Beogradi nuk “mbështet” serbët e veriut!

Ndërkohë që Serbia dhe Kosova ranë dakord që të krijohet një shoqatë e komuniteteve serbe në veri të Kosovës pas zgjedhjeve komunale këtë vjeshtë, udhëheqësit e katër komunave serbe në veri të Kosovës themeluan të ashtuquajturin Kuvendi i Kosovës dhe Metohisë.
"Serbët në veri të Kosovës nuk do të zbatojnë marrëveshjen e Brukselit dhe nuk do të votojnë vendimet dhe ligjet në Prishtinë", ka thënë Lubomir Radoviç, zëvendëskryetari ilegal i komunës së Zveçanit, duke shtuar se komunat serbe nuk do të pranojë kushtetutën dhe sistemin ligjor të "një shteti tjetër, të papranuar dhe të krijuar në mënyrë të paligjshme”.
"Kryeqyteti ynë është Beogradi, republika jonë është Serbia. Ne nuk duam një shtet tjetër, një shtetësi tjetër apo rend tjetër juridik”, thotë Radovic.
Asnjë përfaqësues i qeverisë serbe nuk mori pjesë në formimin e asamblesë, ndërsa kryeministri serb, Ivica Dacic, tha se ky veprim "nuk do të ndihmojë serbët e Kosovës”.
"Serbia dhe serbët duhet të mësojnë nga historia për të bërë atë që është më e mira për ta, jo se çfarë është në dëm të tyre", ka deklaruar Dacic, duke shtuar se askush nuk e ka informuar qeverinë serbe se po organizohej kuvendi i tillë dhe se ajo nuk është në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Serbisë.
I pyetur se si do të përgjigjet Beogradi, Dacic tha: "Nuk mund të ketë një reagim për diçka që nuk ekziston”.
Millovan Drecun, kryetar i Komitetit të Parlamentit serb për Kosovën, këshilloi gjithashtu serbët në veri të Kosovës të ndryshojnë sjelljen e tyre.
"Marrëveshja e Brukselit është pjesë integrale e politikës shtetërore serbe, që do të thotë se nuk ka vend për veprime të tjera, përveç formimit të shoqatës së komunave serbe pas zgjedhjeve lokale në 3 nëntorit”, tha për SETimes.
Oliver Ivanovicç, sekretar i shtetit për Kosovën dhe Metohinë në qeverinë e mëparshme të Serbisë, i cili jeton në qytetin e ndarë të Mitrovicës, thekson se krijimi i kuvendit ka krijuar konflikt mes liderëve të veriut të Kosovës dhe qeverisë në Beograd.
"Ajo nuk do të çojë në një përfundim të mirë, sepse ne nuk mund të mbijetojmë në veri të Kosovës, pa bashkëpunimin dhe veprimin e përbashkët me qeverinë e Serbisë”, ka thënë Ivanovic.
Dushan Janjic, drejtor i Forumit për Marrëdhëniet Etnike, tha se rezistenca ndaj marrëveshjes së Brukselit është duke u nxitur nga nacionalizmi.
"Kjo po ndodh për dy arsye. E para është se partitë anti-evropiane serbe besojnë se duhet të mbahet një konflikt i ngrirë dhe se në të ardhmen duhet të jetë një kthim i Kosovës në Serbi. E dyta është se zbatimi i marrëveshjes së Brukselit, veçanërisht për serbët në veri, zvogëlon aftësinë e tyre për të arritur fitime të mëdha përmes aktiviteteve jashtë çdo sistemi dhe ligjit”, tha Janjic.
Belul Beqaj, analist politik dhe ligjërues në Kolegjin Universum të Kosovës, thotë se nuk është i bindur nëse Beogradi është ose jo në dijeni rreth planeve për të formuar këtë kuvend të përkohshëm.
"Është e pamundur që atyre që kanë krijuar ato institucione nuk u është kërkuar të bëjnë këtë gjë”, tha Beqaj për SETimes, duke shtuar se liderët serbë në veri të Kosovës mund të krijojnë një bllok politik që do të hyjë në zgjedhjet lokale dhe të vazhdojë të qeverisë nën drejtimin e Beogradit.
Por, udhëheqësit në komunat veriore shprehën rezistencën e tyre për të ecur përpara, siç parashikohet në marrëveshjen e Brukselit.
Slavko Stevanovic, kryetar ilegal i Leposavicit, u zgjodh kryetar i asamblesë së përkohshme dhe foli në sesionin e saj të hapjes kundër njohjes së një Kosove të pavarur.
"Vetëm një Serbi demokratike dhe ekonomikisht e fortë mund të ndihmojë popullin serb në Kosovë dhe Metohi, por ne nuk mund të pranojmë se çmimi i Serbisë për t'iu bashkuar BE-së është humbja e territorit dhe detyrimi i integrimit të institucioneve në një shtet të papranuar", tha ai.
Qeveria e Kosovës e minimizoi rëndësinë e lëvizjeve.
"Kjo asamble nuk ka ndonjë implikim gjyqësor, madje as në praktikë, dhe për më tepër kur vetë qeveria e Serbisë nuk mbështet një organizim të tillë. Ky është qëllimi i strukturave ilegale politike për t'u bërë një faktor, për të mbijetuar politikisht. Si e tillë, ajo mbetet si dëshirë e tyre dhe asgjë tjetër”, tha Rroksana Qarri, zëdhënëse e Ministrisë së Brendshme të Kosovës./Indeksonline/