E Diel, 1 Nëntor 2026

Beqaj reagon pas lirimit nga qelia: Qëndrova padrejtësisht në paraburgim gjatë 15 muajve të fundit

Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, reagoi për herë të parë pas vendimit për lirimin nga paraburgimi dhe caktimin ndaj tij të masës së sigurisë “arrest në shtëpi”.

Ishte avokati mbrojtës ai që bëri publik reagimin, ku Beqaj deklaron se, ka qëndruar për 15 muaj në paraburgim në mënyrë të padrejtë, duke theksuar se ndaj tij nuk ka asnjë vendim dënimi nga gjykatat dhe se procedurat hetimore të SPAK-ut vijojnë ende.

“Unë kam qenë për 25 muaj në paraburgim, në kuadër të një hetimi të SPAK-ut. Prej 16 muajsh jam edhe i pandehur nga SPAK-u, por, deri më sot, nuk kam marrë asnjë dënim, qoftë edhe në shkallën e pare. Në fakt, kam qëndruar padrejtësisht në paraburgim gjatë 15 muajve të fundit”.

Sipas ish-ministrit, gjykata ka konstatuar se afatet ligjore të masës së paraburgimit kishin përfunduar, duke bërë që vendimi i mëparshëm për mbajtjen e tij në qeli të mos kishte më fuqi ligjore.

“Gjatë gjithë këtyre hetimeve nuk është gjetur as edhe një qindarkë apo një cent që të tregojë se pasuria ime është shtuar në mënyrë të paligjshme, si pasojë e veprimeve ose mosveprimeve të lidhura me detyrat e mia shtetërore”.

Beqaj pati një mesazh edhe për liderin e opozitës.

“Mora vesh se dje më kishte dërguar selam edhe doktor Berisha. Nuk do t’i përgjigjem këtu, sepse në Vjeshtë do t’i jap mundësinë të thotë edhe më shumë, kur të vijë si dëshmitar në procesin për koncesionin e instrumenteve kirurgjikale”.

Ish-ministri vijon të jetë nën hetim nga SPAK, ndërsa masa e re e sigurisë e detyron atë të qëndrojë në banesë deri në një vendim tjetër të autoriteteve gjyqësore.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›