E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tri mashtrime me turizmin dhe një sugjerim qytetar

Veleten Abazi

Bashkë me përpjekjet për zhvillimin e industrisë së turizmit,si një degë fitimprurëse dhe me interes,lindin si kërpudhat pas shiut në rrënjë të pemës agjenci turistike,që veprimtarinë e tyre e kanë ndërtuar vetëm mbi bazën e fitimeve pa skrupull,që si shushunja janë gati të pinë edhe gjakun e të vdekurve. Të tilla janë edhe dy shoqëritë Beam dhe Mar-Est me seli në Tiranë që kanë gënjeshtrën dhe mashtrimin në themel të fitimit.

Në një veprimtari të përbashkët të këtyre të dy shoqërive, zhvilluar prej datës 21 deri më 27 prill ja cilat janë tri mashtrimet kryesore: Së pari,për të tërhequr sa më shumë klientë e për të futur sa më tepër në rrjetën e tyre të merimangës kishin ndërtuar një program joshës dhe me çmime konkuruese. Për shtatë ditë do të vizitoheshin disa shtete dhe qytete të tilla si Beogradi,Budapesti, Vjena, Lubjana,Venecia, Spliti etj dhe një seri pikash turistike të këtyre qyteteve dhe shteteve përkatëse. Jo pak,por mbi 100 vetë ,shumica pensionistë që ndofta do ta kishin udhëtimin e fundit,nga dëshira për të parë diçka nga bota,vendosën të merrnin këtë rrugë,pa ditur se sa larg ishin ato nga njëra-tjetra.

Në praktikë,duke bërë çdo ditë mesatarisht 500-600 km rrugë,përveç lodhjes dhe mundimit,nuk kishte as kohë fizike për të parë sado pak. Kur mbërrije në qytet pas mesnate dhe duhet të niseshe në mëngjes që në orën 8,mundësitë për ta parë e për të vizituar ishin shumë të pakta .Turistët viktima nuk mundën të informoheshin më parë për rreth 4000 km rrugë për shtatë ditë. Kontrata u lidh midis dëshirave për fitim të pamerituar nga njëra anë dhe errësirës në informim nga ana tjetër.

Njëlloj si në famëkeqet piramida të vitit 1997. Së dyti,ishte premtuar se gjatë rrugës do të ishte me turistët edhe një ciceron,i cili do të shpjegonte dhe do të tregonte diçka nga vendet ku kalonim,por ai nuk u duk kurrkund. Justifikimi ishte shumë fyes:Për ciceronin – shoqërues nuk kishte vend në autobus !!!Vetëm për kaq e vlerësonin agjencitë rolin e ciceronit. Pas kërkesave dhe protestave të pjesëmarrësve, një punonjës i këtyre agjencive u ngarkua që të bënte edhe rolin e ciceronit. Por edhe ai foli vetëm tri herë:

1. Këtu është një fshat turistik,po nuk ia di emrin.
2. Në Vienë,në hotelin X kanë fjetur edhe Ibrahim Rugova dhe Sali Berisha.
3. Prapa këtij mali është qyteti i Triestes.

Vetëm kaq u dëgjua zëri i 100 turistëve. Vetëm për këto informacione paskëshin pas nevojë, apo kaq ishte vlerësimi dhe njohja e organizatorëve për kulturën turistike!? Së treti, ndodhur përpara protestave të pjesëmarrësve,organizatorët disa herë u detyruan të bënin disa andrrime në program, por edhe ato nuk u realizuan,premtimet e darkës zhdukeshin së bashku me errësirën e natës. Në mëngjes duhet të prisnim me orë të tëra para autobusëve, derisa tu dilte gjumi organizatorëve, orë që mund të shikonim diçka,mund të kryhej një vizitë, apo mund të bënin një foto për kujtim.

Për një organizim të keq, pa asnjë përpjekje praktike për një turizëm të kulturuar, organizatorët ia hidhnin fajin njëri-tjetrit dhe grindeshin për ndarjen e fitimeve. Së fundi,edhe një sugjerim qytetar:Çdo njeri që del jashtë vendit përpiqet të tregojë personalitetin e tij,por njëherazi,me ose pa dashje bëhet edhe zëdhënës  e mishërues i tipareve të vendit të tij. Në këtë grup turistik kishte jo pak raste që ,veçanërisht në hotel dhe në restorant,paraqiteshin dukuri të mungesës së kulturës dhe të dinjitetit,njerëz të babëzitur,biseda me zë të lartë, padurim përpara sporteleve,etj. Duke i vënë njollë edhe vendit në opinionin jashtë. Ndaj bëj thirrje të gjithë atyre që e marrin një rrugë të tillë që të mendojnë se jashtë shtetit nuk janë më thjesht vetja,por edhe mishërim i tipareve të  popullit dhe të atdheut të tyre.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›