E Diel, 1 Nëntor 2026

Benedikti XVI në Jordani: Të ndalet manipulimi ideologjik i fesë

Dy ditët e para të turit të Atit të Shenjtë në Lindjen e Mesme kanë shkuar më mirë sesa prisnin analistët. Benedikti XVI u ka bërë apel krerëve myslimanë të Jordanisë që dashuria e arsyeja të vendosen në themel të feve, duke sjellë kështu liri fetare dhe më shumë liri kulti

Benedikti XVI e përfundoi paraditen e ditës së dytë në Jordani me vizitën në muzeun Hashemit e në Xhaminë Al-Hussein Bin Talal të Amanit. Në mjediset pranë vendit të kultit, u takua me prijësit fetarë, me Trupin Diplomatik dhe rektorët e Universiteteve jordaneze. Ati i Shenjtë nënvizoi në mënyrë të posaçme kontributin pozitiv të feve në shoqëri, por shprehu edhe shqetësimin që ngjall përpjekja e disave për ta shuar zërin e të tjerëve e për ta zëvendësuar me të vetin. Foli për manipulimin ideologjik të fesë me qëllime politike, duke ripohuar me forcë lidhjen e pazgjidhshme ndërmjet dashurisë për Hyjin e dashurisë për të afërmin e, prej këndej, dënoi çdo përpjekje të ushtrimit të dhunës në emër të Zotit. Më pas Benedikti XVI vlerësoi lart arsyen njerëzore, dhuratë e Hyjit, kur i bën ballë tundimit për t’i kapëcyer kufijtë e saj. Arsyeja – nënvizoi Papa – e shtyn vazhdimisht mendjen njerëzore të shikojë përtej vetvetes, në kërkim të Absolutit. Theksoi, pastaj, edhe universalitetin e të drejtave të njeriut, që kanë të njëjtën vlerë për çdo burrë e çdo grua, pa asnjë dallim shoqëror e etnik dhe pohoi se e drejta e lirisë fetare nuk duhet parë thjeshtë si çështje kulti por, posaçërisht për pakicat, si e drejtë për të dhënë kontributin në të gjitha fushat e jetës civile. Së fundi, bëri thirrje të fuqishme për paqen në Irak, sepse të krishterët kanë të drejtë të plotë të jetojnë paqësisht në këto troje. Prekëse, thirrja përfundimtare, me një humanitet të thellë: “Të dashur miq, besoj se ndjenjat që shpreha sot, ngjallin një shpresë të re për të ardhmen. Dashuria e detyra ndaj të Gjithëpushtetshmit nuk shprehen vetëm në kult, por edhe në dashurinë e në shqetësimin për fëmijët e të rinjtë – për familjet tuaja – e për të gjithë nënshtetasit e Jordanisë. Për ta dërsini çdo ditë e për ta përpiqeni që institucionet, ligjet e funksionet e shoqërisë të kenë për zemër të mirën e çdo njeriu. Uroj që arsyeja, e fisnikëruar dhe e përunjur nga madhështia e vërtetësia e Zotit, të jetë në bazë të jetës dhe të institucioneve të këtij Kombi, që familjet të lulëzojnë e të gjithë të jetojnë në paqe, duke dhënë ndihmesën e tyre e duke shfrytëzuar kulturën që e bashkon këtë Mbretëri të madhe!”. Në përfundim të takimit Papa dhuroi kuadrin ‘Pëllumbat tek burimi”, realizuar me teknikën e mozaikut, sipas origjinalit, që ndodhet në Mauzoleun e Gala Placidës në një ndërtesë të shekullit V pas Krishtit, në Ravenë. Vepra është realizuar nga Studioja vatikanase e Mozaikëve gjatë muajve shkurt-mars 2009 me zmalt shumëngjyrësh e tipe të ndryshme ari, të aplikuara mbi një bazë metalike.
Në Universitetin katolik të Madabasë - Feja shpërfytyrohet kur detyrohet t’i shërbejë padijes/Veprimtaria e dytë e paradites së djeshme të Papës në Jordani, ishte bekimi i gurit të parë të Universitetit të Patriarkatit Latin të Madabasë. Besimi në Zotin – tha Benedikti XVI - nuk e pengon kërkimin e së vërtetës; përkundrazi, e inkurajon. Por nuk duhet harruar se edhe feja, ashtu si shkenca e teknologjia, si filozofia e si çdo formë tjetër e kërkimit të së vërtetës, mund të zvetënohet. Feja shpërfytyrohet, kur detyrohet t’i shërbejë padijes e paragjykimit, përbuzjes, dhunës e shpërdorimit. E këtu nuk shohim vetëm zvetënimin e fesë, por edhe të lirisë njerëzore, e jo më pak, edhe kufizimin e mjegullimin e mendjes. Natyrisht, një rezultat i tillë nuk është i pashmangshëm: Inkurajoj posaçërisht studentët e krishterë të Jordanisë e të zonave fqinje, dhe u kujtoj se janë të thirrur për të ndërtuar një shoqëri të drejtë e paqësore, të përbërë nga njerëz me fe e etni të ndryshme. Lutem që të mund të shikoni një brezni të kualifikuar burrash e grash, si kristianë e myslimanë, ashtu edhe të feve të tjera, të aftë për të zënë vend të denjë në shoqëri, me zotësi profesionale, njohës të mirë të fushës ku punojnë, të pajisur me vlerat e dijes, të ndershmërisë, të tolerancës e të paqes”.
Papa vizitoi dje edhe Memorialin e Moisiut mbi Malin Nebo/Dita e dytë e Papës në Jordani filloi me vizitën në Bazilikën e lashtë të Memorialit të Moisiut mbi Malin Nebo. Tradita e lashtë e shtegtimit në viset e shenjta – theksoi Papa – na kujton lidhjen e pazgjidhshme të Kishës me popullin hebre. Që nga fillimet e veta, Kisha në këto troje ka përkujtuar gjithnjë figurat e Besëlidhjes së Vjetër, si shenjë e vlerësimit të thellë për unitetin e dy Besëlidhjeve”. Ati i Shenjtë uroi, në vijim, që ky takim kaq domethënës në majën e një mali, prej nga shihen viset më të rëndësishme të dy Besëlidhjeve, të thellojë dashurinë për Shkrimin Shenjt, dëshirën për të kapërcyer çdo pengesë, që i kundërvihet pajtimit ndërmjet të krishterëve e hebrenjve, respektin reciprok e bashkëpunimin, në shërbim të paqes, për të cilën fjala e Zotit i thërret të dyja palët.
Dita e dytë mbyllet me ritet katolike gjatë Lutjeve Mbrëmësore në Aman/Dita e dytë e vizitës së Papës Benedikti XVI në Tokën Shenjte - dje në Jordani - përfundoi me kremtimin e Mbrëmësoreve me meshtarët, rregulltarët e rregulltaret, seminaristët dhe përfaqësuesit e Lëvizjeve të ndryshme kishtare në Katedralen greko-melkite të Amanit. Një lutje në praninë e përfaqësuesve të riteve të ndryshme katolike, që Ati i Shenjtë i falenderoi për impenjimin e tyre të jashtëzakonshëm në një tokë ku janë thjesht një pakicë fetare: “Kishat e veçanta brenda Kishës universale – tha Papa Racinger – dëshmojnë për dinamizmin e rrugës së saj tokësore dhe nxjerrin në pah për të gjithë besimtarët thesarin e traditave shpirtërore, liturgjike dhe kishtare, që tregojnë mirësinë universale të Zotit e vullnetin e Tij, të shfaqur në krejt historinë, për t’i tërhequr të gjithë brenda jetës së tij hyjnore”. Papa kujtoi se këto bashkësi të krishtera, edhe pse sot janë pakicë, i kanë rrënjët e lashta. Pjesa më e madhe ka lidhje me Patriarkatin e Antiokisë e pikërisht në Antioki, dymijë vjet më parë, dishepujt e Krishtit u thirrën të krishterë për herë të parë: “Ju shumëfishoni jehonën e shpalljes së parë të Ungjillit, gjallëroni kujtimet e lashta të veprave të Hyjit, bëni të pranishme hiret e tij të shëlbimit e përhapni sërish rrezen e parë të dritës së Pashkëve dhe dridhjen e flakëve të Rrëshajve”. Duke përdorur Psalmin 103, të parin e Lutjeve të sotme Mbrëmësore, Ati i Shenjtë shpjegoi se si puna e përditshme e bashkësive të krishtera është t’i largohen së keqes për të kërkuar të vërtetën e Hyjit e për t’u rrethuar me forcën e tij. Pikërisht ky psalm, tha Papa, na kërkon që të jemi vigjilentë, të vetëdijshëm se forcat e errësirës veprojnë në botë. Hapi i parë për t’u çliruar nga kjo errësirë është Pagëzimi, për të marrë pjesë pastaj për gjithë jetën në lëvizjen dinamike nga vdekja në jetë, nga errësira në dritë, nga dëshpërimi në shpresë, lëvizje e përjetuar çdo Pashkë. Është kjo, vazhdoi Ati i Shenjtë, që na siguron se Kisha mbetet e re: “Ajo jeton, sepse Krishti është i gjallë, me të vërtetë u ngjall. E përtërirë nga prania e Shpirtit Shenjt, ajo ecën përpara çdo ditë duke i çuar burrat e gratë tek Hyji i gjallë”. Veprat e bamirësisë janë gjithashtu hapa të rëndësishme, që e shkëpusin besimtarin e Kishën nga darët e errësirës dhe e udhëheqin drejt jetës, drejt Zotit që na jep jetën me begati. Papa vërejti se Kisha katolike e këtyre anëve punon për të gjithë popullin jordanez, edhe për myslimanët e besimtarët e feve të tjera, si edhe për një numër të madh refugjatësh që ndodhen në Mbretërinë hashemite. Është shpresa, që shkon përtej kufijve të bashkësive të krishtera: “Kjo karakterizon të gjitha veprimtaritë tuaja apostolike – u tha Benedikti XVI të pranishmëve në katedralen greko-melkite të Shën Gjergjit në Aman – shumëllojshmëria dhe cilësia e të cilave vlerësohen shumë. Nga kopshtet e fëmijëve te shkollat e mesme, nga jetimoret te shtëpitë për të moshuarit, nga puna me refugjatët te akademia e muzikës, nga klinikat mjekësore dhe spitalet te dialogu ndërfetar dhe iniciativat kulturore, prania juaj në shoqëri është shenjë e mrekullueshme e shpresës, që na cilëson si të krishterë”. Kjo shpresë ndihmon prindërit në edukimin e fëmijëve, para një shoqërie që ndjen pasojat negative të industrisë së argëtimit, e cila, pa shumë probleme, shfrytëzon pafajësinë dhe brishtësinë e zemrës së re. E Papa përfundoi me fjalë inkurajimi edhe për ata që përgatiten për meshtarë e për jetën rregulltare: “Të udhëhequr nga drita e Krishtit të ringjallur, të përflakur nga shpresa e Tij e të veshur nga e vërteta e dashuria e Tij, dëshmia juaj do të sjellë bekime të shumta për ata që do të takoni rrugës. Në fakt, kjo gjë vlen edhe për të gjithë të rinjtë jordanezë: mos kini frikë të jepni kontributin tuaj të urtë, të matur e plot respekt në jetën publike të mbretërisë. Zëri autentik i fesë gjithnjë do të sjellë bashkim, drejtësi, mirëkuptim e paqe!”.
Marrë nga Radio Vatikani

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›