E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zyrtare Benitez te Chelsea

Më pak se 24 orë. Kaq i mjaftuan Chelsea-s që të zëvendësonte Roberto Di Matteon, trajnerin që i dha bluve të Londrës trofeun e parë në histori të Champions League.
Në krye të stolit të kampionëve në fuqi të Europës është emëruar Rafa Benitez. Ish-trajneri i Valencias, Liverpool-it dhe Interit mori drejtimin e skuadrës si trajner i përkohshëm.
Një deklaratë për mediat e publikuar në faqen zyrtare të Chelsea-s në internet sqaronte se ai do të qëndrojë në këtë detyrë deri në fund të sezonit. “Pronari dhe bordi drejtues besojnë se Benitez është një trajner me eksperiencë të madhe në nivelet më të lartam, që mund ta ndihmojë skuadrën të arrijë menjëherë objektivat e përcaktuar”, lexohej aty.
Spanjolli bëhet trajneri i nëntë i bluve, që prej momentit kur drejtimin e klubit e mori manjati rus, Roman Abramovich. Benitez zëvendësoi Di Matteon, që u shkarkua nga detyra pas disfatës 3-0 në fushën e Juventusit, nga e cila Chelsea rrezikon seriozisht të eliminohet përpara kohe nga Champions-i.
Spanjolli 52-vjeçar do të nisë menjëherë punën në krye të skuadrës, ku pas prezantimit përpara lojtarëve do të zhvillojë edhe seancën e parë stërvitore.
Benitez është një prej teknikëve më të njohur në qarkullim në Angli dhe Europë. Ai është shpallur dy herë “Trajneri i Vitit” nga UEFA. Te Valencia ka fituar dy herë titullin dhe një herë Kupën UEFA, ndërsa gjatë punës 6-vjeçare te Liverpool-i e ka udhëhequr skuadrën drejt triumfit në Champions League dhe fitores së Fa Cup.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›