Tkurrja e konsumit apo tkurrja e të ardhurave
Oltion Rrumbullaku
Ka do kohë që qeverisja dhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë (BSH) shprehin një shqetësim të përbashkët për një shkak të veçantë që sjell frenimin ekonomik të Shqipërisë. Të dyja palët, thuajse solidarë në veprime dhe po kaq solidarë në hedhjen e fajit, shohin tek populli shkakun e mosrritjes ekonomike. Sipas tyre, konsumi i pakësuar i Shqiptarëve qenkërkish shkaku i mosrritjes ekonomike dhe po ashtu shqiptarët duhet të nxitojnë të konsumojnë edhe kursimet e tyre të ruajtura për ditët më të prapme që ekonomia të dalë nga bataku i krizës.
Të dhënat e fundit nga Ministria e Financave dhe BSH tregojnë që edhe tremujori i parë i vitit 2012 nisi i mbrapshtë. Të ardhurat fiskale janë me një rritje të papërfillshme ndaj një viti më parë, që nuk mbulon as inflacionin apo rritjen e mbivlerësuar ekonomike të INSTAT-it. Po këto dy aktorë po bëjnë çmos të fajin ta hedhin tek konsumatori vendas që nuk konsumon më shumë, e që nuk taksohet më shumë dhe nuk rritet prodhimi i brendshëm bruto. Po çfarë ndodh realisht tek të dhënat zyrtare të BSH dhe pse individët nuk janë fajtorë? Të ardhurat fiskale në Shqipëri mblidhen kryesisht nga konsumi.
Konsumi varet nga importet dhe nga prodhimi vendas që arrin të shkojë në treg. Atë që individët nuk e konsumojnë, do të thotë që e kursejnë. Ajo që tenton të thotë Qeverisja dhe BSH është që individët po kursejnë më shumë dhe nuk po konsumojnë. Nëse shohim publikimin e fundit të Bankës së Shqipërisë për muajin shkurt 2012 (Raporti Statistikor Shkurt 2012) duhet të shqyrtojmë me kujdes në 6 muajt e fundit. Nëse gjatë 2009 dhe 2010 shqiptarët kanë rritur kursimet e tyre në banka me një mesatare prej 16%, këto 6 muajt e fundit, rritja është thjesht pasojë e interesave që paguajnë bankat dhe inflacionit, duke mos tejkaluar dot këto të dyja. Për 6 muaj paratë e shqiptarëve në banka janë rritur në nivelin e ulët prej 2.4%, krejt ndryshe nga çdo periudhë e mëparshme.
Pra, shqiptarët nuk kursejnë më shumë dhe është e qartë se po konsumojnë më pak. Kjo ndodh vetëm për faktin e thjeshtë se po fitojnë më pak të ardhura. Ka më pak të ardhura nga punësimi, me një papunësi të përhapur kudo dhe sakaq në të gjithë vendin nuk ka shtim të punëtorëve të rinj që mund të sjellin të ardhura shtesë. Po ashtu biznesi i vogël dhe i mesëm ka fitime më të tkurrura dhe frenon konsumin dhe kursimin. Familjet shqiptare marrim më pak para nga emigracioni dhe kjo reflektohet në këto tregues. Edhe të ardhurat nga bizneset e jashtëligjshme nuk frenojnë dot këtë prirje të bllokimit të të ardhurave. Në fund mund të thuhet me bindje, shqiptarët nuk po konsumojnë më shumë, sepse skanë çtë konsumojnë në të ardhurat e pakta që marrin në këtë ekonomi të prapësuar. Kjo është e qartë për popullin dhe smund ta fshehë qeveria dhe Banka e Shqipërisë.