Beogradi konfirmon rinisjen e dialogut të martën

Shefi i delegacionit serb në bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanovçq, ka konfirmuar se ekipi i tij do të ndodhet më 21 shkurt në Bruksel, për vazhdimin e dialogut.
Ai ka thënë se është i gatshëm të punojë për gjetjen e zgjidhjes sa i përket përfaqësimit rajonal të Kosovës, duke pasur parasysh, siç është shprehur, “ekskluzivisht Rezolutën 1244, Kushtetutën e Serbisë dhe interesin kombëtar”.
“Mund të konfirmoj zyrtarisht se ekipi ynë negociues do të shkojë në Bruksel të martën, më 21 shkurt, për vazhdimin e dialogut me Prishtinën”, ka thënë Stefanoviç për mediat në Beograd.
Ai ka deklaruar se pason “një proces i trazuar negociator”, për të cilin ka shfaqur shpresën se do të rezultojë me zgjidhje pozitive, që do të çonte deri te “përfaqësimi adekuat” i Prishtinës në nismat rajonale, si dhe “do të mundësonte vazhdimin e integrimit evropian të Serbisë”.