Beogradi kopjon termin “red line”
S’ka asnjë mëdyshje që, e dikurshmja e aleancave, e kaluara si pushtuese, e shkuara si tharmi i Mbretërisë Serbo - Kroato - Sllovene, e ndalur si zemra e Republikës Federative Socialiste e Jugosllavisë, dhe e njëjta filozofi e pandryshuar, e bëjnë Beogradin, edhe sot e kësaj dite, të luaj shitmendësin politik allaçavez. Shumëçka e pohon këtë, dhe në mënyrë të përsëritur, por së voni kopjuan një term amerikan për t’ia thënë drejt e në sy një përfaqësuesi të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës: ky është togfjalëshi në anglisht “red line” (vijë e kuqe).
Që Serbia sillet shpërfillëse ndaj çlirimit të Kosovës, shpalljes së pavarësisë, qeverisjes së shtetit të ri, njohjeve numerike e domethënëse ndërkombëtare, dihet e nuk është e nevojshme të argumentohet. Këtë ajo e kryen përditë, duke mos pushuar si foluri e së vepruari. Shprehje e këtij qendrimi ishte edhe ajo çfarë i tha nënkryetari i qeverisë serbe, Ivica Daçiç, zëvendëssekretarit amerikan të Shtetit, Xhjems Stainberg: duam marrëdhënie të mira me përfaqësuesit e KFOR, UNMIK dhe EULEX. Kësisoj, pavarësia e Kosovës, për Serbinë është një bashkim shkronjash; që të tria tok - KFOR+UNMIK+EULEX – për ta nuk përkthehet në shtet, domethënë, aty ku veprojnë ato, nuk është Serbia, por nuk është as Kosova. Qeveria e Kosovës përballet pa kompleks me këtë mendësi të shtetit të vogël serb, që aktron të fortin, por shqiptarët vërejnë me habi, pse bashkësia ndërkombëtare e duron ende një vend që dështoi me politikë, humbi me luftë dhe sillet si më parë.
Bota, sidomos shqiptarët dhe serbët, kurrë nuk do të harrojnë paralajmërimin serioz të Presidentit Xhorxh Bush, në fundvitin 1992, që, nëse Serbia ndërmerr luftë në Kosovë, aty do të ketë “red line” (vijë e kuqe). Dhe, siç tashmë është futur në histori, “red line” u zbatua nga Presidenti Bill Klinton, kur Serbia e zbriti luftën në Kosovë. Ajo “red line” përcaktoi çlirimin e Kosovës dhe mundjen e Serbisë. Por, me një shitmendje tipike serbo-ballkanase, e nxjerrë pa zor nga arkivat e saj, Boris Tadiç imitoi së voni Presidentin amerikan Bush, për t’ia shqiptuar një përfaqësuesi të lartë amerikan të politikës së sotme. Kur zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, Xhejms Stainberg kërkoi që Serbia dhe Kosova të ndërtojnë ura bashkëpunimi, Tadiç i tha që, pavarësia e Kosovës është “red line” të cilën Serbia nuk do ta kalojë kurrë, çka ngjan si një vuajtje e gjatë për t’i treguar politikës së SHBA një “vijë të kuqe” serbe.
është e njohur që, përfaqësuesve të vendeve të Bashkimit Europian, Beogradi ua shpall pikëpamjet sfiduese e shpërfillëse më lehtë, pasi brenda BE ka disa shtete që e mbështesin Serbinë, dhe kjo e trimëron atë. Por kur Beogradi kopjon termin amerikan dhe ua shqipton amerikanëve, shitmendja shfaqet pa cak e anë. Gjithë sakrificat e shqiptarëve, gjithë ndërhyrjen e NATO-s, gjithë përpjekjet ndërkombëtare për të forcuar shtetin e Kosovës, Serbia mëton t’i zhbëjë me thirrjen për “zgjidhje kompromisi, e cila nënkupton se asnjëra palë nuk është as fituese dhe as humbëse”. Kjo lojë fjalësh, përbën një dinakëri, për kthimin e çështjes paralufte. Bashkësia ndërkombëtare, njëmbëdhjetë vjet pas luftës, duhet t’ia bëjë të qartë Serbisë se, në Kosovë “red line” u zbatua jo një po plot dy herë, sepse Beogradi e meritoi dyfish atë: së pari, për çlirimin - kundër politikës së Milloshviçit; së dyti, për pavarësinë - kundër politikës së Tadiçit. Ndërsa “red line” serbe është pa vlerë: Kosova rron e do të rrojë nën hisen e vet të diellit! Republika e Kosovës nuk lindi nga asgjëja, “as fitues e as e humbës” është kurrgjë, por shteti i ri u krijua mbi të drejtën dhe përgjithmonë: Kosova u çlirua si e pushtuar, Serbia u mund si pushtuese.