Beograd, të djathtët protestojnë kundër propozimit europian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi

Në Beograd të djathtët serbë protestuan sërish të martën kundër propozimit europian për normalizimin e raporteve mes vendit të tyre dhe Kosovës.
Protesta u mbajt jashtë ndërtesës së Fakultetit të Filozofisë.
Thirrja për protestë u bë përmes rrjetit rus, Telegram, nga organizata ultra e djathtë “Patrulla Popullore”, që edhe më herët ka organizuar protesta për të kundërshtuar politikat e Qeverisë serbe ndaj Kosovës. Folësit në protestë u prezantuan si studentë të fakulteteve të ndryshme të Universitetit të Beogradit.
Sipas radios Europa e Lirë, Stefan Simonoviq, që u prezantua si student i Fakultetit të Filozofisë në Beograd, tha se propozimi evropian nënkupton “fundin për Serbinë”. “Ne kërkojmë ndalimin e menjëhershëm të të gjitha negociatave dhe diskutimeve për propozimin franko-gjerman”, tha ai.
Më 27 shkurt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shprehën gatishmërinë e tyre që të zbatojnë propozim europian që njihet ndryshe si propozimi franko gjerman i cili synon të çojë palët drejt një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve.
Protestuesit e mbledhur në Beograd thërrisnin “Tradhti”, “Nuk do të heqim dorë nga Kosova” si dhe përdorën shprehje ofenduese ndaj Vuçiqit dhe shqiptarëve në Kosovë.
Pas adresimit para Fakultetit të Filozofisë, protestuesit marshuan në rrugët e Beogradit dhe u ndalën para ndërtesës së Radio Televizionit të Serbisë (RTS), ku mes të tjerash lëshuan mesazhe pro ruse si “serbët, rusët vëllezër gjithmon디. Disa prej tyre mbanin në duar flamuj rusë.