Beogradi hesht vendimin e GND-s për heqjen e pavarësisë së mbikëqyrur
Ministri për Kosovën në Qeverinë në largim të Serbisë, Goran Bogdanoviq ka vlerësuar se Plani i Ahtisaar-it nuk është pranuar nga Beogradi zyrtar dhe informatat e tilla paraqesin edhe një përpjekje të legalizimit të krijesesë jodemokratike të shpallur njëanshëm në Ballkan.
Por kjo, sipas tij, njëkohësisht është edhe mesazh për ato vende që nuk e kanë njohur Kosovën se “i ashtuquajturi shteti i Kosovës i ka përmbushur të gjitha standardet dhe mund të jetojë vetë”.
Sipas tij, të gjithë e dinë se Kosova edhe më tutje është “një vrimë e zezë” në Evropë dhe në të edhe më tutje ekziston tregtimi i narkotikëve, armëve, njerëzve dhe autoritetet e Kosovës nuk po bëjnë asgjë për ta mbrojtur bashkësinë serbe.
“Në vend që e gjithë energjia të orientohet në zgjidhjen e problemeve ekzistues, të zvogëlohen tensionet dhe të krijohet mirëbesimi ndërmjet serbëve e shqiptarëve, serish në vepër është koncepti politik i bashkësisë ndërkombëtare e cila nuk ka për qëllim mirëbesimin dhe bashkëjetesën”, ka theksuar Bogdanoviq.
Sekretari i shtetit në Ministrinë për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, Oliver Ivanoviq ka thënë për Radiotelevizionin e Serbisë se ky vendim është përpjekje e anëtarëve të grupit për t’u nxjerrë me elegancë nga problemi i Kosovës, transmeton RTK.
Ai ka theksuar se është më se e sigurt se vendimi i sjell serbët në pozitë më të rënd për shkak të frikës seinstitucionet e Prishtinës, sikurse ka ndodhur më herët, do të keqpërdorën me qëllim të trysnisë shtesë mbi serbët.
Kurse kryetari i komunës ilegale të Mitrovicës, Krstimir Pantiq ka vlerësuar se largimi i Zyrës Civile Ndërkombëtare nga Kosova është vendim i mirë për serbët sepse ajo zyrë e ka mbështetur pavarësinë e Kosovës.
“Ajo zyrë nuk ka pas kurrfarë legjitimiteti për ne dhe jemi të gëzuar për shkak të largimit të tyre sepse shqiptarët do të kuptojnë se shtetësia e tyre ka qenë virtuale dhe do të jenë të detyruar të nisin marrëveshje të sinqerta me Qeverinë e Serbisë në mënyrë që të gjendet zgjidhje për statusin e Kosovën”, ka thënë për mediat serbe Pantiq.