E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korriku i Dytë

Grupi Drejtues Ndërkombëtar mori vendim për përmbylljen e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Nga shtatori, Kosova fiton sovranitetin e plotë. Kryeministri Hashim Thaçi tha se ky është një vendim historik, që rastis po ashtu me një datë historike - 2 Korrikun e vitit 1990.

Më 2 korrik të vitit 1990, deputetët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës miratuan deklaratën kushtetuese, një prej akteve më të mëdha deri në atë kohë të artikulimit të vullnetit të popullit të Kosovës për pavarësi.

Saktësisht 22 vite më vonë, më 2 korrik 2012, Grupi Drejtues Ndërkombëtar ka marrë një vendim shumë të rëndësishëm për Kosovën, e që lidhet me kërkesën e kahershme të kosovarëve për të qenë shtat i pavarur dhe sovran.

Në kryeqytetin e Austrisë, në Vjen, ky mekanizëm vendosi t’i japë fund mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.

Që nga shtatori i këtij viti, Kosova merr pavarësinë dhe sovranitetin e plotë si shtet.

Vendimi për t’i dhënë fund përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës ka qenë pjesë e vetë Pakos së Ahtisaarit, e cila ka paraparë që pas një periudhe të caktuar, të gjitha fuqitë ekzekutive të Zyrës Civile Ndërkombëtare do t’i marrë në dorë Qeveria e Kosovës.

Në takimin e mbajtur në Vjenë, ku të pranishëm ishin Kryeministri Hashim Thaçi dhe Përfaqësuesi i ICO’së, Pieter Feith, u vlerësua se Kosova ka bërë përparim të dukshëm në amendamentimin dhe miratimin e legjislacionit të duhur për të marrë në dorë të gjithë frenat e shtetit, një pjesë të të cilave deri tani i ka pasur ICO.

Në fjalimin e tij para pjesëmarrësve të GDN’së, Kryeministri Thaçi e vlerësoi këtë vendim si historik për popullin e Kosovës, duke pasur parasysh simbolikën që e lidh këtë datë me zhvillimet politike të Kosovës 22 vite më parë.

“Kjo ditë dëshmon se sa rrugë të gjatë kemi bërë, sa shumë sakrifica dhe dhimbje kishin qytetarët e Kosovës. Qytetarët tanë çdo herë kanë pasur besim të fuqishëm, shpresë dhe optimizëm për Kosovën e pavarur dhe sot, pas 22 vitesh, ne jemi shtet sovran dhe demokratik. Sot Kosova po hap një kapitull të ri të shtetësisë së saj”, ka thënë Kryeministri Thaçi në konferencën për media të mbajtur menjëherë pas takimit.

Kryeministri Thaçi, në fjalimin e mbajtur para përfaqësuesve të GDN’së, ka falënderuar Zyrën Civile Ndërkombëtare për punën e bërë gjatë këtyre viteve në zbatimin e Planit Gjithëpërfshirës të Ahtisaarit, duke e cilësuar atë si të shkëlqyeshme.

“Konsideroj se bashkërisht të gjithë kemi bërë një punë të shkëlqyeshme, e cila e ka bërë Kosovën shtet të respektuar në rajon dhe më gjerë”, ka thënë Thaçi.

Ndërsa Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, përmes një adresimi qytetarëve të Kosovës, ka thënë se me përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë, Kosovës po i kthehet ajo që gjithmonë i ka takuar, vendimmarrja për vetveten.

“Vendimi i sotëm i Grupit Drejtues Ndërkombëtar, për ta përfunduar mbikëqyrjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke ia kthyer popullit të këtij vendi atë që i takon dhe për të cilën ka sakrifikuar, hap një horizont të ri për Republikën e Kosovës, për pozitën e saj në arenën ndërkombëtare dhe për zhvillimin e përgjithshëm të vendit tonë”, ka thënë Presidentja.

Megjithatë, edhe pas përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë, mbesin shumë çështje për të cilat Kosova ka nevojë për ndihmë ndërkombëtare. Zbatimi i strategjisë për integrimin e pjesës veriore të Kosovës, njohjet ndërkombëtare për pavarësinë, por edhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar me këtë rast i ka dhënë Kuvendit të Kosovës dritën e gjelbër për të vazhduar me miratimin e pakos së ligjeve, përmes të cilës bëhet bartja e përgjegjësive nga ICO tek institucionet e Kosovës.

Përmes një deklarate, GDN ka uruar Qeverinë e Kosovës për përkushtimin për një Kosovë demokratike dhe shumë-etnike, dhe ka bërë thirrje në vazhdimin e zbatimit të të gjitha dispozitave të Planit Gjithëpërfshirës pas përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë.

“Grupi Drejtues Ndërkombëtar uron Qeverinë e Kosovës për përkushtimin për shtet demokratik dhe shumë-etnik. GDN autorizon institucionet relevante të Kosovës të adaptojnë amendamentimet e nevojshme kushtetuese dhe legjislative për të mundësuar përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur”, thuhet në deklaratë.

Edhe Shefi i ICO, Pieter Feith, ka lavdëruar Kosovën për përparimet e bëra viteve të fundit, duke përmendur edhe hapjen e Zyrës Administrative në veri. Ai ka inkurajuar institucionet e Kosovës që në ditët në vijim t’i bëjnë ndryshimet e nevojshme ligjore-kushtetuese në mënyrë që të bëhet bartja e kompetencave tek autoritetet vendore.

Faith ka folur edhe për veriun e Kosovës, duke thënë se Plani i Ahtisaarit mbetet e vetmja zgjidhje për atë pjesë të vendit.

“Zgjidhja politike për veriun do të bazohet në tri parime: Nuk ka dhunë, nuk ka ndarje, pra veriu do të mbetet i Kosovës dhe parimi i tretë, se veriu nuk do të mbetet konflikt i ngrirë”, ka thënë Feith.

Pas vendimit për të përmbyllur mbikëqyrjen e pavarësisë, tani i mbetet Komisionit Parlamentar të procedojë me amendamentimin e legjislacionit të nevojshëm dhe ndryshimeve kushtetuese për të mundësuar bartjen e kompetencave.

Në shtator pritet të mbahet mbledhja e fundit e GDN’së, e cila edhe do t’i paraprijë mbylljes së Zyrës Civile Ndërkombëtare, me të cilin rast edhe zyrtarisht Kosova bëhet shtet me sovranitet të plotë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›