E Diel, 1 Nëntor 2026

Beqja: Borxhi publik rritet me 2,8 milionë dollarë çdo ditë

TIRANE- Sekretari për programin në Partinë Socialiste, Ilir Beqja në një deklaratë për media është ndalur gjatë tek borxhi publik. Ai ka theksuar se borxhi publik po rritet, por papunësia nuk po ulet.

“Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave pranojnë se borxhi publik është rritur edhe rreth 300 milionë dollarë më shumë në 3 muajt e parë të vitit. Shtohet me 2,8 milionë dollarë çdo ditë. Shtohet me 140 mijë dollarë çdo orë që Saliu drejton qeverinë dhe Ridvani financat publike. Borxhi rritet, por të ardhurat nga turizmi bien. Borxhi rritet, por papunësia nuk ulet. Borxhi rritet, por varfëria nuk zbutet. Borxhi rritet, por edhe analfabetizmi funksional rritet. Borxhi rritet, por sistemi shëndetësor rrënohet. Modeli ekonomik ekzistues me rritje borxhi që nuk sjell mirëqenie është i shteruar”, tha Beqja.

Për këto arsye Beqja thotë se modeli ekonomik ka dështuar dhe duhet një model i ri ekonomik të cilin Partia Socialiste është e gatshme ta ofrojë.

“Prandaj duhet një model i ri ekonomik. Prandaj duhet rilindje edhe për ekonominë, edhe për administrimin e financave publike. Ne jemi gati ta bëjmë realitet.” 

(a.h/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›