E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beograd, referendum për anëtarësimin në NATO

BEOGRAD- Rreth 200 persona në Serbi, ndër të cilët politikanë, intelektualë dhe personalitete të kulturës dhe spektaklit, kanë nënshkruar një dokument me të cilin kërkojnë zhvillimin e një referendumi për çështjen e anëtarësimit të vendit në NATO. Pas bombardimeve të vitit 1999, NATO nga serbët është parë gjithmonë si një armik, pavarësisht se bombardimet u kryen për të ndaluar spastrimin etnik të Kosovës që u orkestruar nga lideri i atëhershëm serb Slobodan Millosheviç dhe besnikët e tij. Megjithatë kohët e fundit ministri serb i Mbrojtjes, Dragan Sutanovac nuk e ka përjashtuar mundësinë e anëtarësimit të Beogradit në Aleancën Atlantike, duke mbrojtur tezën se NATO "është rruga natyrale drejt Evropës". Gjatë një konference për shtyp sot në Beograd, personazhet e kësaj iniciative theksuan se "një vendim me një rëndësi të tillë duhet marrë nga qytetarët dhe jo nga partitë politike ose individë të caktuar". Kërkesa për referendum, ndër të tjerë është nënshkruar nga regjisori Emir Kusturica, nga ish-presidenti dhe lideri i Partisë Demokratike serbe Vojislav Kostunica, nga ideologu dhe "babai i Serbisë" Dobrica Ciosic dhe nga shkrimtari i njohur Momo Kapor. (e.n/ansa/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›