E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA: Goditjet që rrezikojnë Maqedoninë

Zgjedhjet presidenciale dhe lokale të ardhshme (22 mars) në Maqedoni, nëse nuk do t‘iu përgjigjen standardeve demokratike ndërkombëtare, do të përbëjnë një goditje serioze për të ardhmen e vendit dhe ajo që është më e rëndësishme, do të jenë një goditje për qytetarët e tij. Kështu shprehet, midis të tjerash, ambasadori amerikan në Shkup, Filip Riker, gjatë intervistës për gazetën e përditshme kryesore në gjuhën maqedonase, "Utrinski Vesnik".

Pasi mbaruat misionin tuaj të mëparshëm në Shkup, në fund të viteve ‘90, ju u larguat nga Maqedonia dhe tani keni ardhur përsëri, kësaj here në postin e ambasadorit amerikan, pas plot 12 vjetësh. A konstatoni po atë optimizëm që mbizotëronte këtu, në ato vite, kur shteti i ri po merrte formë?

Unë vazhdoj ta konsideroj shtetin tuaj si një të tillë që ka një potencial të madh dhe, për kënaqësinë time të madhe, më caktuan përsëri në Maqedoni. Kur më emëruan si ambasador në Maqedoni, u entuziazmova se po kthehem në vendin tuaj, sepse, përgjithësisht ta them, kisha kujtime të mira nga Maqedonia. Gjithnjë kam qenë i interesuar për këtë vend, sepse mendoj se ai ka një potencial të madh. Gjatë qëndrimit tim të parë këtu, në vitet 1997-1999, Maqedonia kaloi përmes një periudhe shumë të vështirë. Koha para 10 vjetësh ishte me të vërtetë mjaft e vështirë, nëse keni parasysh se vendi ndodhej përballë sfidave të tilla si Kosova, problemet ekonomike, vështirësitë politike. Por, është fakt se shumëllojshmëria dhe karakteri multietnik i vendit tuaj, me të vërtetë, përbëjnë atë që i japin forcën më të madhe këtij vendi, njëlloj si edhe në SHBA. Dhe, në qoftë se ju, si vend, do të arrini të shfrytëzoni forcën që rrjedh nga kjo shumëllojshmëri, në qoftë se do të respektoni trashëgiminë dhe energjinë që dispononi, sidomos midis brezave të rinj dhe do të shihni drejt së ardhmes, mendoj se kjo e ardhme do të jetë më e mirë. Kjo është konsiderata ime që kam përftuar, qëkur jam kthyer këtu, para gjashtë muajsh. Përpiqem që ta shoh këtë vend me shumë optimizëm.

Mendoni se grupet politike, pjesa më e madhe e opinionit publik dhe e mediave mund të konsiderojnë, ashtu sikurse thatë edhe ju, se shumëllojshmëria etnike është forca jonë? Shumë prej tyre mendojnë se pikërisht ajo përbën dobësinë tonë?

Por, unë prandaj jam këtu, që t‘ua transmetoj këtë mesazh. Ndonjëherë, është diçka e mirë, kur dikush nga jashtë vjen dhe propozon një perspektivë tjetër. Është shumë e lehtë në çfarëdolloj shoqërie dhe shteti, ashtu sikurse thuhet edhe në fjalën e urtë popullore se nga larg edhe mund të mos e shohësh pyllin, por kur je brenda tij (pyllit), e sheh sa i bukur është ai. Njerëzit edhe mund të bëjnë pyetjen se përse SHBA-ja është, ndoshta, një nga përkrahëset më të mëdha të këtij shteti që nga pavarësia e tij, për sa i përket mbështetjes diplomatike, ndihmës, financimit për qëllimet e zhvillimit dhe miqësisë që i ofron. Përgjigjja është se ne shohim këtu shumë karakteristika të shtetit tonë, të një shteti që është shumë i pavarur, lufton e përpiqet dhe ndërkohë, ka një potencial mjaft të madh, për shkak të shumëllojshmërisë, dhe pikërisht kjo duhet të konsiderohet forcë.

Ne jemi një vend i vogël, nuk jemi Amerika?

Në vendet e vogla kjo është edhe më e lehtë. Ka shumë shtete të vogla që mund të merren si shembuj vendesh të suksesshme. Sipas një fjale të urtë popullore, Ballkani ka më shumë histori se sa mund të mbajë. Por, megjithatë, mendoj se historia u duhet t‘u lihet historianëve dhe se duhet të shihet drejt shekullit të 21-të, i cili ka se çfarë të ofrojë dhe të tregojë se si funksionon bota në këtë shekull.

Në fillim të pavarësisë së shtetit tonë, shoqëria maqedonase, në atë kohë, mbështetej më shumë te roli i ambasadorëve. A mendoni se na duhet ende mbështetja e ambasadorëve që të ecim përpara, që të bëjmë hapa drejt demokracisë së vërtetë në Maqedoni?

Mendoj se bazat e demokracisë janë këtu. Zgjedhjet e ardhshme do të jenë një provë për këtë. Kjo është një nga arsyet se përse bashkësia ndërkombëtare vë në dukje se të gjithë duhet të jenë të ndërgjegjshëm se sa të rëndësishme janë këto zgjedhje për të ardhmen e Maqedonisë. Përgjegjësi mbajnë të gjithë, megjithëse ajo, në mënyrë të veçantë, bie mbi udhëheqjen dhe institucionet e Maqedonisë. Angazhimi i bashkësisë ndërkombëtare në këtë drejtim nuk ndodh vetëm në rastin e Maqedonisë, pasi ai ka të bëjë edhe me shtetet e vogla, edhe me shtetet e mëdha; ky angazhim vlen për të gjitha shtetet.

A mendoni se fushata paraelektorale, deri tani, po zhvillohet mirë?

Kam konstatuar shumë shenja pozitive dhe së shpejti do të kemi mundësinë të shohim edhe raportin e ODIHR-it e të OSBE-së. Sidoqoftë, ekziston një shqetësim i vogël, pasi thuhet se ka njerëz, sikurse na thonë disa individë, që ndjehen se ndodhen përballë presionit lidhur me vendet e tyre të punës, se ushtrohet presion, sidomos, ndaj atyre njerëzve që punojnë në institucionet publike, se për kë duhet të votojnë. Në rast zgjedhjesh, kjo është e papranueshme. Për këtë arsye, unë e kolegët e mi dhe bashkësia ndërkombëtare e vëmë theksin te Kodi i Sjelljes që promovoi Instituti Demokratik Kombëtar, ndërkohë që të gjitha partitë politikë (36) në Maqedoni e nënshkruan atë.

Vitin e kaluar, para zgjedhjeve parlamentare, të gjithë, përfshirë edhe SHBA-në e BE-në, vunë në dukje se ato zgjedhje ishin vendimtare për vendin dhe nuk duhet të lejohej që ato të dështonin. Por, Maqedonia, megjithatë, "ra në provim" në ato zgjedhje. Përse, Maqedonia përsërit gabimet?

Që ta shpjegoj këtë, edhe unë do të doja të bëja pyetjen se përse ndodh kjo? Ajo që kam parë deri tani, lidhur me zgjedhjet e ardhshme, më lejon të them se Maqedonia, si shtet, i ka korrigjuar gabimet serioze të zgjedhjeve parlamentare që u zhvilluan në qershor të vitit të kaluar. Megjithatë, ka ende hapësirë për përmirësime të mëtejshme. Tani, organet përkatëse nuk po merren me korrigjimin e listave elektorale, por ato kanë një përgjegjësi më të madhe që të garantojnë se nuk do të ketë më raste mashtrimi lidhur me këto lista elektorale, të cilat, siç duket, kanë disa mangësi për sa i përket numrit të njerëzve pjesëmarrës në zgjedhje. Parimi është një njeri - një votë. Megjithatë, ky proces duhet të realizohet me korrektësi. Në qendrat e votimit nuk duhet të ketë njerëz të tjerë, veç zgjedhësve, përfaqësuesve të komisioneve zgjedhore lokale dhe vëzhguesve zyrtarë që duhet të kenë shenja dalluese të qarta, dhe askush tjetër. Askush nuk duhet t‘u flasë dhe të ndërhyjë te zgjedhësit. Gjëra të tilla, kemi konstatuar, me sytë tanë, në zgjedhjet e qershorit të vitit të kaluar. Dhe gjëra të tilla nuk duhet të përsëritën më. Duhet ta theksoj, në mënyrë të qartë, se përsëritja e atyre dukurive negative që ndodhën në qershor të vitit të kaluar, do të përbënte një goditje serioze për të ardhmen e Maqedonisë e aspiratat e saj të integrimit evropian dhe ajo që është më e rëndësishme, do të përbënte një goditje serioze për qytetarët e Maqedonisë që presin dhe e meritojnë të jetojnë në shekullin e 21-të.

Në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut kishte kritika lidhur me qëndrimin e qeverisë ndaj disa mediave në Maqedoni. A i lejohet cilësdo qoftë qeveri që të ndërhyjë në një mënyrë të tillë në lirinë e shprehjes?

Mendoj se ka konsistencë në raporte të tilla që do të thotë se ato duhet të merren seriozisht. Media e lirë ka një rëndësi kritike për demokracinë. Për këtë nuk ka dyshim në asnjë vend, as në Maqedoni dhe as në SHBA. Qeveria nuk mund të ndërhyjë në veprimtarinë e saj (medias) të rëndësishme. Kritika nga ana e medias është diçka, me të cilën duhet të përballohet çdo qeveri dhe lider. Në drejtim të Presidentit Barak Obama, media bëri kritika, sapo ai mori funksionin. Në shumë raste, kritikat nga ana e mediumeve mund të ndihmojnë qeveritë dhe liderët që të korrigjojnë gabimet dhe të verifikojnë politikat që ndjekin e zbatojnë, me qëllim që të mundë t‘i përmirësojnë politikat e veta. Por, kjo ka të bëjë me kapacitetet e liderit (liderëve), që t‘i marrë në konsideratë kritikat dhe të vendosë nëse duhet t‘i pranojë ose jo këto kritika dhe të bëjë ose jo ndryshime të caktuara mbi bazën e interpretimit të vetë liderit që përfaqëson qytetarët.

Kriza ekonomike po shtrihet në botë ashtu si një cunami. Çdo vend, natyrisht, përpiqet të mbrojë dhe të shpëtojë interesat e veta. A ka mundësi një vend i vogël, sikurse është Maqedonia, të mund të shpresojë te ndihma dhe investimet, p.sh. të ekonomisë amerikane dhe të ekonomive të tjera të mëdha, që të arrijë ta kapërcejë këtë krizë?

Do të desha të bëj një vërejtje të vogël lidhur me atë pjesë të hipotezave në pyetjen tuaj, kur thoni se çdo vend reagon veçmas ndaj krizës. Në shekullin e 21-të, në mënyrën se si funksionon bota, në mënyrën se si funksionon ekonomia globale, të gjithë ne jemi të përfshirë në marrëdhënie të gërshetuara dhe kjo është një e vërtetë e madhe në rastin e SHBA-së. Ekonomia jonë është mjaft e varur nga pjesët e tjera të ekonomisë globale dhe, natyrisht, ekonomia globale, si një e tërë, dhe ekonomitë e vendeve të veçanta varen nga ekonomia e SHBA-së. Pra, kjo do të thotë se ne duhet të ndërmarrim hapa të koordinuar. Së shpejti, në Londër, do të mbahet samiti i vendeve të G-20-ës, ku do të marrë pjesë edhe Presidenti Obama dhe pritet që vëmendja atje të përqendrohet, pikërisht te koordinimi i këtyre hapave.

Për këtë arsye, mendoj, se Maqedonia, definitivisht, mund të presë ndihmë dhe investime nga ekonomitë e tjera, në varësi të vendimeve që do të marrë vetë ky vend. Bota është një vend ku sundon konkurrenca. Një sistem gjyqësor i pavarur, tek i cili mund të mbështetesh, është një aspekt mjaft i rëndësishëm për tërheqjen e investimeve të huaja. Kapaciteti i mundësisë së blerjes dhe të shitjes së tokës, gjithashtu, është një faktor i rëndësishëm, për më tepër që mund të sjellë investitorë eventualë amerikanë. Sigurisht, rëndësi shumë të madhe ka kontinuiteti i politikës nga njëra qeveri te tjetra. Kam mbaruar shkollë biznesi, jam magjistër në fushën e biznes-administrimit dhe, kështu, gjithnjë e kam pasur të qartë, sidomos atë pjesë që ka të bëjë me investimet e huaja, se nuk kanë shumë rëndësi vetë rregullat e caktuara se sa ajo që rregullat të mos ndryshojnë.. Pra, kjo do të thotë se duhet të ruhet kontinuiteti i sistemit juridik, që investitorët të jenë të sigurt se marrëveshjet e arritura do të respektohen dhe sistemi gjyqësor do t‘i mbrojë të drejtat e investitorëve, se trajtimi i tyre nuk do të ndryshojë mbas ndryshimit të qeverisë. Kompanitë e mira gjithnjë kërkojnë mundësi; ato shohin përtej krizës. Maqedonia është një mundësi për to, pasi ajo është një vend, ku ka konkurrencë. Shumë më tepër investitorë nga SHBA-ja do të jenë të interesuar për Maqedoninë, në qoftë se në vend krijohet një atmosferë më e shëndetshme biznesi dhe kjo nënkupton garantimin e investimeve potenciale dhe zgjidhjen e problemeve që ndeshin në vend investitorët potencialë.

Administrata e re në Uashington ndodhet ende në fazën e konsolidimit. Vizitat e para, sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton, i bëri në Azi dhe në Lindjen e Mesme, ndërsa udhëtimin e tretë e bëri në Bruksel dhe Evropë. Ǒvend zë Maqedonia në hartën e Departamentit të Shtetit?

Kur thoni se ç‘vend zë Maqedonia në hartë, atëherë po ju them se ajo ndodhet po atje, ku ka qenë gjithnjë. Ballkani edhe më tej vazhdon të mbetet prioritet, ashtu sikurse e theksoj këtë qartë edhe nënpresidenti Bajden, ashtu si edhe sekretarja e Shtetit, Klinton, në diskutimet për Ballkanin Perëndimor në samitin ministror të NATO-s në Bruksel. Ashtu sikurse e vutë edhe vetë në dukje, administrata e Obamës po përballet me sfida të mëdha në politikë, përfshi Irakun, Afganistanin, por, megjithatë, lidhur me këtë, dua të theksoj se në qendër të vëmendjes ka qenë edhe pjesa e bisedës të nënpresidentit Bajden me ambasadorin maqedonas në NATO për pjesëmarrjen e Maqedonisë në forcat e koalicionit. Ashtu sikurse e kemi thënë gjithnjë dhe mund ta konstatoni edhe vetë nga historia jonë, ka një kontinuitet të madh, për sa u përket interesave të SHBA-së në botë, nga një administratë te tjetra. Interesi ynë është ekzistenca e një Evrope stabile e të begatë dhe shembull konkret në këtë drejtim është se kemi një politikë themeltare me një qëllim themeltar të njëjtë, që nga viti 1945.

Maqedonia, prej vitesh, e konsideron SHBA-në si mikun e saj më të madh. A mundet administrata e re në Uashington, me fuqinë e saj të madhe, të ndihmojë për zgjidhjen e problemit të emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë? Me këtë rast, na kujtohet Riçard Hollbruk, në vitin 1995, kur SHBA-ja, me fuqinë e saj, zgjidhi problemet në Ballkan. Vetëkuptohet, kohët kanë ndryshuar. Por, megjithatë, a do të mund të gjendet përfundimisht një zgjidhje?

Ashtu sikurse e thatë edhe vetë, kohët kanë ndryshuar dhe ambasadori Hollbruk tani është përqendruar tek Afganistani dhe Pakistani. Por, megjithëse kohët kanë ndryshuar, ne vazhdojmë të mbështesim procesin, e drejtuar nga OKB-ja, për gjetjen e një zgjidhjeje për këtë problem. Sikurse jemi shprehur edhe më parë, do të bëjmë gjithçka, brenda mundësive tona, që të ndihmojmë të dyja palët, duke qenë se të dyja vendet, Maqedonia dhe Greqia, janë miq tanë. Do të përpiqemi t‘i ndihmojmë të gjejnë një kompromis të arsyeshëm, por, në fund të fundit, u takon Greqisë dhe Maqedonisë të angazhohen dhe të vendosin se cila zgjidhje do të jetë më e mira për to. Ndërmjetësi i OKB-së, Metju Nimic, tetorin e vitit të kaluar, sipas mendimit tim, prezantoi një seri pikash të mira. Ambasadori Nimic është ndërmjetës dhe jo bashkëbisedues. Ai asnjëherë nuk do të prezantojë zgjidhje, por vetëm ide dhe propozime, për të cilat të dyja palët duhet të diskutojnë dhe të merren vesh, deri sa të arrijnë deri te kompromisi final. Kam mendimin se ajo që prezantoi ai, në muajin tetor të vitit të kaluar, ishte një pikë fillestare e mirë. Kjo pozitë u pranua edhe nga Grupi Ndërkombëtar i Krizës. SHBA-ja është e gatshme të japë ndihmën e saj, ashtu sikurse e kemi treguar edhe në shumë raste të tjera, por, me të vërtetë, zgjidhja përfundimtare varet nga të dyja vendet, nga liderët e të dyja vendeve që të kenë vullnet të gjejnë zgjidhjen.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›