Beqja: Vendi rrezikon dimër të vështirë energjetik
TIRANË- Partia Socialiste nuk heq dore nga qëndrimi i saj kritik sa herë që në politikën e ditës flitet për administrimin e sistemit energjitik. Sekretari për Programin në Partinë Socialiste, Ilir Beqja, ka paralajmëruar dje në një konferencë për shtyp se vendi rrezikon të përballet me një dimër të vështirë energjitik edhe pse situata hidrike është përmirësuar ndjeshëm.“Këto janë pasojat e një qeverisjeje të paaftë me në krye një kryeministër të korruptuar. Humbjet në KESH vijojnë të jenë të larta. Nën qeverisjen e Kryeministrit më të paaftë të tranzicionit, niveli i mbledhjes së të ardhurave ra deri nën 45 % (III – mujori i 2006), ndërsa për vitin 2007 nuk është më shumë se 50 %. Kryeministri gjen zgjidhjen vetëm duke shtrenjtuar çmimin e energjisë elektrike për familjarët e sipërmarrjet e lira. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo barrë, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes vazhdon në avazin e vjetër të KESH me veprime abuzive”,- tha Beqja. Sekretari për Programin në PS theksoi se OSSH nuk është në gjendje të faturojë sipërmarrjet me fasha orare edhe pse kjo është vendosur nga ERE. “OSSH në mënyrë krejt abuzive, edhe në kushtet e një konsumi normal në mes të Tiranës, ngarkon në mënyrë abuzive sipërmarrjet me konsum aforfe. Qeveria e kryeministrit Berisha do të mbahet mend edhe që detyron shqiptarët të paguajnë tatim mbi vlerën e shtuar për masat administrative. Dhe për t’i vënë kapakun qeverisjes informale, OSSH faturon familjarët dhe sipërmarrësit me fatura të paligjshme”,- tha Beqja. Ndërsa Ministri i Ekonomisë dhe Energjitikes, Genc Ruli, ka deklaruar dje përmes një konference për shtyp se privatizimi i OSSH-së do të shkarkojë shtetin shqiptar nga përgjegjësia e arkëtimit të të ardhurave nga KESH, por sipas tij, pritet të sjellë edhe përmirësime të ndjeshme në rrjetin e transmetimit duke minimizuar humbjet në rrjet.