E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presin kryeministrin

Kur është takuar vitin e kaluar me prodhuesit dhe përpunuesit e qumështit, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, u kishte premtuar atyre shumë lehtësime për industrinë e qumështit. Në pakon bujqësore, siç e patë quajtur kryeministri, krahas përkrahjes financiare për prodhuesit e qumështit, është premtuar edhe heqja e TVSH-së prej janarit të këtij viti. Kjo s`ka ndodhur. Kryetari i Shoqatës se prodhuesve të qumështit, Milazim Krasniqi, i cili i ka shumë të freskëta detajet nga ky takim, thotë se tani kur ka kaluar kohë, asnjëra nga ato premtime nuk është realizuar. Qumështarët posaçërisht ndihem të injoruar nga mosrealizimi i premtimit për heqjen e TVSH-së.

“Kryeministri na ka premtuar për shumë gjera. Na ka thënë se do të ketë një pako bujqësore, ku hyn edhe heqja e TVSH-së prej janarit. Kjo nuk ka ndodhur”, kujton Krasniqi. Ai mban mend edhe një premtim tjetër për të cilin thotë se e kishte befasuar.

“Aq shumë do ta rregullojmë bujqësinë, sa që kërkesat e juaja përveç që do të plotësohen, edhe do të tejkalohen”, rikujton Krasniqi, premtimet e Thaçit.
Edhe Ramdan Mema, kryetar i Shoqatës se përpunuesve të qumështit, deklaron se qumështarët ndihen të zhgënjyer tej mase nga premtimet e parealizuara. Heqja e TVSH-së, sipas tij, nuk ka ndodhur ende, përkundër premtimeve se do të hiqet në janar.

“Ka qenë premtim ekskluzivisht i kryeministrit”, tha Mema. Mema subvencionet prej 5.2 milionë eurosh nuk i quan të tilla, por thotë se më shumë janë donacione apo ndihma.

Ndërkaq, burime të gazetës brenda ATK-së, tregojnë se vështirë se do të ndodhë heqja e TVSH-së për qumështarët. Ligji për TVSH-në, i cili është miratuar dhe po pret nënshkrimin nga presidenti, nuk do të ndihmoje në ketë drejtim.

“Ministri i Financave mund t’i rekomandojë Qeverisë aplikimin e normave tatimore më pak se 16 për qind, për disa kategori të shërbimeve”, thotë ky burim.

Problem tjetër mbetet Marrëveshja për tregti të lirë - CEFTA. Në bazë të saj, shtetet nënshkruese nuk guxojnë t’i subvencionojnë produktet e qumështit. Mirëpo, në realitet të gjitha produktet që hyjnë në Kosovë, subvencionohen. Ndërkaq, arsyetimi i institucioneve për këtë është tregu i lirë. Edhe pse me këtë marrëveshje, Kosova ka të drejtë të marrë masa kur është nevoja.

“Duke i ditur këto, qumështarët nuk presin ditë të mira në vitin 2010”, tha Mema.

Njazi Idrizi, këshilltar në Ministrinë e Bujqësisë, thotë se kjo ministri është e interesuar ta ulë koston e prodhimit te fermerët dhe përkrah çdo iniciativë që fermerët të jenë konkurrentë në treg.

“Për heqjen e TVSH-së ne nuk kemi premtuar”, ka thënë ai.

Drejtuesit e dy shoqatave të qumështarëve thonë se ndihen të lodhur nga premtimet e parealizuara, prandaj edhe nuk po kanë forcë ta ngrenë zërin. Sipas tyre, kur nuk dalin në fjalë drejtuesit e shtetit, atëherë çfarë pritet.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›