Benjamini i poezisë në Kosovë

Arsyeja pse botimi i këtij libri nuk e ka bërë jehonën e duhur mediale, siç do të bënte çdo krijim i bukur artistik në botën perëndimore, është se në vendin tonë më shumë përkrahen medialisht poetët zhurmaxhinj e imponues, që u takojnë grupimeve apo “qarqeve” e “klaneve” letrare të kafehaneve të Prishtinës. Ndriçimi nuk është i tillë, ai është fjalëpakë, që po hyn në letrat shqipe pa bujë e pa pozime, siç janë mësuar të bëjnë shumë nga biçim poetët tanë.
Ky libër ndahet në dy pjesë të mëdha formale, ku në të parën mund të lexojmë vetëm poezi lirike me temë dashurie, tema më universale e më e gjithkohshme e poezisë së përbotshme, ndërsa në pjesën e dytë kemi poezi me tema të ndryshme, por që edhe në to kemi një pikëshikim personal, një qasje personale të temave që lidhen drejtpërsëdrejti me poetin, që është vetë subjekti, uni i poezisë së tij apo heroi lirik, siç thuhet në interpretimet teorike mbi poezinë.
Ndër poezitë më kryesore, më të arrira artistikisht të pjesës së librit të lirikave të dashurisë mund t’i veçoja këto: “Poezia e ardhjes tande”, “Edhe një vit tjetër”, “Një natë pas vdekjes tënde”, “Lirikë e ftohtë”, “Çobanishte” dhe “Morena” ndërsa te pjesa e lirikave me motive të ndryshme tematike mund t’i veçoja këto poezi: “Infuzion” dhe “Vetes”. Ky veçim është gjithsesi personal e relativ, zgjedhje e interpretuesit kritik tekefundit, ngase i tërë libri i Ndriçimit është i arrirë dhe kudo që të prekesh mund të gjesh art fin, art të shkrimit të vargut të bukur poetik.
Dy poezitë e para, me të cilat edhe fillon ky libër poetik “Poezia e ardhjes tande” dhe “Edhe një vit tjetër” i karakterizon motivi i ardhjes së dëshirueshme, i rikthimit të pëlqyeshëm të dashurisë së subjektit lirik, si dhe motivi i mungesës, ku nga kjo mund të vërejmë se poezia erotike e Ndriçimit nuk është poezi e përshkrimit të bukurisë së një femre apo poezi e përjetimit të ndjenjës së dashurisë, por është poezi e përshkrimit të mungesës së saj. Motivi i mungesës në këtë libër i karakterizon shumicën e poezive që e kanë për temë ndjenjën më sublime të njerëzimit, dashurinë.
Bashkërenditur me këtë motiv është edhe motivi i pritjes (“Lirikë e ftohtë”), që jorrallëherë përcillet së bashku me ëndrrën, motivin e ëndërrimit dhe të iluzionimit të subjektit poetik për një dashuri të humbur. Me një fjalë, përmes ëndërrimit dhe qasjes iluzive, si koncept e motiv, mund ta bëjë lexuesin ta kuptojë se këtu nuk kemi të bëjmë me poezi që e vajtojnë dashurinë e humbur, por e “rikrijojnë” një dashuri të idealizuara, ashtu siç do të dëshironte heroi lirik i këtij libri. Këtu nuk mungojnë as motivi i vetmisë dhe mallit për vajzën,“morenën” e Prishtinës (“Morëna”), si dhe dashuria për gruan e martuar (“Çobanishte”).
Ndërkaq, poezia “Infuzion” është një nga poezitë më të mira për nënën në letërsinë shqipe. Është një poezi e bukur, antologjike, ku vihet në pah toni prekës, përmes të cilit paraqitet dhimbja e të birit për nënën e shtrirë në spital. Është një poezi personale, e thurur me aq delikatesë, sa që mund ta bëjë edhe lexuesin ta bashkëndjejë dhimbjen e heroit lirik, duke u shndërruar kështu në një poezi transpersonale.
Është më rendësi të thuhet se Ndriçim Ademaj nuk është poet i eksperimentimeve stilistike, ngase ai nuk krijon poezi duke u bazuar në tiparet e rrymave të caktuara letrare. Ai e krijon dhe e shkruan poezinë ashtu si e ndien, natyrshëm dhe pa sforcime, as tematike e as stilistike.
Me kreativitetin e tij stilistik dhe me pjekurinë e tij estetike, ai po shndërrohet në një individualitet të veçantë në poezinë shqipe të brezit të poetëve të mileniumit të ri në Kosovë, ku së bashku me poetët e tjerë, si Ag Apolloni, Donika Dabishevci, Trina Gojani, Ervina Halili etj, po i fusin në “tripa të xhelozisë” shumë nga poetët tanë akademikë të gjeneratave të mëhershme. Në këtë mes Ndriçim Ademaj është më i riu i gjeneratës së re, andaj mund të thuhet lirisht se ai është një ‘Benjamin’ i poezisë shqipe në Kosovë.