Beqja: Qeveria tallet me shtresat në nevojë
Tiranë- Buxheti ka qenë edhe sot në qendër të vëmendjes së Partisë Socialiste, e cila ka akzuar qeverinë se ka lënë jashtë kujdesit shtetrast në nevojë, pasi nuk ka bërë asnjë parashik fondesh për këtë kategori. Sipas nënsekretarit për Programin në PS, Ilir Beqja qeveria gjoja më sociale se të gjitha qeveritë e majta, u jep personave me aftësi të kufizuar dhe kujdestarëve të tyre vetëm 23 lekë në ditë më shumë se një vit më parë.
Kjo pagesë, sipas tij, është 22 % më e ulët se të ardhurat minimale të pensionistëve në qytet. Por, asgjë më e mirë nuk pritet as nga buxheti i vitit 2009. Asnjë fond, sipas tij nuk është parashikuar për rritjen e këtyre përfitimeve.
Gjatë një konference për shtyp nga selia e PS-së, ai ka denoncuar talljen që vazhdon t’i bëjë qeveria e Sali Berishës ndaj shtresave në nevojë.
“Po mbyllet viti 2008 dhe pagesa e përfitimit të paaftësisë së kufizuar vazhdon të mbetet 8,700 lekë në muaj. Është rritur vetëm 8.7 % gjatë këtij viti”- tha ai, duke saktësuar se që të rriten me 10 % këto përfitime mungojnë në buxhetin e vitit 2009 8 milionë USD.
Ai ka kujtuar se edhe pas 40 muaj qeverisjeje, shtesat për invalidët e punës të plotë apo të pjesshëm (nga sëmundjete përgjithshme) janë rritur vetëm 10 %. “E thënë ndryshe, qeveria gjoja më sociale se të gjitha qeveritë e majta, u jep personave invalidë të plotë një shtesë ditore vetëm 10 lekë më shumë se në qershor 2005. U jep personave invalidë të pjesshëm një shtesë ditore vetëm 6.7 lekë më shumë se në qershor 2005. Asnjë fond nuk është parashikuar për rritjen e këtyre shtesave në buxhetin e vitit 2009”- tha ai.
Të pamjaftueshme i ka cilësuar Beqja edhe fondet për ndihmën ekonomike. Pa u tharë akoma boja e strategjisë së mbrojtjes sociale 2008 – 2013, miratuar nga qeveria në janar 2008, në projektbuxhetin e vitit 2009 janë programuar 5,5 milionë USD më pak se sa kërkon strategjia. Kjo, sipas tij do të bëjë që në vitin 2009 familjet e varfëra që jetojnë me ndihmë ekonomike të marrin jo më shumë se 3 mijë lekë në muaj. Gjykojeni vetë se çfarë mund të bëjë sot një familje e varfër me 1000 lekë të vjetra në ditë.
Partia Socialiste, ka vazhduar më tej ai, është angazhuar që me ardhjen në pushtet të përmirësojë realisht gjendjen e personave me aftësi të kufizuar dhe invalidëve.
Ai ka përsëritur angazhimin e PS-së, se një nga gjërat e para që do të bëjnë me të ardhur në pushtet është deklarimi i minimumit jetik dhe garantimi i tij për të gjitha kategoritë sociale në nevojë.
Në përfundim të fjalës së tij, ai ka premtuar që kujdestarëve të personave me aftësi të kufizuar, periudha e kujdesjes do t’u njihet si periudhë e vjetërsisë në punë.