Benitez: Liverpuli, më e mira e Evropës në pesë vitet e fundit
Rafa Benitez mendon se triumfet e fundit me Realin e Madridit dhe Mançester Junajted, si dhe ecuria rekord në Ligën e Kampioneve, konfirmojnë se Liverpuli është skuadra më e mirë në Evropë. Trajneri spanjoll nuk u trembet titujve kampionë në Angli, trofeut të Champions-it dhe atij të Botërorit për Klube, që janë shfaqur me krenari në dhomën e trofeve të "Djajve të Kuq". Në skuadrën e Sër Aleks Ferguson luan edhe Kristiano Ronaldo, "Lojtari i Vitit 2008" dhe fitues i të gjitha çmimeve individuale, por kjo nuk e ndaloi Liverpulin të fitonte 4-1 të shtunën në "Olld Traford". Pas këtij triumfi, Benitez duket gjithmonë e më i bindur se ekipi që ai drejton është "më i miri në kontinent". Edhe pse ishin në disavantazh, "Reds" përmbysën rezultatin falë golave të Fernando Torres, Stiven Xherard, Fabio Aurelios dhe Andrea Dosenas. Një fitore që pasoi goleadën 4-0 ndaj Realit, ku po të mos ishte portieri Iker Kasiljas, rezultati do të kishte qenë edhe më i thellë. Ecuria e Liverpulit në aktivitetin prestigjioz për klube është mbresëlënës: dy finale të luajtura në Ligën e Kampioneve në pesë vitet e fundit, duke fituar një herë trofeun (klubi e ka fituar pesë herë në total). Për këto paraqitje, Benitez mendon se skuadra e tij dhe jo ajo e Ferguson meriton të cilësohet më e mira mes "big"-ëve. Për tabloidin "The Sun", ai deklaroi: "Besoj se Liverpuli ka qenë skuadra më e mirë në Evropë në këto pesë vitet e fundit. Brenda një jave kemi mposhtur Realin e Madridit dhe Mançester Junajted. Nëse fiton me dy ekipe të këtij kalibri, atëherë nuk i trembesh asnjë kundërshtari tjetër".
Kapiteni Stiven Xherard shpreson që edhe skuadrat e tjera të kenë nxjerrë mësime nga mënyra sesi Liverpuli theu Mançesterin. 28-vjeçari tha: "Do të kemi nevojë edhe për pak fat deri në fund të kampionatit. Ende nuk jemi dorëzuar në luftën për titull. Gjithsesi, shpresojmë që dhe skuadrat e tjera të luajnë kundër Mançesterit, me bindjen se ekipi i Ferguson nuk është i pamposhtur".