Beqja: Përmbytjet, dështim i Berishës

Partia Socialiste ka vijuar sërish me akuzat ndaj kryeministrit Berisha se nuk bëri asgjë për të parandaluar përmbytjet në Shkodër.
Në një konferencë për shtyp deputeti i PS-së Ilir Beqja theksoi se kryeministri Berisha dështoi që të bënte minimumin për të prandaluar përmbytjet.
Duke iu referuar propozimit të PS-së për përmbytjet, deputeti Beqja theksoi se mazhoranca duke refuzuar ofertën e PS-së po tregon se ajo nuk është e interesuar për të për të zgjidhur hallet e popullit.
"Partia Socialiste ka bërë një ofertë konkrete për marrjen e të gjitha masave të nevojshme për mbrojtjen e vendit nga kënetëzimi si dhe për mbrojtjen e të gjitha hapësirave të banuara nga përmbytjet, si ajo e Shkodrës, për të cilat nuk e ka fajin as natyra e as perëndia, por që janë kryekëput një dështim i Sali Berishës" theksoi Beqja.
Ai gjithashtu theksoi se refuzimi i ofertës së PS-së tregon mungesën e vizionit dhe të planit të mazhorancës për të qeverisur vendin.