E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beograd, 55 mijë protestues kërkojnë zgjedhje të parakohshme

BEOGRAD-Në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, partia opozitare progresive ka nisur protestën antiqeveritare nën masa të larta sigurie nga ana e policisë.

Protestuesit kanë bërë thirrje për zgjedhje të reja, ndonëse zgjedhjet parlamentare pritet të mbahen vitin tjetër.

Sipas radios Europa e Lirë, deri më tani janë mbledhur më shume se 55 mijë protestues, të cilët janë tubuar përpara parlamentit Serb, ndërkohë që pritet të mblidhen më tepër protestues.
Ndërkaq, rrugët në qënder të Beogradit janë mbyllur për trafikun. Protestuesit mbajnë parrulla ku shkruhet “Duam një Serbi në prosperitet”.

Policia nuk beson se protestuesit do të kryejnë akte vandale, por masat janë më të larta pasi është njoftuar se në protestë do jenë edhe tifozët Serbë të futbollit, të cilët njihen për aktet e tyre huligane.

Opozita serbe kërkon zgjedhje të parakohshme
Ora: 10:07-Partia më e madhe opozitare në Serbi do të mbajë sot protestën e parë anti-qeveritare ndër vite.

Kreu i nacionalistëve, Tomisllav Nikolic, ka hedhur poshtë shqetësimet se tubimi mund të kthehet në protestë të dhunshme.

Mbështetësit e Partisë Serbe të Progresit pritet të kërkojnë nga qeveria caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme, pas thellimit të krizës ekonomike dhe rritjes së shkallës së varfërisë në vend.

Serbia është duke luftuar me recesionin që nga viti 2009.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›