Beogradi nis hetime ndaj shqiptarit Koshnjeti

Siç raportojnë mediat në Beograd, Prokuroria e Serbisë ka vendosur që të nisë hetimet kundër Koshnjetit. Sipas burimeve të njëjta, ai do të merret në pyetje të hënën në mëngjes, ndërsa gjykatësi për krime lufte në Gjykatën e Lartë në Beograd do të vendosë për paraburgimin, shkruan REL.
Familjarët kanë bërë të ditur se Koshnjeti po udhëtonte me autobus drejt Beograd, për të vizituar motrën e tij.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë, Qendra në Prizren, ka reaguar ndaj arrestimit, duke kërkuar nga mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë që të ushtrojnë ndikimin e tyre për lirimin e Koshnjetit.
KMDLNJ ka hedhur poshtë deklaratat e autoriteteve serbe se Koshnjeti “ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq, duke bërë publik lajmin për arrestimin, ka thënë se Koshnjeti “dyshohet për krime lufte kundër serbëve, të kryera në vitet 1990 në Kosovë".
“Bëhet fjalë për krime lufte kundër popullsisë civile. Nëse ai është fajtor, do të tregojë procesi i mëtejshëm", ka thënë Daçiq.
Në më pak se një muaj, Serbia ka arrestuar pesë shtetas kosovarë. Më 28 mars, autoritetet policore serbe kanë arrestuar sindikalistin Hasan Abazi dhe qytetarin Adem Murseli në vendkalimin kufitar Dheu i Bardhë, nën dyshimet për “spiunazh dhe tregti me drogë”, bazuar në, siç është thënë, fletarrestimet e “Gjykatës së Qarkut në Gjilan” dhe drejtorisë së policisë serbe në Beograd.
Më 31 mars, në vendkalimin kufitar Merdare, pjesëtarët e xhandarmërisë serbe kanë kapur Shukri Binakun dhe Sami Beqirin – që të dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës – nën akuzat se “kanë shkelur marrëveshjen ushtarake teknike, të nënshkruar në Kumanovë, më 1999”.