E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytjet, ngrihet në Gjadër baza e grumbullimit të ndihmave

SHKODëR- Kanë nisur gjatë natës së mbrëmshme operacionet e shpërndarjes së ndihmave për zonat e përmbytura nga baza e grumbullimit të ndihmave e vendosur në rajonin e Gjadrit. Strukturat e ushtrisë në bashkëpunim me eksperët italianë të mbrojtjes civile kanë organizuar shpërndarjen e ndihmave nëpërmjet helikopterëve të ardhur posacërisht nga Italia. Duke folur për operacionin, komandanti i komandës mbështetëse, Gjeneral Xhemal Gjunkshi bëri të ditur se kanë mbërritur 74 ton ndihma nga Tirana në rajonin e Gjadrit. “Nga forcat e armatosura, nga komanda mbështetëse me të gjitha strukturat e saj, në bashkëpunim dhe me Gardën e Republikës u bë e mundur transportimi i 74 ton ndihma nga Tirana për në rajonin e Gjadrit për tu bërë gati e për tu shpërndarë sipas komunave” theksoi Gjunkshi. Gjatë një takimi me ekspertët italianë të mbrojtjes civile, ministri i Mbrojtjes Arben Imami u shpreh se operacionet në këtë zonë janë shumë të vështira për shkak të rrugëve të bllokuara. Nga policia e Shkodrës dhe nga strukturat mbështetëse të Ministrisë së Brendshme po ndërmerren konkretisht operacionet në terren për ruajtjen dhe sigurimin e argjinaturave, akseve të rrugëve , ujrave si dhe po bashkëpunohet me strukturat e tjera të ushtrisë për shpërndarjen e ndihmave ushqimore dhe evakuuimin e komunitetit në zonat e përmbytura. Për të inspektuar procesin e shpërndarjes së ushqimeve të ujit të pijshëm dhe medikamenteve, Ministri Basha ka qenë në komunën Dajc, e cila konsiderohet më e prekura nga përmbytjet. Ministri Basha është shprehur i prerë në qëndrimin e tij se asnjë banor i evakuuar nuk do të kthehet në zonë pa u normalizuar situata. (e.n/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›