E Diel, 1 Nëntor 2026

Bengasi: Në '85-ën u betuam që familja Popaj të ngrysej në ambasadën italiane

Ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Shqiptare, Dilaver Bengasi, vijon rrëfimin e tij për situatat më të nxehta që ka kaluar Shqipëria e Ramiz Alisë, kur nën këmbët e saj po rrëshqiste pushteti komunist. Momentet e pabesueshme kur në orën 11.00 të 12 dhjetorit të '85-ës çanë rrethimin e ambasadës italiane, 6 vëllezër e motra të familjes së njohur Popa. Deklaratat shokuese të Hekuran Isait, kur u betua se Popajt nuk do të dilnin as të vdekur nga ambasada, pasi dhe në rast të tillë, ata do të detyroheshin të varroseshin poshtë krevatit të ambasadorit italian.
Masat drastike të marra nga Drejtori i Përgjithshëm, Bengasi, për të kaluar ambasadën italiane, nën një gjerdan të papërshkueshëm të policisë shqiptare. Çfarë ndodhte me makinat diplomatike të ambasadës, të cilat, gjatë lëvizjes në kryeqytetin shqiptar, Dilaver Bengasi i vinte nën survejimin dhe shoqërim të jashtëzakonshëm të eskortave tepër sekrete. Ngjarjet spektakolare që shoqëruan situatat e ambasadave në ditët e para të vitit '90, kur Popajt e famshëm u lejuan me avionin e posaçëm, të fluturonin për në kryeqytetin italian. Këto dhe të tjera, lexuesi ynë do t'i ndjeki, pikërisht në intervistën e mëposhtme të vetë zotit Dilaver Bengasi.

(Vijon nga numri i kaluar)

Zoti Dilaver. Veçse keni qenë kryehetues i Tiranës, juve, siç po shikojmë CV-në tuaj, që prej janarit të vitit 1985, pra kur ishte akoma gjallë Enver Hoxha, dhe deri në ndryshimet politike në Shqipëri, keni qenë Drejtor i Përgjithshëm i Policisë Shqiptare. Dihet tashmë se në atë periudhë, policia shqiptare ka kaluar momente të jashtëzakonshme, që shoqëruan gjithë situatën e vendit në procesin e ndryshimit të sistemit. Ndërsa, më keni folur në fillim të kësaj interviste kur kemi qenë në bisedë të lirë, se gjithçka që ndodhi në ambasada, e ka zanafillën në situatën e krijuar të familjes Popa, e konsideruar në dosjet tuaja "Precedenti Popa". Si ka ndodhur në të vërtetën e saktë ajo ngjarje, e parë me sytë e njeriut të shtetit të atëhershëm?
Ishte afërsisht ora 11.00 e datës 12 dhjetor të vitit 1985, kur gjashtë shtetas shqiptarë, të cilët ishin katër gra dhe dy burra, të gjithë motra dhe vëllezër të fisit Popaj, depërtuan pengesën rrethuese të ambasadës italiane dhe hynë brenda saj. Lajmi për një veprim të tillë tronditi Shqipërinë komuniste, e cila ishte në ditët e para të funksionimit pa liderin e saj historik, Enver Hoxhën, që kishte vetëm 9 muaj që kishte vdekur. Shteti shqiptar, për problemin e ambasadave ka qenë shumë i ndjeshëm, jo aq për këtë fenomen të papritur ku u ndodh, por kryesisht për të ruajtur sigurinë dhe qetësinë e tyre, sipas të drejtës së tyre ndërkombëtare. Kështu që, kryesisht për ruajtjen e ambasadave merreshin masa shumë të forta.
Pra, po thoni se me mendësinë e atëhershme ajo ishte ngjarje shumë e rëndë?
Ju thashë se ajo ngjarje ndodhi vetëm pak kohë pas vdekjes së Enver Hoxhës dhe se një veprim i tillë në atë kohë konsiderohej si një sfidë për pushtetin që pasonte Ramiz Alia. Kemi parasysh se Enver Hoxha njihej në popull si udhëheqës shpirtëror dhe kështu besonte dhe udhëheqja e lartë. Por një veprim i tillë siç ishte ajo e familjes Popaj, ishte më shumë se një sfidë për shtetin komunist.
Pse thoni se ishte më shumë se një sfidë?
Se paralelisht me cenimin e rëndë të sistemit njëpartiak komunist, ajo ngjarje po shpaloste në sytë e popullit ndërkohë edhe kredibilitetin e rënë të shtetit, i cili nga propaganda zyrtare po paraqitej më shumë se monolit, i fuqishëm, dhe mbi të gjitha po propagandohej me shumë merak dhe vëmendje, se qeveria shqiptare ishte në një simpati dhe kredibilitet të jashtëzakonshëm ndërkombëtar.
Mendoj se ju kam kuptuar në lidhje me pikën e fundit sa më folët, por gjithsesi doja një sqarim më të plotë të kësaj enigme që u krijua në populli me hyrjen e familjes Popa. Pra, ju e keni fjalën se u kuptua që qeveria shqiptare nuk përfillesh nga qeveritë fqinje?
Pikërisht ajo u mësua, dhe jo vetëm nga populli, por shokoi krejt administratën e lartë shtetërore, e cila jetonte me efektin euforik të propagandës zyrtare. Për t'jua bërë më të qartë si mendim, po ju them se në bazë të së drejtës dhe detyrimeve ndërkombëtare, qeveria italiane duhej t'i dorëzonte menjëherë njerëzit që u futën rrëmbyeshëm në ambasadën e tyre. Policia shqiptare që merrej me ruajtjen dhe sigurinë e ambasadës, i kërkoi ambasadorit italian të asaj kohe, që të përzinte njerëzit e futur brenda saj në mënyrën e paligjshme. Por ata, jo vetëm që nuk e bënë një gjë të tillë, por mbaj mend se kur ndodhi incidenti dhe Popajt përfunduan brenda mureve, ambasadori ka dalë me urgjencë dhe i ka marrë në mbrojtje, duke i futur në ambientet e brendshme të selisë së tij.
Ju besonit se do t'i dorëzonte?
Patjetër që me njohurit që kishim në lidhje me funksionimin e selive të ambasadave të huaja në vendin tonë, kishte dhe një ligj e rregull, që, ata ishin në një marrëveshje të përhershme me ne në lidhje me sigurinë dhe shërbimin e tyre. Kështu, nuk besonim se do të vijonte deri aty puna. Pra, me një fjalë, ne zyrtarët e lartë por jo politikanë, kuptuam se shteti komunist nuk respektohej dhe nuk vlerësohej nga qeveritë të cilat deri në atë ditë ishin propaganduar si qeveri të vendeve të fqinjësisë së mirë. Mirëpo ky veprim, që ambasada nuk po i dorëzonte njerëzit e futur në mënyrë të tillë në selinë e tyre, tregonte se qeveria e tyre po përpiqej me çdo kusht dhe çdo mënyrë për të diskredituar dhe për të dëmtuar imazhin e qeverisë shqiptare në sy të opinionit të brendshëm. Kjo ishte diçka e panjohur deri më atëherë, pasi dështimet e politikës së jashtme në shumë raste mbeteshin shumë sekret. Pra, kjo ishte e gjitha. Në këtë pikë, nga nomenklatura e lartë u morën të gjitha masat për të rivendosur autoritetin e duhur të shtetit, që në ato momente duhej më shumë se kurrë.
E çfarë u bë?
Dihej që masat do të ishin më shumë se drastike, pasi në studimin e brendshëm apo analizën e menjëhershme që u bë menjëherë pas ngjarjes, nuk u pa situata në aspektin që unë po jua tregoj, por në faktin se ajo ngjarje e vuri Sigurimin e Shtetit dhe sidomos organet e rendit, nën një akuzë të madhe për punë të dobët të tyre. Kjo punë e dobët u kritikua si në drejtim të mungesës së informacionit, ashtu dhe në drejtim të mungesës së vigjilencës për parandalimin e hyrjes së tyre në ambasadë.
Kush ka qenë komunikata shtetërore e kohës, për këtë ngjarje?
Komunikata shtetërore ka dalë jo afër, por plot 10 ditë mbrapa ngjarjes, dhe pikërisht më 22 dhjetor të atij viti pra 1985-ës. Ndër të tjera, në të thuhej: Gjashtë shtetas që u futën në ambasadë janë kompromentuar me veprimtari antishtetërore në shërbim të shtetit të huaj. Askush të mos mendojë se në këtë drejtim të "largimit nga Shqipëria" do të bëhen lëshime.
Në njoftimin në fjalë thuhej gjithashtu, se njëri prej të gjashtëve ka qenë i burgosur për veprimtari antishtetërore dhe se babai i tyre, Moisi Popa, ka qenë kolaboracionist me pushtuesit italianë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
"Ky veprim, - deklarohej më tej, - përbën një ndërhyrje të palejueshme në Punët e Brendshme të Shqipërisë dhe një cenim në sovranitetin e tij kombëtar…".
Nuk e di çfarë reagimi zyrtar ka pasur nga shteti italian, pas këtyre protestave të qeverisë shqiptare?
Në fund të vitit, kryeministri i atëhershëm i Italisë, Kraksi, deklaroi se kanë filluar bisedimet me palën shqiptare për fatin e gjashtë shtetasve që kanë hyrë në ambasadë dhe që dëshironin të kalonin në shtetin italian, por ai, më shumë theksin e vuri të fakti që rrethimi dhe supermasat e sigurisë të marra nga shteti shqiptar, nuk lejonin mundësinë e kushteve të favorshme të punës së personalit të ambasadës.
Pra, ju morët masa të fuqishme në drejtim të sigurisë së saj?
Nuk diskutohej. Kemi parasysh, që diskreditimi i shtetit përballë opinionit të brendshëm ishte shumë i rëndë, i cili kundërveproi me bisedime intensive, që ata të dorëzoheshin te ne. Por, kur qeveria italiane bëri të kundërtën, zyrtarët tanë të lartë dhe vetë ministri i Brendshëm i asaj kohe, Hekuran Isai, i cili ndërkohë ishte dhe Anëtar i Byrosë Politike dhe Sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës, deklaroi në plenumin e Komitetit të Partisë së Tiranës qëndrimin e prerë, se "Popajt nuk duhet të ikin nga ambasada italiane. Edhe po të vdesin, do të varrosen nën krevatin e ambasadorit".
Them se më shumë kjo deklaratë duhet të ketë qenë një retorikë për të paralajmëruar të tjerët që do të hynin, apo gabohem?
Njëra anë është ajo që ju thoni, por që të bindej në thëniet e tij, detyrimisht shteti do të vepronte me të gjithë arsenalin e vet të mundshëm. Kështu që, nga momenti që Popajt u futën në ambasadë, ata janë vënë në vëzhgim të jashtëzakonshëm. Dhe ky vëzhgim i rreptë ndaj tyre, ka vijuar pa u ndërprerë për plot pesë vjet, kur në muajin maj të vitit 1990, ata u lejuan të iknin me avion të ardhur posaçërisht nga Italia. Ishin forca të shumta policie, për të cilat urdhërova që të viheshin absolutisht në dispozicion të sigurimit të ambasadës të cilësuar më problematike, e ndodhur aty ku sot është ambasada amerikane. Ambasada atëherë është bërë gardh me policë. Në çdo dy metra ka qenë një polic. Po ashtu, kishim gjetur mënyrat e sofistikuara dhe kishim arritur të vinim nën një survejim ekstrem edhe ambientet e brendshme të ambasadës.
Në rast se personeli i ambasadës dilte në Tiranë, sigurisht ka qenë në survejim!?
Nuk diskutohet. Kur ne kishim marrë masa aq sa kishim angazhuar gjithë atë personel të madh në numër që të mbanin në survejim të rreptë godinën e ambasadës, ku në një turn kanë qenë më shumë se 70 vendroje të palëvizshme, që do të thotë se ishin më shumë se 70 policë në një turn, nuk diskutohet se kishim dhe një ekip të sprovuar dhe tepër të fshehtë që survejonte çdo makinë dhe çdo anëtar të personelit kudo që shkonte, qoftë në këmbë dhe qoftë me makinë. Ka pasur makina të gatshme që rrinin në dispozicion jashtë ambasadës, që sa herë dilte ndonjë makinë diplomatike, makina jonë bënte shoqërimin e saj në mënyrë legale. Por, veç asaj që ishte legale, ishin edhe të tjera të shërbimit të fshehtë që ishin ilegale. Kjo gjë vazhdoi jo pak, por siç të thashë, që nga dhjetori i vitit 1985 deri në majin e vitit 1990 kur ata u lejuan të iknin.
Nuk e di zoti Bengasi, kaq shumë ta shqetësonte shtetin e asaj kohe futja në ambasadë e 6 qytetarëve, që të bënte një sforcim dhe harxhim të kësaj natyre?
Nuk flitet për faktin e emrave konkretë të gjashtë personave, por ishte momenti që shteti donte të tregonte se nuk mund të toleronte. Shteti mbahej në këmbë, duke treguar se kishte energji dhe struktura që të mos lejonte lëshime. Në rast se do të tolerohej largimi i tyre, po të them se ambasadat do të bëheshin problematike që në vitin 1985 apo 1986, por jo, kjo gjë ndodhi vetëm në vitin 1990. Madje edhe kur filluan tamam problemet në ambasada, ku qytetarët arrinin të çanin dhe muret e tyre siç bënë në ambasadën greke ku goditën murin rrethues me autobus, ndodhi vetëm kur panë se u lejua familja Popaj. Ndërsa në rastin që familja Popaj po mbahej nën një survejim dhe ambasada ishte vënë nën një terror të asaj shkalle të sigurimit dhe policisë sonë, qytetarëve as që u shkonte në mendje që të largoheshin, madje as t'u afroheshin mureve të ambasadave të huaja dhe jo më të mendonin të hynin brenda. Pra, që të më kuptosh në sqarimin tim, askush nuk e kishte konkretisht problemin te një familje, por gjithçka ishte se bëhej rutinë dhe ishin informacionet e fshehta, se, po të fillonte anarshia do të ndodhte ajo që nuk pritej. Ashtu ndodhi në të vërtetë, siç ju thashë, pikërisht pas muajit maj kur u largua familja Popaj. Pra, ngjarjet e ambasadave kanë ndodhur pikërisht më 2 korrik, por duhet të dini se, nga muaji maj që ikën Popajt dhe shteti tregoi se u ul këmbëkryq dhe se me lejimin e tyre anuloi të gjitha deklaratat që kishte bërë, deri në 2 korrik, kanë ndodhur shumë episode të papëlqyeshme, madje njerëzit po përplaseshin me policinë pa problem, deri dhe në provokime ndaj saj.
Po pse u lejuan atëherë?
Vëllezërit Popa kanë ikur saktësisht pas ardhjes së sekretarit të shtetit amerikan Perez De Kuelari, i cili pas ardhjes në Shqipëri, bëri që këtu të ndryshonin shumë gjëra. Pra, ardhja e tij më 11 maj të vitit 1990 ndikoi kryesisht në mjaft ndryshime politike dhe këto u manifestuan në ndryshimin e madh të qëndrimit me perëndimin, që do të thoshte shumë.
Pra, ndryshoi qëndrim Ramiz Alia?
Patjetër, se në deklaratat e tij si kryetar shteti, vihej re qëndrimi zyrtar i shtetit. Pikërisht pas kësaj kanë filluar deklaratat për familjen Popaj, të cilat binin të gjitha ndesh me sa ishte thënë dhe sa ishte bërë deri atëherë. Tashmë nuk dilnin më liderët e shtetit siç doli Hekuran Isai dikur dhe tha se 'edhe të vdekur nuk do të lejoheshin, por do të varroseshin poshtë krevatit të ambasadorit', por tashmë ishte shtypi zyrtar ai që bënte thirrje për reagim të familjes.
Çfarë thirrjeje?
Nëpërmjet shtypit, bëhej thirrje që familja Popa mund të bënte kërkesë pranë organeve përkatëse shqiptare për t'u pajisur me pasaportë dhe të largoheshin nga Shqipëria normalisht. Kjo kërkesë u përsërit në mënyra dhe mundësi të ndryshme, deri sa në fund ashtu dhe u veprua.
Pra, familja Popa iku me-gjithëse ishte folur dhe vepruar ndryshe?
Pikërisht hyrja e familjes Popa në ambasadë, tregoi se shteti ishte në situatë të vështirë politike, pasi para 6 qytetarëve, shtetit italian i interesoi të ftohte fare marrëdhëniet me Shqipërinë. Pastaj, kur u lejuan të iknin në Itali, tregoi se shteti ishte krejtësisht në gjunjë, gjë që nuk linte më asnjë mëdyshje se ishim përballë një sfide të jashtëzakonshme, atë të ndryshimeve të mëdha që mund të na çonin kur të doje në një gjakderdhje të paimagjinueshme. Këtë e ndjeja më shumë unë si Drejtor i Përgjithshëm i policisë së asaj kohe, që është koha më e zjarrtë e Shqipërisë do të thoja. Dhe kemi parasysh, se policia ishte e para që ishte përballë njerëzve që morën hov.
Si iku familja Popa?
Në muajin maj, kur asaj iu bënë pasaportat, erdhi nga Roma një avion i posaçëm italian, vetëm për të marrë ata. Kur ikën nga ambasada, si kishin ndenjur plot pesë vjet brenda mureve të saj, ata u shoqëruan nga diplomatë të rëndësisë së veçantë deri në avion, i cili gjithashtu konsiderohej diplomatik dhe nuk ishte me pasagjerë që të kishte mundësi të hynte policia apo sigurimi i fshehtë. Që të kuptosh saktësisht filozofinë italiane, ajo ishte në shërbim të rrënimit të shtetit komunist. Ata bënë dhe arritën ta ulnin shtetin e Ramiz Alisë deri sa u tërhoq nga të gjitha deklaratat. Tani, me shoqërimin e familjes deri në destinacion, donin t'u jepnin kurajo elementëve të guximshëm që të fillonin kundërveprimin se do t'ia arrinin. Dhe sulmi mbi ambasada do të vinte vetëm kur shqiptarët të shikonin se Popajt arritën në Itali shëndoshë e mirë. Pas kësaj, në të vërtetë filluan incidentet e paimagjinueshme dhe tepër të guximshme për kohën, madje të panjohura deri atëherë. Jo vetëm kaq, por incidentet filluan dhe shtoheshin përditë. Si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë, kam qenë në situatën më të vështirë që mund të ndodhet ndonjë zyrtar ndonjëherë, pasi isha para të papriturave që do të më ndodhnin çdo çast. Policia ishte përballë skenave të paprecedenta të elementëve më të guximshëm, madje edhe më të papërgjegjshëm, të cilët instruktoheshin nga shërbimet e huaja.
Pse duhej të hynin shërbimet sekrete në këtë mesele, kur me sa shikojmë shteti komunist ishte në rënie, madje për të mos thënë se kishte ngritur flamurin e bardhë?
Sepse që ta dish mirë, ata kanë qenë të interesuar që këtu të plaste luftë civile. Kanë qenë të interesuar dhe unë do të ta vërtetoj me fakte, se zbulimet e huaja kanë dashur që këtu të derdhej gjak shqiptari dhe për këtë bënë të pamundurën që të grumbullonin turmat dhe t'i përplasnin me policinë, e cila ishte e armatosur deri në dhëmbë. Por falë profesionalizmit të policisë dhe gjakftohtësisë sonë, arritëm që të kalonin atë situatë ku vdekja dhe jeta i ndanin shumë pak nga njëra-tjetra.
E provoni dot këtë?
Patjetër, se i kam të faktuara. Diplomatët e huaj, që nuk ishin gjë tjetër veçse njerëz të zbulimit, bënë të pamundurën që të krijoheshin grumbullime njerëzish para ambasadave dhe i favorizonin ata që kalonin nga muret. Derisa të vinte 2 korriku i famshëm, ata lejuan shumë incidente sporadike për t'iu dhënë krahë shqiptarëve që kërkonin të mbijetonin. Këtë e them me bindje, edhe për faktin se, ndërsa shteti u bënte thirrje që të regjistroheshin njerëzit dhe ata t'i pajisnin me viza dhe të iknin si njerëz, ata nuk pranonin të jepnin viza apo të lejonin marrëveshje që të iknin ashtu si duhej. Ndërsa, kur kishte çarje muresh dhe synime për të kaluar mbi hekura, ata i lejonin dhe i stimulonin. Prandaj edhe ndodhi ajo dyndje e madhe dhe e menjëhershme. Unë mund t'ju deklaroj me përgjegjësi, se na kanë ndarë punë çastesh nga përplasja me popullin, i cili kishte arritur të organizohej nga këta lloj zbuluesish që të përmenda në një turmë prej qindra për të mos thënë mijëra vetësh, dhe po vinin me shpejtësi drejt ambasadës gjermane ku para saj isha unë vetë si Drejtor i Policisë. Në rast se unë nuk do të kisha shkrepur pistoletën në ajër, situata do të dilte nga kontrolli. Vetëm fati na ndihmoi. Pra, që t'i vë kokë bisedës, po të them se të huajt që nuk linin të vinin si njerëz sepse nuk mundësonin me viza, lejonin vetëm me mënyra të tilla sepse siç të thashë, donin të derdhnin gjak shqiptari. Gjithkujt mund t'i duket absurde kjo që po të them, por unë do t'ju tregoj me fakte dhe me ngjarje të sakta, që i kam kapur zbuluesit e huaj në ambiente ku instruktonin. Do t'ju flas në numrat e ardhshëm, për shumë ngjarje dhe fakte të panjohura ndonjëherë.
Thatë se, pas ikjes në muajin maj të familjes Popa, pati shumë precedentë të paimagjinuar më parë, të cilët i paraprinë ngjarjeve të mëdha të 2 korrikut?
Po të tregoj për shembull për ambasadën greke, në të cilën që nga data 4 mars 1990 deri në orën 21.00 të datës 2 korrik 1990, kishin hyrë me kërcime nga muri, nga dera apo duke sulmuar me mjete transporti, dhjetëra e dhjetëra shtetas.
Vlen për t'u theksuar për shembull, rasti i datës 20 qershor 1990, kur dy djem të rinj me një autobus që e drejtonte njëri prej tyre, hynë me shpejtësi në ambasadë duke dëmtuar murin rrethues. Ky rast u përhap gojë më gojë në Tiranë. Hyrja në ambasada në atë kohë konsiderohej si heroizëm dhe u bë masiv vlerësimi për ata që thyenin rregullat, muret dhe shanin e fyenin policinë. Këtu, është ajo që të thashë, se vetëm me një polici profesionale dhe me kuadro të kthjellët që u dhimbset vërtet jeta e popullit, arrin të shmangësh vdekjet që në këtë rast mund të ndodhnin në çdo çast, se provokimet ishin të shumta dhe tepër provokative dhe ekstreme.
(Vijon nesër)
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›