Benedikti XVI kërkon në Lindjen e Mesme që të shpëtohen fëmijët nga ekstremizmi fetar
Në ditën e parafundit të vizitës në Lindjen e Mesme, Ati i Shenjtë ka takuar liderët fetarë, të cilëve u ka bërë thirrje për moderim, ndërkohë që në meshën e Nazaretit u ka bërë thirrje besimtarëve t’u qëndrojnë besnikë Krishtit e të mos largohen nga trojet e tyre
Protagonistja e aktiviteteve të pasdites të Papës Benedikti XVI ishte Shenjtërorja e Lajmërimit të Zojës (apo e Zojës Nunciatë) në Nazaret, ku ndodhet shpella-shtëpi e Familjes Shenjte. Ajo përbëhet nga dy kisha të mbivendosura. Bazilika e Poshtme, në stilin e një kripte, është ajo që përmban shpellën dhe elterin françeskan të ‘600 me shkrimin: “Verbum caro hic factum est”. Bazilika e Epërme i është kushtuar nderimit të Zojës, Nënës së Zotit. Këtu Papa u takua me krerët fetarë të Galilesë, vizitoi Shpellën e Zojës Nunciatë dhe kremtoi Mbrëmësoret me ipeshkvijtë, meshtarët, rregulltarët e përfaqësues të tjerë të Kishës Katolike në Galile. “Ajo që ndodhi këtu në Nazaret – tha Benedikti XVI në Lutjet Mbrëmësore, aktiviteti i fundit i ditës së sotme – larg nga sytë e botës, ka qenë një akt unik i Zotit, një ndërhyrje e fuqishme në histori, përmes së cilës, një fëmijë u zu për t’i sjellë shpëtimin botës mbarë... Kur Zoti ynë Jezu Krisht u zu për vepër të Shpirtit Shenjt në karharorin e Virgjërës Mari, Hyji u bashkua me njerëzimin, duke hyrë në një marrëdhënie të përhershme e të re me ne e duke përuruar Krijimin e ri… Mari tha: “U bëftë mbi mua si është fjala jote”. E Fjala e Zotit u bë njeri”. Në këtë vend, që kujton Besëlidhjen e Re të Hyjit me njerëzimin, engjëllin që i sjell lajmin Marisë se do të lindte Krishtin, mbështjellë me misterin e ndërhyrjes së Zotit në histori, Papa foli për shpresë e guxim, duke iu referuar edhe këngës Magnificat, në të cilën u thuret lavd punëve të mëdha, që Zoti bëri me Shën Marinë. U tha të krishterëve, pakicë në këto troje, të kenë besim në planin e Hyjit, por të qëndrojnë edhe të bashkuar, për t’i sjellë Krishtin botës, e për të përhapur mesazhin e tij të paqes: “Kini guximin t’i qëndroni besnikë Krishtit dhe të mbeteni në tokën që Ai e ka shenjtëruar me praninë e vet!... Për këtë, është thelbësore që të jeni të bashkuar, që Kisha në Tokën Shenjte të njihet qartë si “shenjë e mjet i bashkimit me Zotin dhe i unitetit të krejt farës njerëzore”.
Para se të lutej sëbashku me vëllezërit e tij në fe, Benedikti XVI bëri një vizitë në Shpellën-shtëpi të Familjes Shenjte, vend që na jep shpresën e sigurinë se Zoti do të vazhdojë të veprojë në histori, për të arritur ndoshta objektiva, që u duken të pamundura llogarive njerëzore. E do ta bëjë gjithnjë, pa u imponuar, siç e shpjegoi Papa në Mbrëmësoret e sotme, por duke pritur “po”-në tonë, ashtu siç priti “po”-në e Marisë. Benedikti XVI dhuroi një llambë kushtore prej argjendi, e realizuar me tri engjëj, tri stema të Atit të Shenjtë, me nënshkrimin Ave Maria, të përsëritur tri herë.
Papa në takimin me krerët fetarë: Të shpëtohen fëmijët nga fanatizmi e dhuna/Shenjtërorja e Zojës Nunciatë në Nazaret ishte skena e takimit me krerët e feve në Galile, në orët e para të pasdites. Benedikti XVI deshi t’u tregojë bashkësive hebraike, myslimane, druze, ortodokse e të tjerëve, mirënjohjen e tij për pritjen që i rezervuan e vlerësimin për nxitjen e kulturës së paqes. Ati i Shenjtë falenderoi veçanërisht druzët, të cilët patën marrë pjesë në varrimin e Gjon Palit II. Inkurajoi besimtarët e të gjitha feve të pranishme në Galile të vazhdojnë bashkëpunimin për zgjidhjen e problemeve dhe për arritjen e paqes e të respektimit të të drejtave të njeriut. Të krishterët, sqaroi Papa, ndajnë me traditat e tjera fetare bindjen se paqja është dhuratë e Zotit, por ajo nuk mund të realizohet pa impenjimin e njeriut: “Paqja e qëndrueshme vjen nga pranimi se bota, në fund të fundit, nuk është pronë e jona, por horizonti, brenda të cilit jemi të ftuar të marrim pjesë në dashurinë e Zotit dhe të bashkëpunojmë për ta udhëhequr botën e historinë në frymën e Tij”. Si të paralajmëronte fjalimet e mëpasme të krerëve fetarë të pranishëm, të cilët theksuan nevojën e largimit nga ato rryma, që përhapin farën e urrejtjes ndërmjet feve, Papa iu referua, edhe pse jo drejtpërdrejtë, terrorizmit, që në këto anë gjen ithtarë. Vuri në dukje se Galilea është tokë e njohur për praninë e shumë etnive e feve, është atdheu i një populli që e di se ç’do të thotë përpjekje për të jetuar në harmoni. Por thelbi i çdo feje, mësimi që ato u përçojnë brezave të ardhshme, është paqja: “Duke formuar zemrat e të rinjve, ne i japim trajtë të ardhmes së vetë njerëzimit. Të krishterët bashkohen me dëshirë me hebrenjtë, myslimanët, druzët e personat e feve të tjera për t’i ruajtur fëmijët nga fanatizmi e dhuna, ndërsa i përgatisin të jenë ndërtuesit e një bote më të mirë”. Me kujdes të madh, Benedikti XVI iu referua aspiratës për të ulur tensionet në vendet e kultit të Tokës Shenjte. Gjithashtu, u kërkoi krerëve fetarë të kontribuojnë në përmirësimin e shoqërisë e të jetës publike të vendit të tyre, duke u siguruar bashkëpunimin e plotë të Kishës Katolike.
Papa takohet me Netanjahun: flitet për procesin e paqes dhe marrëveshjen Seli e Shenjtë-Izrael/Dje pasdite, kryeministri izraelit, Beniamin Netaniahu ishte në Nazaret, ku i bëri një vizitë Papës në kuvendin e lashtë të françeskanëve. Bisedimet u zhvilluan në një sallë të kuvendit, ku më 1799 pati banuar Napoleon Bonaparti. Vizita zgjati 15 minuta. Në qendër të bisedimeve – pohon zëdhënësi i Vatikanit, Atë Federiko Lombardi – ishin sidomos temat e procesit të paqes në Lindjen e Mesme dhe rrugët që duhen ndjekur për ta përshpejtuar. U fol edhe për temat e marrëveshjes ekonomiko-financiare ndërmjet Izraelit e Selisë së Shenjtë, duke u ndaluar në disa nga problemet më konkrete, ndërmjet të cilave, ajo e vizave për rregulltarët katolikë që shërbejnë në Izrael. Menjëherë pas takimit privat të Papës me kryeministrin, u takuan edhe të dy delegacionet - ai i Izraelit, i përbërë nga gjashtë personalitete, e ai i Vatikanit, i kryesuar nga sekretari i Shtetit, kardinali Tarçizio Bertone, i përbërë nga zëvendës-sekretari për çështjet e përgjithshme, Fernando Filoni; nga nunci i Izraelit, Antonio Franko dhe nga një sekretar. Kryeministri i Izraelit, Beniamin Netaniahu lindi në vitin 1949 në Tel Aviv. Pas përfundimit të studimeve të mesme në SHBA, u rikthye në Izrael në vitin 1967 për të kryer shërbimin ushtarak në radhët e forcave speciale. I diplomuar në arkitekturë dhe në ekonomi, pas një periudhe pune private, më 1982 nisi të kryejë shërbime diplomatike e qeveritare, u vu në krye të partisë opozitare Likud, u zgjodh kryeministër (1996-99), pastaj përsëri kryetar i Likudit e, së fundi, kryeministër, më 31 mars 2009. Është i martuar me zonjën Sara e ka tre fëmijë.
Sot, në ditën e fundit të udhëtimit të Papës Benedikti XVI, ai do ta çojë në Jeruzalem. Gjatë paradites, Ati i Shenjtë do të ketë një takim ekumenik në Patriarkatin greko-ortodoks e do të bëjë një vizitë në Bazilikën e Varrit të Shenjtë të Krishtit, vend ku, siç pati thënë para disa ditësh kardinal Karlo Maria Martini në mikrofonin e Radio Vatikanit, përmblidhet ç’ka negative në këtë botë e shëlbohet. Pas vizitës në Kishën Patriarkale Armene Apostolike të Jeruzalemit, Papa do të niset nga aeroporti Ben Gurion i Tel Avivit, ku edhe do të përshëndetet me autoritetet, për t’u kthyer në Vatikan.