Beqaj: Serbia s'mund t'i pengojë integrimet e Kosovës
Kosova ka bërë dhe po bën përgatitjet e nevojshme për procesin e liberalizimit të vizave me BE-në, ka deklaruar Besim Beqaj, ministër i Integrimeve Evropiane në Kosovë, për të theksuar se Serbia nuk mund ta pengojë Kosovën në rrugën e integrimeve.
Në një intervistë për "Radion Evropa e Lirë", Beqaj ka thënë se Kosova ka bërë shumë përparime sa u përket përgatitjeve teknike, të cilat janë të nevojshme për liberalizimin e vizave.
Ministri Beqaj, duke folur për përgatitjet që është duke i ndërmarrë Kosova për këtë proces, ka vlerësuar se edhe Parlamenti Evropian, deri më tani, ka dhënë një orientim shumë të qartë që Kosova duhet të përfshihet në këtë drejtim.
Beqaj ka vlerësuar po ashtu se ekziston një qasje jokonstruktive e Beogradit sa i përket bashkëpunimit rajonal dhe normalisht, sipas tij, Unioni Evropian me të gjithë mekanizmat e tij duhet bërë presion, që Beogradi të sillet konform rregullave ndërkombëtare dhe konform standardeve të Unionit Evropian.