Beqja: Saliu nuk flet për problemet, por sulmon opozitën
Partia Socialiste ka reaguar pas deklaratave të sotme të kryeministrit Berisha në mbledhjen e radhës së qeverisë, duke e akuzuar se po anashkalon problemet e mëdha me të cilat po përballet vendi, duke vazhduar avazin e sulmit ndaj opozitë. Në një dalje publike për mediat, Sekretari për Programin në PS, Ilir Beqaj ka deklaruar se: Saliu duhet të flasë për rendin publik, por heziton. Për fat të keq atentatet mafioze, vrasjet dhe grabitjet vazhdojnë në hundën e policisë së shtetit. Kanë kaluar disa muaj dhe asnjë lajm nuk ka për zbulimin e fajtorëve të atentatit mafioz ndaj drejtuesve të Ceament Albania.
Saliu duhet të flasë për korrupsionin e tmerrshëm në shërbimin doganor të denoncuar publikisht nga njerëz brenda këtij shërbimi, por heziton. Tek ky korrupsion janë shkaqet e deficitit dhjetëra milionë dollarësh të krijuar në 7 muaj nga administrate fiskale. Përgjigja e regjimit të Saliut është kërcënim për denoncuesin që detyrohet të arratiset nga Shqipëria pas 21 vjetësh të ndryshimit të sistemit politik. Saliu duhet të flasë për korrupsionin në prokurime publike, pas evidentimit në publik të hetimit që ka bërë Autoriteti i Konkurrencës, pas gjetjeve të Kontrollit të Lartë të shtetit, por heziton. Për fat të keq edhe prokurimi elektronik na rezultoi një tjetër dështim spektakolar i qeverisjes dixhitale të Sali Berishës.
Saliu duhet të flasë për borxhin publik që ka kaluar 800 miliardë lekë, por heziton. Financat publike nuk përmirësohen me zëra që dërgon mazhoranca qeverisëse për rritjen e kufirit të borxhit publik. Nuk mund ta zgjidhin çështjen e borxhit të njëjtët njerëz që kanë miratuar në mënyrë të përsëritur buxhete vjetorë të parealizueshëm, u shpreh Beqja në emër të selisë rozë. Më tej ai është ndalur tek koncesionet e HEC-ve apo të sektorëve të ndryshëm. Ne e kemi denoncuar politikën e koncesioneve të pakërkuar si klienteliste, në dëm të interesave të shqiptarëve, të korruptuar. Ne falenderojmë dhe mbështesim investitorët seriozë, vendas dhe të huaj. Falenderojmë institucionet financiare të huaja për mbështetjen që i japin zhvillimit ekonomik të Shqipërisë dhe i garantojmë ata se qeverisja jonë e nesërme do të jetë krejt e ndryshme nga modelet si ai i bllokimit që i bën Saliu kredisë së KFW për linjën e interkoneksionit Shqipëri Kosovë.
Por, sot dëshiroj të rikonfirmoj qëndrimin politik të PS të përcaktuar në programin Për një rilindje shqiptare – Ne do të rishikojmë të gjitha kontratat e partneritetit publik privat dhe do të kërkojmë anulimin e të gjitha atyre marrëveshjeve që shkelin ligjin, në kushtet e konfliktit të interesit dhe në dëm të interesit të shqiptarëve. Po, Po! Do të rishikojmë të gjitha kontratat në dëm të shqiptarëve të lidhura për interesa të oborrit të Saliut, qoftë familjar, qoftë politik, të Fazlliçit apo të Fazlliçëve, përfundoi Beqja.
22 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)
Beqja: Saliu nuk flet për problemet, por sulmon opozitën burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip