E Diel, 1 Nëntor 2026

Beqiri: “Ndryshimi i kufijve në Ballkan - vragë nga e kaluara”

Preshevë, 26 gusht – Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës, Galip Beqiri, duke folur të enjten për përpjekjet, synimet, prioritetet dhe sfidat e këtij institucioni, theksoi se “prioritetet e KKSHL-së janë përcaktuar nga vetë problemet me të cilat po përballen shqiptarët e Luginës së Preshevës. Me formimin e KKSHL-së janë hedhur hapat e parë në realizimin e autonomisë kulturore  të shqiptarëve të Luginës, e që është edhe një hap më tej në avancimin e pozitës dhe të të drejtave të tyre.”Në qendër të KKSHL-së absolutisht është shqiptari i Luginës me hallet dhe problemet e veta, ndërsa ajo çfarë është prioritet i prioriteteve është arsimi”, theksoi Beqiri, duke shtuar se “mbeten në qendër të vëmendjes çështjet tjera që lidhen ngushtë me identitetin shqiptar, si; kultura, përdorimi zyrtar i gjuhës dhe shkrimit shqip, informimi, si dhe të gjitha çështjet me interes jetik për shqiptarët e Luginës së Preshevës”.Ndërsa duke folur për ndryshim kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë, apo shkëmbime territoresh midis dy vendeve, Beqiri theksoi se “e shoh si një fat të madh që në këtë kohë shqiptarët janë të drejtuar drejt Bashkimit Evropian, vlerave evropiane dhe që si partnerë shohin aleancat e progresit dhe prosperitetit”. “Ndryshimi i kufijve, apo shkëmbimi i territoreve është një term shumë fluid dhe varet saktësisht se çfarë nënkupton në rrafshin e politikës ndërkombëtare, ndonëse në rrafshin e politikës nacional-romantike ballkanase mbetet një vragë nga e kaluara”, deklaroi lideri i KKSHL-së, duke u zotuar dhe besuar tek shqiptarët e këtij rajoni, që në bashkërendim me miqtë e tyre do të tejkalojnë edhe këtë sfidë.“Ne jemi të përcaktuar për principet që ka përcaktuar politika botërore, dhe jemi thellësisht të përcaktuar për principet universale reciproke në realizimin e të drejtave të shqiptarëve”, përfundoi Beqiri.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›