Benitez rrezikon stolin: Nuk jam aspak i shqetësuar
Përballja e sotme ndërmjet Liverpulit dhe Mançester Junajtid servir një rivalitet të veçantë në botën e futbollit. Secili nga dy klubet ka fituar 18 tituj në kampionatin anglez, ndërsa në total "Reds" dhe "Djajtë e Kuq" kanë 18 trofe ndërkombëtarë. Sot në orën 15.00 në "Anfilld Roud", dy prej emrave më të mëdhenj të futbollit britanik dhe atij botëror do të përballen për të 178-n herë. Liverpuli paraqitet në këtë sfidë me moralin përtokë. Megjithatë, ndeshja me Junajtid cilësohet si rasti më i mirë për t‘u rikthyer si protagonistë dhe për të shpëtuar Rafa Benitez. Liverpuli luan "ndeshjen e jetës", pasi me një humbje trajneri do t‘i thoshte lamtumirë stolit, ndërsa skuadra do të largohej nga objektivat sezonalë. Por, Benitez nuk shqetësohet: "Jam i qetë për sa i takon të ardhmes time, sepse e di që gjërat do të ndryshojnë. Është e vërtetë që kemi pasur disa probleme, por në ndeshjet me Mançesterin, historia flet në favorin tonë. Kemi një skuadër cilësore dhe jam i bindur se do ta kalojmë këtë moment të vështirë".