E Diel, 1 Nëntor 2026

Benzina merr “zjarr” në fillim të vitit, 160 lekë për litër



Ervin KOÇI

Viti 2011 duket se ka nisur i “nxehtë” për çmimet e hidrokarbureve në vend. Jo më larg se dje, tabelat e stacioneve të tregtimit të karburanteve me pakicë në kryeqytet shënuan vlerat e 155-158 lekë për litër, për naftën eurodiezel dhe 160 lekë për litër. për benzinën. Ashtu si dy vjet më parë kur çmimet e karburanteve arritën majat, edhe sot kurba e grafikut të çmimeve është rritur sërish ndjeshëm. Ndërkohë për shtrenjtimin më të fundit përmenden të njëjtët faktorë që lidhen me kursin e këmbimit dhe tregjet e huaja, bursat, që nuk janë në dorë të tregtarëve tanë, etj., por kësaj i janë shtuar këtë vit edhe niveli i ri i taksave dhe tarifave të ndryshme për karburantet. Vitin e kaluar, Ministria e Financave mori disa vendime që preknin direkt sektorin e karburanteve, duke shtuar taksat për disa nënprodukte, ndërsa nuk kanë munguar udhëzimet e shumta për mënyrën e llogaritjes së TVSH-së, aplikimi i çmimit përmes komisioneve (kontrolli i tyre nga shumica), si dhe një sërë aktesh të tjera të marra nga institucionet e linjës. Të gjitha këto duket se janë të mjaftueshme për t’i dhënë një shtysë të re, rritjes së mëtejshme të çmimeve të karburanteve në tregun e pakicës, që rëndon direkt në xhepat e konsumatorëve që këtë vit duhet ta nisin me disa shpenzime më të larta.

Rritja e çmimit
Nga vëzhgimi i fundit mbi tregun e karburanteve në kryeqytet shikohet se litri i benzinës tregtohet me 160 lekë, kurse nafta me 155-157 lekë për litër. Këto çmime i përkasin pikave kryesore të shitjes me pakicë në Tiranë, aty ky çmimet në tërësi janë më të larta se kudo. Diferenca me qytetin tjetër kryesor, atë të Durrësit zbret në 4-5 lekë për litër. Duke bërë krahasime me fillimin e vitit 2010, kur nafta (10 ppm) shitej për 128 lekë dhe benzina (standard 95) ishte 132 lekë për litër, vërehet se ka rritje përkatësisht 16.3 dhe 17.5 për qind. Tendenca paraqitet për një shtrenjtim edhe më të madh nëse bursat vijojnë me rritjen e çmimit të “arit të zi”, i cili dje u kuotua për 96 dollarë për fuçi (Bursa e Londrës). Po çfarë po ndodh me tregun vendas, sa real paraqitet ndryshimi i çmimit dhe a ka vend për spekulime? Përgjigjja e importuesve është e thjeshtë dhe e shpejtë. Bursat japin ndikimin kryesor, kursi gjithashtu dhe ndër kryesoret, ndikimin që japin taksat e reja. Sipas presidentit të Shoqatës së Hidrokarbureve, Luigj Aliaj, ndikim në nivel të konsiderueshëm e japin taksat, të cilat në dy vitet e fundit kanë pësuar ndryshime drejt rritjes. Aliaj thotë që nuk ka asnjë vend për spekulim, pasi çdo veprim që përcakton çmimin e naftës dhe benzinës është i dokumentuar. Më konkretisht, lidhur me taksat, Aliaj thotë se, “TVSH-ja prej 20 përqindësh, akciza me 37 lekë/litri për naftën dhe benzinës (nivel fiks), taksat kufitare dhe ato portuale, janë detyrime që i duhen paguar shtetit, të cilat sjellin rritje deri 120 për qind ose deri në 60 lekë për litër të çmimit të karburanteve”.

Akciza
Vitin që shkoi, MF-ja e ndryshoi ligjin “Për akcizat” duke futur në sistemin e taksave disa nënprodukte nafte. Rritja e tyre parashikon t’i sjellë arkës së shtetit të paktën 40 milionë dollarë të ardhura, që ndryshe përkthehet si kosto shtesë, kryesisht për biznesin. Megjithatë, pavarësisht këtyre faktorëve, importuesit nuk japin një sqarim të plotë lidhur me ndryshimet e çmimeve në bursa, të cilat jo gjithnjë reflektoheshin në tregun vendas. Kjo ndodh zakonisht kur ka ulje të çmimit në bursa, që sipas grafikut ka pësuar të paktën pesë herë rënie, por që nuk është pasqyruar në tregun tonë. Për këtë rast, importuesit reagojnë duke thënë se ka pasur disa herë rritje të çmimit në bursa, që nuk janë pasqyruar në vendin tonë, duke punuar me rezervat, pa cenuar konsumatorët. Gjithsesi, debati mbi rritjen spekulative të çmimeve dhe ndikimi i tyre në ekonominë, nëse është reale apo jo, mund të marrë fund vetëm nëse do të kemi një autoritet shtetëror që merr nën kontroll çmimet, sikurse veprohet në Maqedoni apo në ndonjë vend tjetër.

Çmimet e naftës, kërcënim për ekonominë

Çmimet e larta të nartës dhe rritja e mundshme gjatë vitit përbëjnë rrezikun më të madh për rimëkëmbjen e ekonomisë botërore në vitin 2011, të paktën sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë. Në lajmin e raportuar nga BBC dje gjatë drekës, informohej se gjatë vitit të shkuar importi i naftës dhe gazit ka kushtuar 30% më shtrenjtë se viti 2008. Për vendet e zhvilluara kjo përkthehet me një ulje prej 0,5% në rritjen e tyre. ”Nëse çmimi i naftës do të vazhdojë të rritet, do të prekë gjithçka, duke nisur nga bilanci tregtar, deri tek shpenzimet familjare”,- deklaroi Fatih Birol, drejtuesi i Agjencisë. Organizata e Vendeve Prodhuese të Naftës (OPEC) është shprehur e pashqetësuar për nivelin aktual të çmimeve dhe ka bërë me dije se nuk do të rrisë së shpejti nivelin e prodhimit.

Më shumë taksa për 2011-n, shtrenjtohen nafta dhe cigaret

Viti i ri po fillon me një valë rritjesh të çmimeve për konsumatorët, e cila ka prekur disa produkte njëherazi. Rritja ka përfshirë fillimisht çmimet e karburanteve. Në tregun e brendshëm benzina po shitet me 160 lekë për litër, çmimi më i lart në dy vjet. Rritje ka pasur edhe nafta, mesatarisht me 2-3 lekë për litër, krahasuar me dy javë më parë. Tregtarët thonë se janë disa faktorë që po sjellin rritjen e çmimeve të karburanteve në tregun e brendshëm. Së pari, çmimi i naftës në bursë ka kapërcyer nivelin 92.7 dollarë për fuçi, vlera më e lartë në dy vitet e fundit. Një tjetër faktor që sipas tregtarëve po sjell rritjen e çmimit të karburanteve në tregun e brendshëm është edhe forcimi i dollarit në raport me lekun. Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se krahasuar me një vit më parë, leku është zhvlerësuar ndaj dollarit me gati 10 për qind, një kosto kjo që tregtarët e ngarkojnë direkt tek konsumatorët. Por një tjetër faktor që po rrit çmimet e karburanteve është edhe politika e taksave e ndjekur nga qeveria. Pak muaj më parë Ministria e Financave vendosi të rrisë taksat e karbonit, të cilat për benzinën u bënë nga 0.5 lekë në 1.5 lekë për litër, ndërsa për naftën nga 1 lek në tre lekë. Veç karburanteve, rritje çmimesh ka pasur edhe për cigaret. Në tregun me pakicë një paketë cigare aktualisht kushton nga 20- 30 lekë më tepër. Kjo rritje e çmimit të cigareve është pasojë direkte e politikës tatimore të qeverisë, e cila duke filluar që nga 1 janari rriti me 20 lekë për paketë akcizën e cigareve.

Lëndët e para, çmimet e mbyllën vitin 2010 me rritje

Gjatë 3-mujorit të tretë të vitit, indekset kryesore të mallrave kanë shfaqur prirje rritëse
në terma vjetorë, ndërkohë që, në terma 3-mujorë, rritje të konsiderueshme ka regjistruar
vetëm Indeksi i Çmimit të Ushqimeve, njofton Banka e Shqipërisë në një raport të fundit për ecurinë e çmimeve në tregjet botërore dhe në tregun vendas. Indeksi i Çmimit të Mallrave është rritur me 15.5 për qind, krahasuar me një vit më parë, ndërsa Indeksi i Çmimit të Energjisë është rritur me 12.9 për qind në terma vjetorë. Indeksi i Çmimit të Ushqimeve, i shtyrë nga kushtet jo të favorshme klimatike në Rusi dhe prirjet për rënie të ofertës në periudhën afatshkurtër, është rritur me 11.6 për qind. Në terma 3-mujorë, Indeksi i Çmimit të Mallrave është rritur me 0.1 për qind, ai i çmimit të ushqimeve me 7.2 për qind, ndërsa Indeksi i Çmimit të Energjisë është zvogëluar me rreth 3.2 për qind. Rritja e çmimeve të mallrave ushqimore është përcjellë edhe në tregun vendas, në kushtet kur prirja nënçmuese e kursit të këmbimit, megjithëse më e zbutur, vazhdon. Inflacioni i kategorisë “Ushqime të përpunuara”, në 3-mujorin e tretë të këtij viti, regjistroi normën më të lartë të rritjes vjetore prej 4.4 për qind.

Interesat në tregun ndërbankar të parasë
TRIBID 'Interesi i kërkuar për pranimin e depozitave'
o/n njëditor 4.00 %
1Ë njëjavor 4.61 %
1M 1-mujor 4.90 %
3M 3-mujor 5.12 %
6M 6-mujor 5.76 %
12M 12-mujor 6.35 %
TRIBOR 'Interesi i ofruar për vendosjen e depozitave'
o/n njëditor 5.55 %
1Ë njëjavor 5.99 %
1M 1-mujor 6.41 %
3M 3-mujor 6.77 %
6M 6-mujor 7.20 %
12M 12-mujor 7.90 %

6 Janar 2011

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›