E Diel, 1 Nëntor 2026

Joan Laporta: Barcelona, skuadra për t‘u mposhtur

Presidenti Joan Laporta beson se Barcelona duhet të mendojë vetëm për ecurinë e saj, pasi të besuarit e Pep Guardiolës kryesojnë kampionatin dhe janë skuadra për t‘u mposhtur në Spanjë. Kreu i klubit "blaugrana" u shpreh i kënaqur për fitoren në fushën e Almerias dhe shpjegoi se nën presion ndjehen vetëm ekipet ndjekëse. Katalanët ruajtën diferencën me gjashtë pikë nga Reali i vendit të dytë, falë dy golave të talentit Bojan Krkiç. "Me gjithë respektin që kam për të gjitha skuadrat me të cilat kemi luajtur deri më tani, mendoj se duhet të mendojmë vetëm për veten tonë", deklaroi Laporta. "Barça ndodhet në krye dhe në këto momente është skuadra që të gjithë po mundohen të arrijnë. Duhet të vazhdojmë të luajmë me të njëjtën dëshirë dhe impenjim, ashtu siç kemi bërë deri më tani. Diferenca nga ndjekësit më të afërt është e konsiderueshme, por titulli nuk mund të quhet ende i sigurt. Duhet të vazhdojmë të fitojmë pikë. Jam i lumtur që të gjithë kanë shansin të luajnë dhe ekipi fiton".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›