E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muxhahedinët refuzojnë ofertën e Shqipërisë

Muxhahedinët iranianë refuzojnë ofertën e Shqipërisë për strehim, duke mos pranuar azilin e ofruar nga Tirana zyrtare për vetëm 210 prej tyre. Organizata e Muxhahedineve të Popullit Iranian nënvizon se jeta e mbi 3000 muxhahedinëve në kampin Ashraf në Irak është në rrezik dhe për këtë arsye duhet të largohen të gjithë prej andej.

Sipas MEK-ut, muxhahedinët iranianë i kanë kërkuar Tiranës të rrisë numrin e azilantëve, duke siguruar se do të merrnin vetë përsipër shpenzimet. Por MEK nuk pranon që në Shqipëri të strehohen vetëm 210 muxhahedinë.

Shqipëria pranoi një ditë më parë kërkesën e SHBA-së për të ofruar strehim me statusin e refugjatit për 210 persona iranianë, konkretisht të grupit “Mojahedin-e-Khalq”, MEK.

Aktualisht ata ndodhen në Kampin “Liria”, në Irak. Strehimi i tyre në Shqipëri do të bëhet për arsye humanitare, sikundër bën me dije njoftimi zyrtar i takimit të kryeministrit Sali Berisha me Zëvendës Ndihmës Sekretaren e Shtetit të SHBA, Barbara Leaf, përgjegjëse për Çështjet e Lindjes së Afërt.

Është UNHCR-ja që u ka dhënë disa rezidentëve të Kampit “Liria” statusin e refugjatit./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›