E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kacin Beogradit: Pranoni vulat e Kosovës

Nga Express më 16 gusht 2011 në ora 13:32

Jelko Kacin, raportues për Serbinë në Parlamentin Europian ka dërguar mesazhe të qarta për Beogradin, në një prononcim për gazetën “Danas”.

Ai tha se Kosova është shtet dhe Serbia duhet t’i njoh vulat e këtij shteti fqinj.

“Mospranimi i vulave i shtyn subjektet ekonomike në korrupsion dhe krim të organizuar. Jam i bindur se për eksportuesit serbë ka rëndësi që ekonomia dhe tregtia të zhvillohen dhe që pa probleme të eksportojnë në Kosovë. Çka shkruan në një vulë kjo askujt nuk i intereson. Serbia ka deficit të madh tregtar dhe qeveria në Beograd duhet të punojë në zgjidhen e këtij problemi e jo në përkeqësimin që ka sjellë situatën që me Kosovën të bëhet luftë tregtare”, ka thënë Kacin.

“Vulat i ka pranuar UNMIK’u, trupi i OKB’së dhe konflikti aktual është i parëndësishëm dhe kundër interesave të ekonomisë serbe, e mbi të gjitha interesave të serbëve që kanë mbetur në Kosovë”, ka shtuar ai.

Në pyetjen nëse Washingtoni dhe Brukseli janë të interesuar për ndarje të Kosovës, Kacin thotë se këto janë spekulime.

“Ndarja etnike është e papranuar. Krijimi i shteteve homogjene në Ballkanin perëndimor është që në start betejë e humbur e cila mund të sjellë dëme edhe vetë Serbisë”.

Kacin thotë se Serbia duhet të zhvillojë raporte miqësore me Prishtinën. Që kjo të bëhet, Serbia nuk duhet të frenoj integrimet rajonale dhe europiane të Kosovës.

Në pyetjen nëse Kosova është shtet, Kacin përgjigjet shkurtë: “Kosova patjetër që është shtet”.

Ai thotë se integrimi i Serbisë do të bllokohet nëse vjen deri te ndërprerja e dialogut të Brukselit mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Pengesat mund të vazhdojnë nëse Beogradi vendos ta shmangë apo ngrijë qasjen konstruktive kundrejt dialogut që veç ka dhënë disa zgjidhje konkrete”, ka thënë Kacin, duke shtuar se është vështirë që të bisedohet për anëtarësim të një vendi që ka situatë shpërthyese në kufijtë e saj.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›