Fëmijët e luftës mes dy zjarreve

Përderisa Libia po përgatitet për zgjedhjet parlamentare këtë muaj, një betejë po zhvillohet në një vend, në të cilin nuk është pritur-në oborret e shkollës. Në lagjet e djegura, me mure të rrënuara dhe shtëpi fasadat e të cilave janë të bëra shoshë nga plumbat, fëmijët kanë gjetur vetën brenda një lloji të ri të luftës në fushat e lojës, pasi që disa familje kanë mbështetur Muammar Gaddafin, ndërsa fëmijët tjerë vijnë nga familje, të cilat kanë mbështetur revolucionin. Këta fëmijë “luftojnë” për gjëra, të cilat nuk i kuptojnë, në momentin kur po mundohen që të lënë prapa të kaluarën.
“Kam vendosur që mos ta kujtoj luftën”, thotë Muammar Abdulsalam 13 vjeçar, nga qyteti i Sirtes, qyteti i lindjes i Gaddafit.
Ai tentoi ta shlyej të kaluarën e tij në një ditë janari, tre muaj pas përfundimit të revolucionit të dhunshëm në Libi, me të cilin u përmbys Gaddafi pas 42 viteve në pushtet.
Ai dhe familja e tij kaluan 30 ditë të tmerrshme duke u fshehur në errësirë, në bodrumin e errët të ndërtesës së tyre në Sirte, deri në momentin e kapjes dhe vrasjes së Gaddafit. Sirte nuk ishte vetëm qyteti i lindjes i Gaddafit, por edhe bastion i mbështetjes për regjimin e tij dhe qyteti i fundit në Libi, i cili ra në duart e kryengritësve. Deri në fund të luftës, lagjja në të cilën jeton Muammari, ishte lagjja më e dëmtuar nga lufta në Sirte.
Për Muammarin e ri, vuajtjet filluan para fillimit të rënies së bombave në qytet. I ati i tij, ushtarë në armatën e Gaddafit, u vra në korrik, rrëfen nëna e tij, Salma Abdullah, 32 vjeç. Në Sirte, sikurse edhe në pjesën më të madhe të qyteteve tjera të Libisë, ka kritika në adresë të qeverisë së tranzicionit dhe rrjedhës së armatimit. Tendosjet mes atyre, të cilët mbështetën Gaddafin dhe atyre, të cilët mbështetën kryengritjen, janë ende të dukshme.
Askund sfidat e rindërtimit dhe të pajtimit nuk janë më të dukshme, se sa në jetën e fëmijëve të këtij qyteti. Për shumë prej tyre, vetë rruga për të shkuar deri në shkollë është mjaft e rrezikshme, pasi që pjesa më e madhe e qytetit është e shkatërruar. Miqtë dhe mësuesit mungojnë në shkollë. Prindërit dhe të afërmit kanë vdekur. Valon një flamur i ri dhe fëmijët janë të detyruar të këndojnë himnin e ri shtetëror.
Brenda shkollës Taleah Alnaser, ku tubohen rreth 675 nxënës të shkollës fillore, shoqja e klasës e Muammarit, Asel Salam, 12 vjeç, hap derën dhe shikon klasën e saj të mbushur me pluhur dhe mbeturina. “Çfarë pamje e frikshme”, thotë ajo.
Klasat tjera janë në gjendje më të mirë, mësimi ka filluar, por shenjat e konfliktit mund të shihen në të gjitha anët.
Simptomat e fëmijëve në Sirte-makthet gjatë natës, problemet me gjumë dhe problemi për t’u përqendruar në shkollë, refuzimi për të menduar apo për të folur për luftën, sipas ekspertëve mund të jenë shenja të çrregullimeve post-traumatike.
Rune Stuvland, drejtor i Qendrës për Stres dhe Psikologji Traumatike në Oslo, udhëtoi për në Libi në janar, për të ndihmuar Fondin për Fëmijë të OKB-së dhe Ministrisë së Arsimit të Libisë në vlerësimin e nevojave psikologjike të fëmijëve dhe për të planifikuar dhe hartuar programe për intervenim. “Kjo turbullon qëndrimet e fëmijëve për komunitetet e tyre-për atë se çfarë është e sigurt, e çfarë jo”, thotë ai, për dhunën e ushtruar nga palët ndërluftuese.
Në shkollën Taleah Alnaser tendosjet dolën në sipërfaqe në një ditë janari, kur nxënësit u rreshtuan në oborrin e shkollës. Rreth 20 vajza dhe djem u përzgjodhën, për të kënduar himnin e ri të vendit. Është ky himni, i cili u bë zyrtar pas pavarësimit të Libisë, në vitin 1951. Kur Gaddafi u ngrit në pushtet në vitin 1969, ai e ndryshoi himnin. Por himni i vjetër u rikthye pas përfundimit të revolucionit vitin e kaluar.
Jo të gjithë fëmijët i dinin fjalët dhe shumë shpejtë u bë e qartë se disa prej tyre as që dëshirojnë ti mësojnë ato. Me tu kthyer në klasë, shpërtheu një grindje mes dy shokëve të klasës së Muammarit, njërit që kishte kënduar himnin dhe tjetrit, i cili nuk e kishte bërë këtë. Me shpejtësi, një mësues ju afrua nxënësit që nuk e kishte kënduar himnin, duke i bërtitur dhe duke e kapur për veshi.
“Lëshoji duart poshtë”, tha mësuesi.
“Nuk e kam goditur. Ai më doli përpara”, protestoi nxënësi 15 vjeçar, i quajtur Ramadan Al Gaddafi Ramadan.
“Është kjo një gjë, të cilën duhet ta pranojmë të gjithë, pa marrë parasysh se a na pëlqen apo jo”, klithi mësuesi.
Kjo grindje nuk ishte një rast i izoluar, thonë nxënësit dhe mësuesit. Asel, e cila ishte në mesin e atyre që kënduan himnin, thotë se ka kuptuar se shokët e saj tani janë tejet të përçarë.
“Disa e adhurojnë Muammar Gaddafin. Të tjerët jo”, tha Asel.
Megjithatë, përkundër sfidave të mëdha, me të cilat përballen banorët e Libisë, ka ca shkëndija të shpresës. Zyrat, restorantet dhe dyqanet tani janë të hapura në Sirte. Djelmoshat luajnë futboll në një fushë, përballë apartamentit të Muammarit. Vajzat kthehen nga shkolla në shtëpi. Dhe disa fëmijë, si Abdulsalam Suvajasi, një fqinj i Muammarit, ja arrijnë të mendojnë edhe për të ardhmen. “Dëshiroj të bëhem inxhinier. Dëshiroj të rindërtoj vendin tim”, thotë ai.