E Diel, 1 Nëntor 2026

“Parkimi”, asgjësohet rrjeti i shitjes së heroinës në kryeqytet



TIRANË – Asgjësohet rrjeti i shpërndarjes së heroinës në kryeqytet. Policia e Tiranës finalizoi operacionin e koduar me emrin “Parkimi”, ku prangosi shtetasit Julian Shkalla dhe Dardan Koçi, të vënë nën akuzë për shpërndarje të lëndëve narkotike. Burimet policore bënë të ditur dje se dy të rinjtë, me banim në Tiranë, ishin mbajtur nën vëzhgim prej muajsh dhe shpërndanin heroinë në disa prej zonave kryesore të kryeqytetit. Në momentin e arrestimit, Shkallës dhe Koçit u janë gjetur qese me lëndë narkotike, të gatshme për shitje.

Aktiviteti
Prej disa muajsh Julian Shkalla dhe Dardan Koçi, lindur dhe banues në Tiranë, kanë vijuar tregtinë e tyre të shitjes së heroinës në Tiranë. 19-vjeçari Shkalla e kishte provuar edhe më parë burgun pasi ishte shpallur fajtor për veprën penale të prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike. Por, sapo ka lënë qelinë, bashkë me mikun e tij, 22-vjeçarin Koçi, kanë rinisur biznesin e shitjes së drogës. Aktiviteti i tyre ka rënë në sytë e agjentëve antidrogë, të cilët kanë nisur hetimet disa kohë më parë derisa përgatiten operacionin e koduar me emrin “Parkimi”.

Arrestimi
Mbrëmjen e së martës, strukturat antidrogë kanë organizuar grackën për kapjen e dy shpërndarësve të heroinës. Përmes teknikave speciale të hetimit, por edhe përmes infiltrimit të personave si blerës heroine, ata kanë vënë në zbatim planin për kapjen e tyre. Mbrëmjen e dy ditëve më parë, rreth orës 21:00, forcat policore kanë shkuar në zonën e Bërrylit në Tiranë dhe kanë bërë të mundur prangosen e Julian Shkallës dhe Dorian Koçit. Burimet policore sqarojnë se këta shtetas vepronin me synim shpërndarjen e lëndës narkotike, heroinë, në zona të ndryshme në kryeqytet. Në momentin e arrestimit të këtyre shtetasve dhe gjatë kontrollit të banesave të tyre, në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar rreth 70 gramë lëndë narkotike heroinë, e cila ishte e ndarë në 47 procione, që shërbenin për t’u shitur dhe hedhur në treg, si dhe dy automjete në pronësi të tyre. “Pas një pune hetimore ka rezultuar se këta shtetas shpërndanin lëndën narkotike me një shtrirje të madhe gjeografike në Tiranë, dhe më konkretisht në zonat e: 21 Dhjetorit, Unazën e Re, në afërsi të Zogut të Zi, te Stacioni i Trenit, zonat e Bërrylit dhe Oxhakut në Tiranë”, - thonë burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Tiranës. Ndaj shtetasve u mor masa e arrestit në flagrancë për veprën penale “prodhim, shitje të lëndëve narkotike”, në bashkëpunim.
Policia e Shtetit ka finalizuar disa operacione gjatë vitit të kaluar për goditjen e grupeve që merren me shpërndarjen e marijuanës, por nuk kanë munguar as operacionet speciale në goditjen e rrjeteve që tregtojnë drogat e forta si kokaina apo heroina.

BOX 1
Shisnin heroinë me taksi, prangosen të rinjtë

BERAT - Dy të rinj që shisnin heroinë me taksi në qytetin e Beratit nuk kanë arritur t’u fshihen agjentëve të luftës kundër drogës. Gjatë një operacioni të koduar me emrin “Taksisti” janë ndaluar shtetasit Hermon Veliaj, 35 vjeç dhe Gramoz Muçolli, 34 vjeç, që të dy me banim në qytetin e Beratit. Në finalizimin e aksionit antidrogë janë sekuestruar 40 doza heroinë dhe mjeti tip “Mercedes Benz”, me targë BR 365 A, e cila shërbente si taksi dhe përdorej për të shpërndarë lëndën narkotike.
Policia ka sekuestruar gjithashtu 2 aparate celularë dhe mjetin me të cilin po udhëtonin 2 të rinjtë. Burimet zyrtare të policisë bëjnë me dije se 2 shtetasit Veliaj dhe Muçolli ishin në vëzhgim prej më shumë se 3 muajsh nga strukturat e Sektorit të Narkotikeve.

Sekuestrohet arsenal armësh dhe municionesh në Shkodër dhe Elbasan

SHKODËR/ELBASAN – Dy operacionet policore në Shkodër dhe Elbasan kanë përfunduar me sekuestrimin e një arsenali armësh dhe municionesh. Po ashtu, janë ndaluar edhe dy shtetasit që posedonin materialet luftarake. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Shkodrës bëjnë të ditur se mesditën e djeshme, rreth orës 13:00, arrestuan shtetasin Ndoc Lisi, 61 vjeç, lindur e banues në fshatin Krumadh të komunës së Shllakut. Sipas tyre, Lisi u ndalua si rezultat i informacioneve të marra dhe kontrollit të ushtruar në banesën e tij, ku u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi armësh e municionesh luftarake, të cilat ky shtetas i mbante pa leje. Mes materialeve të sekuestruara janë: një automatik model 56, një pushkë model 63, një armë gjahu, çifte, një armë gjahu teke, një silenciator, një palë dylbi dhe një sasi e konsiderueshme fishekësh.
Ndërsa mbrëmjen e së martës Policia e Elbasanit ndaloi shtetasin Arsen Bajrami, 21 vjeç, lindur e banues në fshatin Hardhi të komunës Fierzë. Ndalimi i tij u bë pasi ky shtetas në banesën e tij dispononte armë dhe municione. Forcat e rendit gjetën një armë zjarri të prodhimit rus si dhe një krehër me fishekë, të cilat ky shtetas i mbante pa leje. Për të dy rastet e mësipërme strukturat e prokurorisë nisën hetimet.

6 Janar 2011

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›