Ismail Lulani/ Një homazh për piktorin
Një bar kafe e vogël në krah të institutit "Luigj Gurakuqi" të Shkodrës e bërë me dërrasa. Njerëzit e thjeshtë shkonin për të pirë një kafe. Hera-herës edhe një gotë raki në tymin e cigares, që mbulonte të gjithë ambientin e kafenesë. Ulej përpara një tryeze të vogël. Nga salla e kafenesë deri te cepi ku ishte ulur Smajli vinin ca shpërthime bisedash herë të shpeshtuara, herë sharje, të qeshura, herë rrëfime, por gjithnjë si zhurmë e madhe. Njerëzit bisedonin për jetën e tyre të përditshme, jetë e një lufte për ekzistencë, luftë e një jete për të parë më mirë. Frroku me shokët e tij diskutonte e diskutonte, herë gëzonte e herë shfrynte për atë që nuk arrinte dot, për atë jetë që ishte në ëndrrat e tyre. Eh, ç‘ëndrra? Portretet e tyre herë egërsoheshin e herë qetësoheshin. Portrete, kontraste, karaktere. Midis tyre qëndronte gjithmonë i pandarë Ismaili, ai që ndante me ta gjithçka. I thjeshtë si toka që e rriti, ai gërmonte historitë, vështronte karakteret, shihte jetën si një grafikë bardhë e zi. Ai dëgjonte copa historie nga jeta, që herë i jepnin gëzimin e një jete të re që do të niste papritur kur ai mbërrinte në studio. Herë ai ecte rrugës me gëzimin e ri e nuk shihte kush kalonte pranë tij. Ishte gëzimi i tij i brendshëm, gëzimi i një pune që do të niste. E miku i tij i thoshte: - Hej Smajl, qenke i gëzuar sot, e Smajli gëzonte si gëzon fëmija kur zbulon një botë të re. Artistin e gëzon edhe lulja, edhe një gotë raki, një episod dhe një legjendë epike. Episodet i duheshin Smajlit, në to ai numëronte historitë, nga më të thjeshtat, nga ato që tregonin jetën e qytetit të tij, Shkodrës së bukur, Shkodrës me oborre e mure të larta gurësh, me rrugën që të çon te Kalaja e Madhe, Kisha e Madhe, Arra e Madhe me rrugë, që përbëjnë historinë e këtij qyteti të lashtë. Jeta ecte aq shpejt sa Smajlit i dukeshin se ajo nuk ecte, por fluturonte, ndaj ai shënonte çdo datë prej saj. Ishte bir Tuzi, i asaj malësie aq të dëgjuar, që kishte nxjerrë aq shumë burra, që ia kishin rritur namin këtij vendi shqipesh, me historitë e tyre. E artisti mbruhej me to nga më të thjeshtat deri në ato më epiket që përbënin legjendën e popullit. Epizmi i këtyre malësorëve e malësoreve që nga Ded Gjon Luli e Trina Smajli ishin episodet, që ishte mbrujtur që në vogli nga prindërit e tij. Ndaj si artist, Smajli ishte sa epik në veprat që trajtonte, aq edhe i brishtë si qelqi. Kështu është artisti. Një shëtitje në kodrat e bukura të Tuzit, në liqenin e Shkodrës, në fshatin e bukur të Zogajt, në zallin e Kirit, një dyluftim i dhive në lëndinën plot bar ia preknin zemrën artistit. Smajli qëndronte me orë të tëra duke skicuar, vizatonte me laps e letër në dorë, vizatonte me pak vija, peizazhe, pemë që i kishin lënë mbresë sa herë që ai i kishte parë, portretin e bijës së tij Ori, shtëpitë shkodrane me muret e larta me gurë, festat e bukura tradicionale, si vizitat e nënave e motrave shkodrane për Bajram etj. Vizatonte një plakë të vetmuar me një dhi (histori që e kishte dëgjuar në Tuz), motiv ky i sa e sa kompozimeve të tij. Ikte dimri e vinte vera e Smajli pikturonte pjesët e brendshme të oborreve të lulëzuara. Smajli hidhte kavaletën e tij në kurriz dhe merrte udhën e fushave drejt Kirit, Bunës e Shkodrës. Punonte duke shkulur nga zemra dhe nga natyra shkëndija krijimi. Sa të thella këto shkëndija në shpirtin e tij. Luftonte çdo ditë me tavalocen, e ndërsa në darkë ia shpjegonte Myzejenit. Koha për të matej vetëm me atë tablo që dilnin nga dora e tij dhe kurrsesi me lëvizjen e fletëve që shkëputeshin nga kalendari. Kthehej në shtëpi. Forca krijuese ishte e gjallë tek ai. Qe përleshur përsëri me natyrën dhe i kishte dhënë pjesë nga shpirti i tij. Në bisedat e natës vonë, Myzejeni e dëgjonte, pa lënë t‘i shpëtonte as edhe një fjalë. Gjatë orëve të cilat mund të diskutonte mendonte shumë. Por ai vinte re nga sytë e Myzejenit se e kishte kuptuar, se i kuptonte fare mirë të gjitha, të gjitha ato që vërshonin jashtë aq rrëmbyeshëm nga shpirti i tij. Smajli ia ngulte sytë peizazhit, mbante shënim në mendje përbërësit e ngjyrave dhe ndiqte me sy linjat e tij. Si bindej se e kishte kuptuar më në fund peizazhin, i njomte furçat, i hapte tubetet e bojës dhe pastronte thikën me të cilën dystonte ato penelatat e tij të trasha. I hidhte edhe një sy zabelit, shënonte me laps në pëlhurën e bardhë ca viza, përziente në tavaloce ngjyrat dhe lëvizte më në fund furçën lart e poshtë e kështu fillonte. Smajli kurrë nuk e kishte ambicien e suksesit. Punonte se nuk mund të rrinte, sepse puna i jepte gëzim, kënaqësinë e jetës. Kështu fitonte çdo ditë gëzimin e punës, por edhe humbte mendjen kur ajo nuk ishte e qetë. Ai përballonte gjithçka. Mund të bënte edhe pa miqësi, mund të punonte edhe pa ndonjë shpresë të sigurt, gjer pa komoditetin elementar, por nuk mund të bënte kurrsesi pa atë që qëndronte më lart se vetja e tij, pa atë që ishte vetja e tij, pa zjarrin krijues, pa forcën e frymëzimit, punë që i jepte shpresë dhe më kryesorja gëzimin e kësaj jete. Smajli ngrihej çdo mëngjes herët, vishej dhe zbriste disa kilometra poshtë Kirit, ose andej periferisë së qytetit duke kërkuar ndonjë peizazh interesant. Punonte vazhdimisht pa e pasur të qartë as për veten e tij se çfarë po bënte. Nuk rrinte të filozofonte mbi tablotë e tij, por përpiqej vetëm të pikturonte ashtu i rrëmbyer siç ishte nga larmia dehëse e ngjyrave. E ngado që Smajli kthente kokën, shihte të llamburisnin ngjyrat. Hapësira e qiellit ishte aq e tendosur dhe aq e kaltër, saqë e kaltra nuk dukej më e kaltër, ngjyra sikur tretej, sikur zhdukej. Sa herë i mblidhte bashkë në ekskursione artistët shkodranë me Danishin, kolegun e tij piktor, që ishte strumbullari i këtyre miqësive, Feridin, Smajlin, Angjelinin, Francin. Zinin së bashku peshk ose diskutonin për artin, për krijimet, që kishin ndërmend të bënin për një pllakat të bukur, për një emblemë festivali, për një emblemë qyteti apo për një peizazh të Shkodrës. Smajl, miku ynë i mirë, le gjithçka përgjysmë. Vijmë të shohim punët që ti le pa mbaruar. Dhe harabelat e tu përsëri këndojnë. Këndojnë po ashtu kur ishe ti e kur lozje me to. Lulet e oborrit dhe të ballkonit presin për t‘u pikturuar si dikur. Dhoma në krah të majtë që kishte marrë kohët e fundit funksionin e studios janë përsëri plot me telajo e vizatime, telajo të gruntuara, telajo të përfunduara e telajo të lëna përgjysmë. Një perëndim, një qiell portokalli... Peneli i Smajlit u këput mbi telajon e fundit të tij, një perëndim i murrmë i qytetit të tij, i Shkodrës së bukur, një perëndim i argjendtë. Të bukura, por të dashura si portreti i vajzës së tij, Ori, që e deshi kaq shumë, i lëndinave të qeta plot bar, por edhe të ashpra edhe të egërsuara, apo të kostumeve tipike shkodrane me thesarin e tyre ornamentik dhe të pakrahasueshëm, por edhe telajo, që prisnin për t‘u pikturuar. Hej Smajl, me qetësinë, ndrojtjen dhe talentin e drithërimin e shpirtit tënd, sa bukur fole... Fole se nuk mund të rrije pa folur, fole se shpirti i artistit këndon dhe shpirti i artistëve të vërtetë këndon me gëzimin e tij të papërmbajtur, por edhe të heshtur thellë. Piktura e tij kudo që qëndron flet, të gëzon, të jep kënaqësi, dhe një krenari të veçantë. Të do Smajl një popull i tërë i Shkodrës. Të do Smajl një popull i thjeshtë, një popull që ti e deshe. Pikturat e tua të mrekullueshme janë kujtesa që ti le. Rruga jote për te kujtesa e këtij qyteti po pse jo edhe e kombit ishte e gjerë dhe e madhe, por edhe e lodhshme. Dhe kujtesa e qytetit të Shkodrës, ty Smajl do të jetë me ty vazhdimisht, sepse ti i dhe shumë nga shpirti yt i madh. Piktura e tij i ka rrënjët në artin e madh të piktorëve të vjetër realistë shkodranë. Realizimi i tij ka kapërcyer atë besnikëri jete, që ne gjejmë në veprat e paraardhësve të tij, të mjeshtërve të famshëm kaq të fuqishëm dhe të ekuilibruar shkodranë. Tablotë e tij mbajnë vulën e një prirjeje të vetëdijshme për të depërtuar në karakter, psikologji, për të zbuluar atë, vulën e etjes për jetën, që nuk di kurrë të shuhet, për të shprehur vetë thelbin, vulën e një dashurie të thellë ndaj natyrës, jetës dhe së vërtetës. Po, ky piktor i fuqishëm i vërtetë e me një shpirt të zjarrtë do të jetë krenaria e qytetit të Shkodrës. E Shkodrës do t‘i mungojë Smajli. Tablotë e lëna përgjysmë janë fjalë të lëna përgjysmë për Shkodrën trime të bukur, ato flasin për vazhdimësi, sepse Smajli ka thënë shumë për të, por dhe ka lënë dhe shumë për të thënë, ato që Ori, Ikbali, Zhaneta, Artani me shokë e dhjetëra e dhjetëra nxënës e shokë të Smajlit do t‘i trajtojnë në pikturat e tyre duke marrë prej profesorit të tyre gjithçka që ai ka dhënë dhe dha në pikturën e tij të bukur. Ky shkrim i thjeshtë është një homazh, një tufë lule për ty miku ynë, që do të kemi përherë midis nesh, me veprën tënde të mrekullueshme.