Fillon punën buxheti i ri, çelen fondet për shpenzime dhe investime
Ervin KOÇI
Që në ditët e para të këtij viti është bërë operativ buxheti i shtetit. Burime zyrtare nga Ministria e Financave, bëjnë të ditur se fondet e buxhetit të shtetit dhe thesarit, janë bërë operativë që me datë 3 janar, çka do të thotë, që janë çelur fondet për shpenzime dhe investime publike. “Konsolidimi i financave publike, stabilizimi i nivelit të përgjithshëm të çmimeve, si dhe zbutja e deficitit tё llogarisё korrente, pёrbёjnё synimet bazё tё politikave tё koordinuara fiskale e monetare tё vendit, për këtë vit”,- thanë burimet nga MF-ja. Gjithashtu shpërndarja e fondeve buxhetore do të jetë sipas prioriteteve politike. Kështu, sektori i arsimit do të arrijë nivelin 3.22% të PBB-së, ndërkohë që shpenzimet në sektorin e shëndetësisë parashikohen të arrijnë në 2.75% të PBB-së. Gjithashtu, shpenzimet për sektorin e bujqësisë parashikohen të rriten në nivelin 0.51% të PBB-së dhe 3.64% e PBB-së, që parashikohet niveli i sektorit të infrastrukturës.
Ndryshimet
Ndërkohë që pritet që të miratohet drafti për nisjen e vlerësimeve të dëmeve në zonat e përmbytura në Shkodër, analistët shprehen se është i nevojshëm një rishikim i buxhetit ose marrja e një eurobondi. Sipas drejtorit ekzekutiv të Fondacionit për Liri Ekonomike Artan Gjergji, fondet e veçanta për emergjenca nuk janë të mjaftueshme dhe për këtë duhet të gjenden instrumente të tjera. Dëmshpërblimi i banorëve në zonat e përmbytura pritet që të ketë një ndikim të ndjeshëm në ekonomi sipas Gjergjit, pasi një pjesë e fondeve të destinuara për investime do të përdoret për këto zona. Qeveria sipas Gjergjit duhet që të jetë një ekulibruese e mirë dhe të gjejë mënyra që investimet e parashikuara të realizohen pavarësisht kompesimin të dëmeve që do të bëhen në zonat e përmbytura. Ndërkohë në këto zona nga ana e Ministrisë së Bujqësisë dhe Bankës Botërore, do të nisin një studim i të gjithë zonës së Shkodrës dhe Lezhës, lidhur me shtretërit e lumenjve, kanalet kulluese dhe hidrovoret. Pas përfundimit të këtij studimi do të nisin punimet për ristrukturimin e të gjithë zonës, në mënyrë që të mos mbetet më preh e përmbytjeve. Studimi dhe punimet në zonë, do të përfshijnë shumë institucione dhe aktorë të tjerë, sikundër është dhe Ministria e Mjedisit që jep licencat për lavatriçet, që shfrytëzojnë gurët e shtretërve të lumenjve dhe përgatisin lëndë të parë për ndërtim.
Infrastruktura
Infrastruktura këtë vit do të zërë përsëri një pjesë të konsiderueshme të fondit të investimeve edhe për shkak të një viti elektoral. Deri tani ka përfunduar nga ndërtimi edhe i segmentit të fundit të autostradës Durrës-Kukës, ai Fush Dukagjin-Kolsh i cili shkurton me 4 km distancën e deritanishme të rrugës. Përfundimi i këtij segmenti është shtyrë rreth 4 herë për shkak të terrenit të vështirë dhe motit me ngrica që mbretëron në këtë zonë. Kjo pjesë e autostradës dhe rruga që kalon nga gryka e Fanit janë cilësuar prej inxhinierëve të rrugëve, si dy pjesët më të vështira të autostradës. Në segmentin Fushë Dukagjin-Kolsh janë ndërtuar 1300 m linear ura, ose 10 të tilla mes të cilave më e gjata e gjithë autostradës Durrës- Kukës me një gjatësi 440 metër dhe lartësi 75 metër dhe janë zhvendosur mijëra metër kub inerte. Përfundimi i këtij projekti i jep fund përdorimit të rrugës së vjetër dhe përbën një ngjarje për transportin rrugor në Qarkun e Kukësit.
Treguesit kryesorë të buxhetit janë:
1. Të ardhurat 362 miliardë lekë
2. Shpenzimet 409 miliardë lekë
3. Deficiti 46.8 miliardë lekë
Pritjes së shqiptarëve për “3G” po i vjen fundi
Tashmë dita kur të gjithë do të mund të lundrojnë me internet të shpejte me teknologjinë “3G”, po afron dhe bashkë me të është rritur edhe interesi i klientëve aktualë dhe të rinj të kompanisë “Vodafone” për të mësuar mbi kushtet dhe çmimet e këtij shërbimi. Një nga pyetjet më të shpeshta është se cilët janë llojet e aparateve celulare që i përshtaten më shumë teknologjisë “3G”. Në mënyrë që të përfitohet nga kjo teknologji bashkëkohore, telefoni celular duhet të ketë kapacitetin e duhur për t’iu përshtatur shërbimeve që mundësohen prej saj dhe jo të gjithë aparatet e kanë këtë kapacitet. Telefonat të cilësuar si më të përshtatshëm për teknologjinë “3G” janë “Smartphones”, të cilët kanë kapacitetin e duhur teknik për të ofruar shërbimet “3G” më së miri. Aparatet me të cilët çdo abonentë “Vodafone” mund të përfitojë nga shërbimet e shumëllojshme të “3G” janë “Iphone”, “Ipad”, “Samsung Galaxy Tab”, “Nokia Smartphones”, “Google Nexus”, “BlackBerry Torch”, “Blackberry Bold 9000”, “Blackberry Bold 9700”, “Blackberry Curve 8900”. Me “3G” do të sigurohet një shpejtësi dhe kapacitet më i lartë në transmetimin e të dhënave përmes internetit në aparatet celularë. Ky është një hap shumë i rëndësishëm për kompaninë “Vodafone” e cila është e para në Shqipëri që ofron teknologjinë “3G”. Bizneset si dhe individët do të mund të eksplorojnë cilësinë dhe shpejtësinë e përdorimit të internetit wireless në celularët dhe kompiuterët e tyre, duke pasur mundësinë ta kenë gjithë botën në pëllëmbë të dorës.
AKEP mundëson personalizimin virtual
Çdo shtetas shqiptar, mund të hapë një faqe interneti ose një adresë poste elektronike, të personalizuar me domain-in “.al”. Drejtori i Kabinetit pranë Autoritetit të Komunikimit Elektronik dhe Postar (AKEP), Gazmir Isakaj, tha se, më parë mund të përfitonin vetëm subjektet juridike publike, private, fizike dhe tregtare. Tani është e mundur që të përfitojnë edhe subjektet fizike, pra çdo qytetar duke klikuar në faqen e AKEP-it dhe të bëjnë regjistrimin on-line. Kjo risi ka sjellë dhe një ulje të madhe të çmimit për këtë shërbim, ku në dy vjet paguhen vetëm 2 mijë lekë. “Al” është kodi shtetëror i Shqipërisë në rrjet dhe mund të identifikohet si një markë e cila personalizon, vlerëson dhe prezanton në një mënyrë më dinjitoze kompanitë dhe personat që operojnë on-line.
6 Janar 2011