Beqja: Qeveria, asnjë masë për virusin AH1N1

Partia Socialiste ka sulmuar sot qeverinë duke e akuzuar se nuk ka marrë asnjë masë për virusin A/H1N1. Sipas deputetit, Ilir Beqja, qeveria shqiptare ende nuk ka një plan të saktë e të qartë për vaksinimin e grupeve më të rrezikuara të popullsisë. Ai tha se qeveria shqiptare nuk ka as me Organizatën Botërore të Shëndetësisë asnjë marrëveshje konkrete për ndonjë sasi vaksinash, përkundrazi ajo është në pritje të dhuratave që mund bëjë kjo organizatë. PS ka kërkuar që qeveria të bëjë me dije nëse kanë qendrat shëndetësore dhe spitalet pajisje personale mbrojtëse, përfshirë kapuçët, maskat, dorezat, syzet etj, për të gjithë dhe për sa kohë. Po ashtu, Beqja kërkoi që qeveria të njoftojë "sa i mbrojtur është personeli shëndetësor, i cili është i detyruar të përballet i pari me pacientet infektuar dhe infektues njëkohësisht". PS akuzon qeverinë se nuk ka as para për të përballuar situatën që pritet të vështirësohet, pasi fondet e kontigjencës po i përdor për të paguar shiritat elektoralë.