Trafikonin klandestinë, 5 në pranga
Trafikantët i mblidhnin personat nga disa qytete të Shqipërisë së Mesme e të Jugut përkundrejt 700-800 eurove
GJIROKASTËR- Një grup trafikantësh të qenieve njerëzore nga Shqipëria drejt Greqisë është goditur nga policia e Gjirokastrës. Hetimet disamujore u përmbyllën dje me operacionin e koduar “Cikloni”, që çoinë arrestimin e pesë vetëve dhe shpalljen e disa të tjerëve në kërkim. Madje, policia ka mundur të zbardhë edhe itinerarin e lëvizjes së klandestinëve dhe mënyrën e rekrutimit të tyre.
Grupi i trafikantëve
Epiqendra e veprimit të grupit që merrej me trafikimin e klandestinëve ka qenë qyteti i Fierit dhe rrethinat e tij. Por duket se veprimtaria e tij shtrihej edhe në një numër qytetesh të tjerë të vendit, kryesisht të Shqipërisë së mesme dhe asaj të jugut, si: Durrës, Berat, Vlorë e Tepelenë, ndërsa destinacioni përfundimtar ishte Gjirokastra, prej nga klandestinët niseshin drejt Greqisë. Sipas skemës së zbardhur nga policia, shtetasit shqiptarë që donin të kalonin për në shtetin grek, rekrutoheshin nga pjesëtarët e këtij grupi në rrethet Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Tepelenë dhe me mjete të ndryshme i transportonin deri në afërsi të vijës së kufirit. Aty, pasi i grumbullonin, realizonin kalimin, duke përdorur vijën e gjelbër të kufirit, në dy drejtime, afër fshatit Radat dhe fshatit Dritë të rrethit Gjirokastër. Informacionet e grumbulluara tregojnë se vetëm përgjatë dy muajve të fundit nga ky grup janë trafikuar qindra shtetas shqiptarë dhe për secilin prej klandestinëve pagesa e përfituar ishte 700- 800 euro, ndërsa për një periudhë dyjavore ky grup ka tentuar të kalojnë ilegalisht drejt Greqisë 96 klandestinë, të kapur e më tej kthyer mbrapsht nga Sektori i Luftës Kundër Krimit të Organizuar.
Operacioni
Burime zyrtare të policisë bënë të ditur se për goditjen e këtij grupi ishte duke u punuar prej disa kohësh. “Sektori i Luftës Kundër Krimit të Organizuar, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme që ka zhvilluar për goditjen e trafiqeve të lëndëve narkotike dhe qenieve njerëzore, finalizoi me sukses operacionin e koduar “Cikloni”, duke shkatërruar një grup kriminal me aktivitet të theksuar në fushën e trafikut të klandestinëve në drejtim të shtetit grek, kundrejt fitimit”, bëri të ditur zëdhënësi Gentian Mullai. Vetëm një ditë më pare, nga shërbimet e policisë kufitare janë bllokuar dhe kthyer mbrapsht në vendin e quajtur Qafa e Muzinës, në aksin kombëtar Gjirokastër- Sarandë, 51 klandestinë dhe ndërmjet tyre u bë e mundur kapja dhe më tej arrestimi i tri anëtarëve të grupit. Më tej, bashkëpunimi edhe me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier bëri të mundur prangosjen e dy personave të tjerë.
Të arrestuar:
Laurent Shehaj, 33 vjeç, Fier
Agron Seati, 47 vjeç, Fier
Bujar Seati, 45 vjeç, Vlorë
Qamil Fejzullai, 44 vjeç, Patos
Çlirim Pashaj, 44 vjeç, Fier