Beqja: Programi i ri i PS, më shumë taksa për të pasurit
Do reformohen sigurimet shoqërore, do japim pension social për çdo 75-vjeçar pa sigurime.
Ish-deputeti socialist, Ilir Beqja, anëtar i Asamblesë Kombëtare, pjesë e grupit të punës për programin e ri të PS, zbulon disa nga risitë e tij në çështjet ekonomike dhe sociale. Sipas tij, PS do të reformojë sistemin e taksimit, nga taksa e sheshtë në taksë progresive, ku të pasurit do paguajnë më shumë se të varfrit.
Zoti Beqja, ju jeni marrë me pjesën ekonomike të programit të ri të PS. Flitet se ka një prekje të guximshme sa i takon sistemit fiskal dhe më shumë mënyrës së taksimit. Pritet që me propozimet e reja, e majta të hyjë në hullitë e saj tradicionale? Çfarë propozohet?
Programi i ri që do të paraqitet në Kongres, është produkt i punës dhe përkushtimit disamujor të 25 kolegeve dhe kolegëve anëtarë të Asamblesë Kombëtare të PS. Tani që drafti i programit është gati për tu paraqitur, fillimisht në mbledhjen e afërt të Asamblesë, mund të shprehem për atë çfarë bashkë me kolegët kemi hartuar, pa harruar që është Kongresi që do të bëjë miratimin përfundimtar. Politikat tona fiskale do të jenë në shërbim të drejtësisë sociale, pa cenuar zhvillimin e qëndrueshëm. Në 6 vitet e qeverisjes së Sali Berishës, barra fiskale për familjet është rritur. Pesha e taksave të konsumit (tatim mbi vlerën e shtuar dhe akcizë) është rritur. Më 2005-n, në 100 lekë taksa që mblidheshin, vetëm 45 lekë ishin taksa konsumi, ndërsa më 2010-n për çdo 100 lekë të mbledhur, 52 lekë, pra më shumë se gjysma, janë taksa konsumi. Kjo ka sjellë që sistemi fiskal të jetë regresiv në shumicën e tij. Vendosja e taksës së sheshtë e rriti barrën fiskale efektive mbi të ardhurat e shumicës dërrmuese të shqiptarëve, nga 3 % në 10 % (pra rreth 3 herë). Këto, së bashku kanë sjellë që, nëse në vitin 2005 për çdo 100 lekë të ardhura nga puna të paguhen gjithsej 32 lekë taksa, në vitin 2011 paguhen 38 lekë. Parimi ynë themelor është se rishpërndarja funksionon përmes progresivitetit. Nuk mund tu kërkohen sforco të reja qytetarëve, nëse nuk rrënjoset bindja se kushdo duhet ti kontribuojë shoqërisë sipas të ardhurave dhe pasurisë së vet dhe askush nuk duhet ti shmanget taksimit progresiv. Do të ndryshojë rrënjësisht sistemi fiskal, duke kaluar nga një taksim regresiv i konsumit dhe proporcional të të ardhurave, në një taksim progresiv, i cili do të bëjë që kush është më i pasur, të ketë një barrë më të lartë fiskale sesa një më i varfër.
PS është për vijimin e taksës së sheshtë?
Besoj se e shpreha më lart filozofinë tonë për rishpërndarjen e çfarë krijohet në Shqipëri dhe qëndrimin tonë për sistemin fiskal. Ulja e taksës së sheshtë, pra ulja e tatimfitimit për bizneset e mëdha, nuk rezulton të ketë sjellë as ritëm më të lartë të rritjes ekonomike, as rritje të punësimit. Përkundrazi, qoftë vendosja e taksës së sheshtë, qoftë ulja e taksës së punës i kanë bërë më të rrezikuara financat publike e, për pasojë, edhe qëndrueshmërinë makroekonomike në një kohë furtunash globale.
Cili është qëndrimi i këtij programi për çështjen e borxhit publik? Përfshirja e tij si çështje kushtetuese ndihmon ekonominë?
Jetojmë në një kohë që borxhet janë bërë një çështje shumë e ndjeshme. Ju me të drejtë interesoheni për borxhin publik, por borxhi në Shqipëri është shumëpërmasor. Përtej borxhit publik, rreth 60% të GDP, kemi ende shumë fatura të papaguara punësh publike të pranuara. Shoqata e ndërtuesve flet për rreth 100 milionë dollarë. Borxhet e këqija ndaj sistemit bankar janë rritur shumë vitin e fundit. Të dhënat e fundit të gushtit 2011 flasin për borxh të keq rreth 950 milionë dollarë, shifër kjo më e madhe se 7% e GDP-së. Ky borxh i keq, bashkë me borxhet ndaj administratave tatimore e doganore, borxhet ndaj kompanive të shërbimeve jetike, borxhet e ndërsjella midis sipërmarrjeve, e çojnë nivelin e borxheve në Shqipëri në rreth 80% të GDP. Bashkë me detyrimet e njohura me ligj ndaj shtresave të ndryshme si ish të përndjekurit politikë dhe trashëgimtarët e pronarëve të shpronësuar nga regjimi komunist, borxhi me të cilin shqiptarët duhet të përballen, kalon 100% produktin e brendshëm bruto.
Për tu kthyer tek pjesa e parë e pyetjes suaj, qëndrimi ynë është se suksesi duhet mbështetur te puna dhe konkurrenca e lirë dhe e jo te borxhet. Edhe pse qeveria ka justifikuar marrjen borxh prej shpenzimeve të larta të rëndësishme për zhvillim të infrastrukturës, ekonomia nuk ka dhënë asnjë shenjë të përfitimit nga këto investime dhe punësimi nuk është rritur. As shërbimi shëndetësor nuk është afruar te qytetari. Për stadin e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë, niveli aktual i borxhit vlerësohet shumë i lartë. Institucionet ndërkombëtare financiare, që kanë asistuar e mbështetur Shqipërinë në 20 vitet e fundit, kërkojnë një plan të qartë për uljen e tij.
Në vitin 2011 do të shpenzohen 600 milionë dollarë për shërbimin e borxhit publik, shumë kjo 2 herë më e lartë se në vitin 2005. Shërbimi i borxhit për herë të parë do të kalojë këtë vit 4% të PBB, duke përfaqësuar një shpenzim më të lartë se arsimi, shëndetësia apo bujqësia.
Si qytetar dhe politikan jam thellësisht i shqetësuar se çfarë do të bëjë qeveria deri ditën e shtunë, 5 nëntor, kur duhet të shlyejë 80 milionë euro për detyrimet e eurobondit të vitit të kaluar. Lidhur me pjesën e fundit të pyetjes, këtë çështje e kemi diskutuar dhe kemi mendime të ndryshme, të cilat do të vendosen në Asamble apo në Kongres. Situata është dramatike. Çdo fëmijë shqiptar lind sot me një borxh prej rreth 2450 dollarësh, ndërsa çdo familje shqiptare duhet të paguajë çdo muaj 65 dollarë për shërbimin e borxhit, shumë kjo më e madhe se fatura mujore e energjisë elektrike ose sa afro gjysma e pensionit mesatar në qytet. Ne jemi të përgatitur profesionalisht dhe të gatshëm politikisht që kontrollin e borxhit publik ta ngremë në nivelin e përgjegjësive që përcaktohen si detyrime kushtetuese. E kanë bërë disa vende dhe ndoshta do ishte mirë të shikonim se sa efektive do të ishte në zbatin kjo masë. Unë vetë nuk jam i prirë të bëjmë shumë propozime që lidhen me ndryshime kushtetuese, kur dihet që ato miratohen bashkë me palën/ët e tjera politike. Marrja e angazhimeve të tilla kërkon që nesër do të duhet të bësh kompromis për gjëra që mund të mos të volisin.
Shërbim mjekësor për të gjithë, ka qenë ky një propozim i 2009-s. I qëndron PS këtij propozimi dhe sa do të ndikojë kjo masë në cilësinë e shërbimit shëndetësor?
Pra, e paskemi pasur një propozim që në 2009! Gjithsesi, kërkoj ndjesë, sepse dua të bëj një saktësim. Shërbim shëndetësor për të gjithë. Madje edhe solidar. E preka më lart se sot në Shqipëri janë 1 milion të papunë, që për pasojë nuk kanë mbrojtje shëndetësore. Detyrohen të paguajnë nga xhepi, edhe shumë i varfër, çdo shërbim që kanë nevojë. Në dy vitet e fundit, për ta është bërë edhe më e vështirë. Në tetor 2009 u rritën 45 herë tarifat e shërbimeve për të pasiguruarit. Nga shkurti 2011 po zbatohet 10 % tatim mbi vlerën e shtuar, tjetër barrë për të pasiguruarit. E kam shpjeguar më lart se më shumë se gjysma e taksave në Shqipëri janë taksa konsumi që i paguajmë të gjithë, të siguruar e të pasiguruar. Madje, atyre me të ardhura të ulëta, pra të varfërve, taksat e konsumit u zënë peshë më të madhe në të ardhurat mujore. Këtë pabarazi ne nuk e pranojmë dhe jemi të vendosur ta ndryshojmë. Unë besoj se te kjo kontradiktë buron edhe kaosi e rrumpalla në shërbimin tonë shëndetësor, që nuk arrin sot të realizojë asnjë nga detyrat e tij, as parandalon, as diagnostikon, as shëron dhe as rehabiliton. Ndërsa ata që paguajnë kontributet e detyrueshme, nuk e dinë pse i paguajnë, për sa kohë të mërzitur në hallkat burokratike të sistemit publik, paguajnë edhe ata nga xhepi. Ne duam ti kthejmë spitalet tona publike jo vetëm në q