Benedikti XVI: Çelësi i fjalëve të Kishës - feja dhe shkenca
Feja e shkenca janë konsideruar gjithnjë si dy pole të kundërta. Nga njëra anë, Kisha kishte rezerva për shkencën, mjafton të kujtojmë rastin e Galileut; nga ana tjetër, shkenca e konsideronte teologjinë si një relike plot pluhur të së kaluarës. Natyrisht, të dyja këto realitete kanë metoda e rrugë të ndryshme, por në ditët e sotme, edhe me kontributin e Papës Benedikti XVI, po kërkojnë një dialog, që mund të sjellë fryte të ndërsjellta. Apo më mirë të themi se historia e njerëzimit, në një farë mënyre, po i detyron këto dy disiplina të ekuilibrohen ndërmjet tyre, pa lënë që njëra të zotërojë mbi tjetrën. A është i mundur ky bashkëpunim? Pikërisht për këtë do të flasim në emisionin e sotëm, duke shqyrtuar “marrëdhëniet ndërmjet fesë e shkencës”. Në vitin 1878, filozofi gjerman Niçe shkruante në librin e tij “Njerëzor, tepër njerëzor”: “Ndërmjet fesë dhe shkencës nuk ekzistojnë as lidhje gjaku, as miqësi, por as armiqësi: jetojnë në sfera të ndryshme”. I njëjti koncept është formuluar kohët e fundit nga shkencëtari amerikan Stephen J. Gould me anë të formulës së famshme “Non-Overlapping-Magisteria” (Noma), pra, rruga e dijes filozofiko-teologjike nuk ndërthuret me atë empiriko-shkencore, sepse këto dy universe mishërojnë dy nivele të ndryshme metodologjike, epistemologjike e gjuhësore. Pra, nuk janë në konflikt, sepse s’kanë të bëjnë aspak me njëra-tjetrën.
Ky dallim duhet ruajtur e mbrojtur, pasi shkenca u përkushtohet statistikave, fakteve, i përgjigjet pyetjes “si ndodhin gjërat”, ndërsa metafizika dhe feja u kushtohen vlerave, kuptimit të fundmë, “pse”-së së gjërave. Por a është kaq i prerë ndryshimi? Shkenca e teologjia kanë shkëmbyer shpesh detaje gjuhësore dhe skema interpretimi. Të dyja këto disiplina kanë si objekt njeriun, gjithësinë, ekzistencën. Prandaj, me të drejtë, studiuesi polak Mihal Heler, në esenë e tij “Fizika e re e teologjia e re” vëren: “ekzistojnë disa lloje pohimesh, që mund të transferohen nga fusha e shkencave eksperimentale në atë filozofike dhe anasjelltas, pa i përzierë nivelet”.
Madje, rezultati mund të jetë shumë i frytshëm: mjafton të mendojmë për kontributin që filozofia i ka dhënë shkencës për kategoritë e “kohës” e të “hapësirës”, në veçanti në kuadrin e teorisë së relativitetit. Gjithashtu, nuk ka pse të mos e konsiderojmë të ligjshme, përpjekjen për sintezë të këtyre dy disiplinave. Prandaj, kohët e fundit, përkrah “teorisë së dy niveleve” të cilën e përmendëm pak më parë, po bëhet gjithnjë e më e pranueshme “teoria e dialogut”. Kjo teori merr parasysh faktin se njohuritë e njeriut nuk janë vetëm racionale, eksperimentale ose logjiko-formale, por edhe simbolike, intuitive, estetike etj. Pra, siç thotë Papa Benedikti XVI në Enciklikën “Fides et Ratio”: “Feja dhe arsyeja janë si dy krahë, me të cilat shpirti njerëzor fluturon drejt kundrimit të së vërtetës”.
Për shekuj me radhë, feja ka pasur përparësi në veprimtarinë e njerëzve. Gjatë dy shekujve të fundit, ky primat i kaloi arsyes, por në fund të shekullit XX dhe në fillim të këtij shekulli, më shkencori, që ka njohur njerëzimi, vërehet rritja e ndjenjave fetare. Për herë të parë në histori, përparimi i shkencës shkon përkrah atij të fesë. Më shumë se në të kaluarën, po ngjitemi në shkallën e mistereve të fesë me mjetet e shkencës dhe të teknikës. Por për t’i kuptuar deri në fund, na duhet feja.
Në Shkrimin e Shenjtë lexojmë për njerëz, që u kthyen në muratorë për të ndërtuar një kullë të lartë sa një mal, për të arritur në qiell, sa më pranë Zotit. Hyji i shpëtoi (apo i dënoi, varet nga këndvështrimi) duke u dhuruar atyre mijëra gjuhë të ndryshme. Kështu, s’u morën më vesh me njëri-tjetrin, u shpërndanë dhe e braktisën projektin e kullës, që të gjithë e njohim si Kulla e Babelit. Mësuan se në qiell, tek Hyji, nuk mund të arrihet me skela e gurë e se për ta prekur sadopak misterin hyjnor është e nevojshme përvujtëria e frytshme e fesë. E pavarësisht se mjetet aktuale të shkencës janë më të fuqishme se ato të muratorëve të Shkrimit të Shenjtë e arrijnë më lart e më larg, përparimi ynë në krahasim me ta, shkon vetëm pak centimetra më tej. Prandaj, për të kuptuar qëllimin e fundëm të jetës, në këtë periferi të humbur të Gjithësisë, që është planeti ynë, feja e e arsyeja duhet të arrijnë të bashkëpunojnë.
Papa për vizitë në Poliklinikën “Gemelli”: pa dashuri, edhe shkenca e humb fisnikërinë e saj/Papa Benedikti XVI ishte sot paradite për vizitë në Poliklinikën “Gemelli” në Romë, për të festuar 50 vjetorin e themelimit të Fakultetit të Mjekësisë e të Kirurgjisë së Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit. Në fjalimin e tij para bashkësisë akademike, personelit shëndetësor dhe pacientëve, Papa theksoi se “shkenca e feja e ushqejnë reciprokisht njëra-tjetrën”. Për herë të pestë në këtë Poliklinikë, Ati i Shenjtë i falenderoi punonjësit për kujdesin që tregojnë ndaj të sëmurëve dhe reflektoi me pasion për kuptimin e punës kërkimore-shkencore e të mjekësisë në dritën e fesë. Çdo kurë mjekësore duhet të udhëhiqet nga dashuria, nënvizoi Benedikti XVI: “Pa dashuri, edhe shkenca e humb fisnikërinë e saj. Vetëm dashuria garanton humanitetin e punës kërkimore”. Papa vuri në dukje më pas, se teknologjitë e reja, vërtet e kanë shndërruar botën, por jo rrallë kanë pasoja shqetësuese. Njeriu i kohës sonë jeton shpesh i kushtëzuar nga relativizmi. I verbuar nga teknika, harron horizontin themelor, ku e çojnë pyetjet mbi kuptimin e jetës, harron përmasën transhendentale. Kështu, mendimi njerëzor dobësohet e madje, bëhet gjithnjë e më i dukshëm edhe një lloj varfërimi etik, që ngre mjegull mbi normat e vlerat e vërteta: “Mendësia kryesisht teknopraktike, shkakton një çekuilibër të rrezikshëm ndërmjet asaj, që është e mundur teknikisht dhe, asaj, që është moralisht e mirë, duke sjellë pasoja të paparashikueshme”.
Prandaj, pohoi Papa, duhet rizbuluar vlera dhe dinamizmi i trashendencës, duhet kërkuar Zoti: “Shkenca dhe feja e ushqejnë reciprokisht njëra-tjetrën, e kjo është gati një kërkesë që plotëson inteligjencën e realitetit. Por, për paradoks, vetë kultura pozitiviste, duke i përjashtuar pyetjet mbi Zotin nga debati shkencor, përcakton edhe zvetënimin e mendimit e dobësimin e aftësisë së inteligjencës së realitetit”.
Krishterimi, shpjegoi më pas Benedikti XVI, nuk e lë fenë mënjanë, nuk e lidh vetëm me sferën private, larg arsyes, por e interpreton realitetin duke u nisur nga Arsyeja Krijuese, nga Zoti, i cili u duk me gjithë dashurinë e vet, përmes Birit të Tij, Jezu Krishtit. Pikërisht, duke ecur në shtigjet e fesë, nënvizoi Papa, njeriu sheh të mirën e jetën edhe në vuajtje e në vdekje: “Kujdesi për ata që vuajnë bëhet atëherë, takim i përditshëm me Fytyrën e Krishtit, e përkushtimi i inteligjencës e i zemrës bëhet shenjë e mëshirës së Zotit e të fitores së Tij mbi vdekjen”.
Puna kërkimore-shkencore për të shëruar të sëmurët, për të gjetur ilaçe e kura të reja, ndriçohet nga teoritë shkencore, por edhe nga feja, vazhdoi Ati i Shenjtë. Vetëm kështu, ajo është në gjendje t’i kuptojë kufijtë e vet. Prandaj, Universiteti Katolik i Zemrës së Krishtit, sidomos Fakulteti i Mjekësisë duhet të jetë: “…vend në të cilin marrëdhëniet me të sëmurin për ta kuruar nuk bëjnë pjesë në zanatin e mjekut, por në misionin e tij; vend ku bamirësia e Samaritanit të Mirë është katedra e parë dhe fytyra e njeriut të vuajtur është vetë Fytyra e Krishtit”. Papa kujtoi marrëdhëniet e veçanta të Poliklinikës universitare “Gemelli” me Selinë e Shën Pjetrit, si rezultat i të cilave, kohët e fundit është ngritur edhe një Qendër e re e këtij Universiteti për jetën. Përmendi atë Agostino Gemellin, themeluesin e Fakultetit të Mjekësisë, për të cilin njeriu, me dobësinë e madhështinë e tij, duhet vendosur në qendër të vëmendjes. Ashtu siç bëhet me të sëmurët e shtruar në këtë spital të madh, në të cilët, përfundoi Benedikti XVI, pasqyrohet Fytyra e Krishtit të vuajtur.