Benitez synon të ringjallë Torresin

Benitez, i cili u prezantua zyrtarisht në detyrë të enjten, do të shpresojë të bindë pronarin Roman Abramovich se meriton të mbetet në post edhe pas përfundimit të këtij stinori. Një prej elementeve kryesore rreth këtij objektivi të spanjollit do të jetë edhe forma e Torresit, që pothuajse asnjëherë nuk ishte në nivelin e duhur prej transferimit të tij në Stamford Bridge nga Liverpool për 50 milionë funte.
Torres shënoi 65 gola në 102 paraqitje në ligë për Liverpoolin, duke shkëlqyer gjatë periudhës kur skuadra udhëhiqej nga Benitez. Por, statistikat e tij në Chelsea lexojnë më keq me vetëm 11 gola në 58 duele. Benitez tha se synon të ringjallë Torresin.
“Mendoj se nëse shikoni fytyrën e tij vërehet se ai gjithmonë mundohet maksimalisht. Potenciali ekziston. Problemi me disa futbollistë qëndron në faktin se kur paraqiten shumë mirë në një skuadër, e kanë problem ta bëjnë të njëjtën gjë edhe diku tjetër”, u shpreh Benitez.