E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beogradit i ngutet

Pas embargos për mallrat serbe, zyrtarë të Serbisë për çdo ditë flasin për vazhdimin e dialogut me Kosovën në Bruksel. Në Beograd është publikuar edhe data për takimin e radhës. Borko Stefanovic shpreson se më 2 shator do të arrihet zgjidhja “për çështjen më të rëndësishme- vulat doganore”. Nga Express më 16 gusht 2011 në ora 22:11


Serbia ka ndryshuar qasjen ndaj dialogut me Kosovën pas embargos ndaj mallrave serbe. Për nevojën e vazhdimit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, zyrtarë të Qeverisë së Serbisë flasin për çdo ditë.

Si temë kryesore në takimin e radhës në Bruksel ata vlerësojnë se është zgjidhja për vulat doganore. Kjo do të mundësonte heqjen e embargos për mallra nga qeveritë e të dyja shteteve.

Megjithëse palët janë pajtuar që takimi i ri të mbahet më 5 shtator, Zëvendëskryeministri i Serbisë, Bozidar Djelic ka deklaruar se ai do të mbahet tri ditë më herë, më 2 shtator.

Në Prishtinë, asnjë nga zyrtarët nuk kanë pranuar të flasin për këtë çështje.
Gjatë muajve të parë të dialogut, me insistimin e palës serbe janë shtyrë dy takime në të cilat pritej arritja e marrëveshjeve.

Shefi i delegacionit serb, Borislav Stefanovic ka deklaruar të martën se në takimin e ardhshëm në Bruksel do të diskutohen tema që kanë qenë më herët në agjendë.

“Temat që do të jenë në tavolinë janë kadastra, telekomunikacioni, diplomat universitare dhe tema më e rëndësishme, vula doganore”, ka thënë Stefanovic për të përditshmen serbe “Pravda”.

Ai ka mohuar se ekipi serb do të propozojë si zgjidhje përdorimin e dy vulave.
“Ne kemi diskutuar dhe negociuar për vulat doganore një kohë të gjatë. Do të shohim çfarë zgjidhje do të arrijmë në shtator. Ka pasur ide të ndryshme. Një rol të rëndësishëm në këtë e ka UNMIK’u. Vulat e Kosovës nuk duhet të kenë atributet shtetërore dhe duhet të jenë neutrale ndaj statusit”, ka thënë ai.

Stefanovic ka kundërshtuar raportimet në mediat serbe se Beogradi do të njohë vulën doganore të Kosovës në shkëmbim me autonomi për Veriun. “Jo, mendoj se këto janë dy gjëra që nuk ndërlidhen. Veriu i Kosovës nuk do të diskutohet në mënyrën se si është prezantuar në media.

Ndërkaq, i pyetur se si duhet të duken bisedimet për Veriun, ai ka thënë se për këtë çështje do të diskutohet kur të vijë koha. “Sigurisht se nuk do të flasim për Veriun në takimin e shtatorit. Çështja e Veriut është shumë e rëndësishme, ka shumë specifika dhe është një realitet. Ky duhet të merret parasysh nëse duam të zgjidhim problemin e Kosovës. Ka shumë ide që kanë dalë në media, por unë nuk dua të komentoj asnjërën nga to”, ka thënë ai.

Stefanovic thotë se serbët kurrë nuk do të njohin institucionet e Kosovës në Veri.
“Shpresoj që ata nuk do të përdorin metoda që janë provuar më 25 korrik për shkak se është dëshmuar se është e dëmshme. Serbët kurrë nuk do të pranojnë të ashtuquajturat institucione të Kosovës, as nuk do të pranojnë që Serbia të mos jetë e pranishme në veri të Kosovës. Kështu që, rruga e vetme është të arrihet zgjidhje afatgjatë, e qëndrueshme, përmes dialogut”.

Me dialogun nuk janë të kënaqur përfaqësues të opozitës në Kosovë. Nënkryetari i Parë i AAK’së, Blerim Shala ka thënë se mënyra se si ka hyrë Qeveria në këtë dialog, përbërja e delegacionit të Kosovës, strategjia e delegacionit të Kosovës, ka sjellë deri te 25 korriku.

“Flasim hapur, ky delegacion dhe Kryeministri Thaçi kanë thënë gjithmonë që nuk bisedohet për Veriun, nuk bisedohet për temat politike, nuk bisedohet për rregullimin e brendshëm, e në fund doli që është biseduar për të gjitha çështjet, sepse edhe targat e veturave janë pjesë e rregullimit të brendshëm, edhe regjistrat civilë dhe kadastralë janë çështje të rregullimit të brendshëm”, ka thënë ai.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›