Beqja: Reforma e PS në shëndetësi, nga barnat te spitalet dhe mjekët
Sistemi i ri shëndetësor, i programuar dhe i shpallur nga Partia Socialiste, do të ndryshojë të gjithë skemën aktuale të financimit. Në një intervistë për gazetën, Ilir Beqja, sekretari për programin, sqaron të gjitha risitë dhe pikat e dyshimta të programit. Si do të sigurohen të gjithë qytetarët shqiptarë, në punë ose jo dhe si do të garantohet shërbimi shëndetësor për të gjithë. Shpërndarja në çdo anë të vendit dhe garantimi i ilaçeve edhe në fshatra.
Në program ju thoni: Ne do të ulim çmimin e barnave në Shqipëri, kini parasysh ndonjë ndryshim të skemës? Barnat kanë një skemë furnizimi ku fitimi nga grosistët deri te farmacitë janë të përcaktuara. Do e ndryshoni këtë skemë?
Çmimet e mallrave dhe shërbimeve sot në Shqipëri, sidomos të atyre jetike, janë shumë të larta. Ndodh që bëhen krahasime edhe me vende fqinjë apo vende të zhvilluara, por gjithmonë duhet të kemi parasysh peshën që zënë shpenzimet për mallra e shërbime jetike bazë ndaj të ardhurave mujore familjare. Krahasimisht me vende të tjera, edhe të ngjashme, jetesa në Shqipëri është shumë e shtrenjtë. Pra, ne synojmë që përgjithësisht të mos ketë shpërpjesëtime të mëdha në peshën që zënë zëra të ndryshëm të konsumit mujor jetik në buxhetet familjare. Në formimin e çmimeve luajnë rol kostot e prodhimit apo të importit, elemente të politikave dhe administrimit fiskal, rregullimi i tregjeve dhe krijimi i hapësirës për konkurrencë.
Që prej marsit 2011, në çmimin e barnave zbatohet tatimi mbi vlerën e shtuar në shkallën 10%. Në dhjetor 2010, kur zbatimi i këtij tatimi u miratua, qeveria shpjegoi që vendosja e këtij tatimi do të ulte çmimin e barnave për 6 muaj. 6 muajt kaluan, çmimet nuk u ulën. Ne e patëm paralajmëruar që në fillim, që nuk do të kishte ulje çmimi, përkundrazi çmimet do të rriteshin. Ne jemi të vendosur të heqim TVSH-në në barna dhe shërbime mjekësore. Për këtë, kemi propozuar që prej disa javësh edhe nismën ligjore në Kuvend. Debati do të bëhet në seancë plenare në 22 dhjetor 2011. Sali Berisha e ka deklaruar që do ta rrëzojë nismën, edhe pse angazhimi i tij për ulje të çmimeve të barnave rezultoi i gënjeshtërt. Saliu nuk e ka problem se i provohen gënjeshtrat, ndërsa për ne është shumë e rëndësishme ulja e kostove të qytetarëve për shërbimin shëndetësor. Heqjen e TVSH-së në shëndetësi ne do ta bëjmë në ditët e para të qeverisjes sonë.
Ju parashikoni rritjen e cilësisë së barnave. A bie ndesh ulja e çmimit të barnave, që ju propozoni, me cilësinë e tyre? Një ilaç i lirë, përgjithësisht do të thotë ilaç me pak efekte, jo cilësor.
Në Shqipëri, për fatin tonë të keq, edhe pas 20 vjetësh ekonomi të tregut të lirë, çmimet vazhdojnë të diktohen nga faktorë jo ekonomikë, për të cilët është përgjegjëse e drejtpërdrejtë qeverisja. Fola më sipër për aspektin e politikës fiskale, por edhe korrupsioni, burokracia, mungesa e konkurrencës, mungesa e mbikëqyrjes së cilësisë janë elemente të rëndësishme që ndikojnë si në çmimet, ashtu edhe në cilësinë e mallrave e shërbimeve që ofrohen. Tregjet në Shqipëri janë të deformuara dhe, në programin tonë politik, vendosja e tregjeve progresive është një nga synimet kryesore. Për barnat është thelbësore që ato të jenë në përputhje me përcaktimet e principeve aktive. Më tej, cilësinë duhet ta sigurojë farmakovigjilenca. Efektiviteti i përdorimit të një bari varet nga mënyra se si ai përshkruhet nga mjeku, se si jepet në farmaci, se si ofrohet brenda skemës së rimbursimit etj. Në këto aspekte do të përqendrohemi për të rritur cilësinë e barnave. Ne marrim përsipër të mbikëqyrim të gjithë zinxhirin e shpërndarjes së barnave. Qoftë në qendrat shëndetësore publike, qoftë në sistemin privat.
Ju thoni se në zonat rurale shërbimi farmaceutik mungon dhe propozoni shërbim farmaceutik publik, aty ku nuk ka mbulim me shërbim privat. Kjo do të thotë se në fshat do të hapen farmaci shtetërore, pra që paguhen nga taksat?
E rëndësishme është që për këdo qytetar të vendit, pavarësisht ku jeton, të ketë prezencë të shërbimit shëndetësor. Shëndeti është një nga të drejtat bazë themelore dhe, për ne socialistët, nuk është mall ku gjithçka ta vendosë raporti të ardhura/shpenzime, kërkesë/ofertë etj. Në vlerësimin tonë, qytetarët që jetojnë në zona më të largëta, paguajë më shumë taksa se ata që jetojnë në qytete. Më shumë se gjysma e taksave që mblidhen në Shqipëri janë taksa konsumi, pra taksa të përfshira në çmimin e çdo malli e shërbimi, dhe është e provuar që sa më larg qendrave të mëdha urbane të jetosh, aq më të shtrenjta janë çmimet me pakicë. Nëse do të paguhen nga taksat farmacitë publike apo do të paguhen nga Shërbimi Shëndetësor Kombëtar që ne do të krijojmë, kjo është një çështje teknike. E rëndësishme është që ne të punojmë për të forcuar kohezionin territorial dhe social të shoqërisë sonë.
Në programin tuaj theksohet edhe një fjali pak e çuditshme: Spitalet publike do të jenë jo vetëm vendet ku njerëzit mjekohen, por edhe qendra që mishërojnë solidaritetin e kulturën shoqërore. Çfarë do të thotë termi kulturë shoqërore në një spital?
Fjalia mund të duket e çuditshme edhe pa thonjëza. Sepse, në këta 20 vjet, spitalet publike janë parë vetëm si ambulanca të mëdha ku shkohet për një nevojë individuale. Duke e trajtuar shëndetin si një të drejtë themelore, në spital nuk duhet të ketë shëndetësi me disa shpejtësi. Një shpejtësi për atë që sot konsiderohet i siguruar, një shpejtësi tjetër për atë që është i pasiguruar. Një shpejtësi për atë që ka para, një shpejtësi tjetër për ata që janë të varfër dhe jetojnë me ndihmë ekonomike 4 mijë lekë në muaj. Një shpejtësi për atë që është banor autokton në qytetin ku është spitali, një shpejtësi tjetër për atë që është banor i sapovendosur në qytet.
Kultura shoqërore në spital do të thotë se kushdo duhet të marrë shërbimin që ka nevojë, në një Sistem Shëndetësor Kombëtar që bazohet në akses të barabartë, në mbulim universal dhe në solidaritet financimi nga të gjithë sipas të ardhurave që krijohen nga puna, fitimi, kapitali, patundshmëria etj., sipas parimit të formuluar në programin tonë të ri: kush fiton më shumë, do të paguajë më shumë.
Sistemi i sotëm i financimit të shëndetësisë stimulon korrupsionin, burokracinë e tepruar dhe diskriminimin në masë. Paratë publike, edhe pse të pamjaftueshme, shpërdorohen në mënyrë kriminale, ndërsa qytetarët paguajnë nën dorë për të marrë shërbime thelbësisht jetike. Ky sistem shëndetësor nuk arrin të plotësojë as nevojat e gjysmës së popullsisë së vendit, që është e siguruar. Ndërkohë që të varfrit janë të përjashtuar se nuk sigurohen dot, as ata që paguajnë sigurime nuk i ushtrojnë dot të drejtat e tyre.
Të ndalemi te pika e fundit, por kryesorja në programin tuaj të shëndetësisë. Ju thoni që 1 milion shqiptarë në moshë pune nuk gëzojnë kujdes shëndetësor publik, sepse janë të papunë. Të gjithë atyre që varfëria apo papunësia i ka lënë pa sigurim shëndetësor, ne do tu ofrojmë shërbim shëndetësor falas dhe ata do të sigurohen nga shteti. Kjo do të thotë që ata që janë në punë do të paguajnë më shumë për shërbimin shëndetësor? Sigurimi nga shteti do të thotë nga taksat. Do rritet përqindja që paguajmë sot për sigurimet shëndetësore, apo paratë që vijnë nga taksat e tjera do të kalojnë në sistemin e shëndetësisë.
E drejtë. Edhe pse barnat janë një nga elementet e rëndësishme të shërbimit shëndetësor, ky i fundit është shumë më i gjerë. Përfshin parandalimin, diagnostikimin, mjekimin dhe rehabilitimin. Asnjë nga këto 4 funksione themelore të shëndetësisë sonë nuk realizohet si duhet. Sistemi nuk i është i drejtë, sepse nuk u jep mundësi të gjithëve të kenë akses të barabartë, nuk është as solidar. Nuk është prezent njësoj në të gjithë vendin. Unë u ndala pak në mënyrën se si formohen të ardh