të cilët nuk e kuptojnë se i pret tre ditë bashkëjetesë në çadra pink, me një probabilitet të lartë sherresh e kokash turku.
Pagesa me orë e protestuesve është leximi paraprak i donkishotizmit të një tubimi politik që shkon kryekëput në kundërshtim me aspiratat kombëtare, por haxhiqamilizmi u shfaq mbrëmë në televizione me imazhin e Gramoz Ruçit, i cili kishte si referencë veç 1997. Nomenklatura komuniste ka të njëjtët njerëz, por 12 vjet më vonë, gjithçka ngjan më tej haxhiqamiliste, prandaj edhe gjasat për rrëmujëra do të ndodhin veç brenda çadrave ylberiste dhe jo në rrugët e shtëpitë e kryeqytetasve.

 
Pjesë nga deklarata në parlament e ministrit të brendshëm, Lulzim Basha

Basha: “Rama, fushatë për të keqinformuar BE-në lidhur me heqjen e vizave”

“Me lejoni te prek edhe nje element politik i cili padyshim shkakton tek une nje keqardhje te thelle si deputet i ketij Parlamenti, si minister i Brendshem drejtperdrejt i ngarkuar nga Kryeministri Berisha ne aspektin e liberalizmit te vizave dhe si qytetar shqiptar per perpjekjet e turpshme, te paimagjinueshme, por realisht te ndodhura ketu ne Tirane dhe ne Bruksel, te konfirmuara si te tilla nga zyrtare te Brukselit dhe diplomate europian te zotit Edi Rama dhe disa prej ndihmesve te tij per te penguar dhe lobuar kunder procesit te hejes se vizave per qytetaret shqiptare. Me pergjegjesine time te plote, si anëtar i këtij kabineti dhe si anëtar i ketij Parlamenti, ju informoj sot se keto perpjekje te parreshtuara te nisura prej me shume se dy muajsh kane pasur si instrument kryesor dizinformimin e partnereve tane europiane. Sa u përket treguesve kryesor te Shqiperise ne luften kunder krimit dhe korrupsionit, sa i perket treguesve kryesor te Shqiperise ne raport me objektivat kryesore, sic jane dokumentat e sigurta dhe rregjimi kufitar shqiptar dhe nepermjet dizinformimit te tyre kane pasur si qellim kryesor politik pengimin ose vonimin e procesit te liberalizimit te vizave, cka eshte komentuar gjeresisht nga interlokutoret e mi dhe te kolegeve te mi ne kabinet, si nje perpjekje e qarte per te vene ne funksion te axhendes se ngushte politike te zotit Rama nje qellim kaq madhor per çdo shqiptar siç eshte liberalizimi i vizave”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›