Pajaziti: Plani i ri vë në pikëpyetje gjithë procesin
"Plani më i ri na sjell në pozicione tjera, vë në pikëpyetje një proces, i cili është krijuar gjatë, me mundim dhe përkushtim të madh". Kështu është shprehur në një intervistë për radion Evropa e Lirë, ministri i punëve të brendshme në Kosovë, Zenun Pajaziti.
Ai theksoi se kreu shtetëror kosovar ka refuzuar këtë plan, sepse nuk duhet të cenohet Kushtetuta dhe Plani i Ahtisarit.
"Siç e dini, institucionet vendore e kanë për obligim të zbatojnë ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Ne jemi të bindur tashmë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila është punuar në partneritet të plotë me bashkësinë ndërkombëtare dhe në frymën e pakos së Ahtisaarit, reflekton një përkushtim të obligimeve të veçanta të institucioneve dhe qytetarëve të vendit karshi pakicave", theksoi ministri Pajaziti.
Ai tha se zbatimi i Kushtetutës së Kosovës do të krijojë kushte të mira për të gjithë qytetarët e vendit dhe kjo Kushtetutë po ashtu na obligon ne dhe partnerët tanë ndërkombëtarë që të kujdesemi për zbatimin e saj në gjithë territorin e vendit. (INA)